Ndërlidhjet

Kuvendi shënon përvjetorin e Deklaratës së Pavarësisë më 1990


Foto arkivi e Kuvendit të Kosovës
Foto arkivi e Kuvendit të Kosovës

Tridhjetenjë vjet pasi kishte udhëhequr seancën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 1990, Iljaz Ramajli u ul afër presidentes së sotme të Kosovës, Vjosa Osmani, për të përcjellë seancën solemne të Kuvendit të Kosovës.

Deputetët aktualë të Kosovës u mblodhën të premten në Kuvend, së bashku me shumë ish-delegatë të Kuvendit të Kosovës të vitit 1990, të cilët kishin bërë shpalljen e Deklaratës Kushtetuese, më 2 korrik të vitit 1990.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e cilësoi veprimin e delegatëve të asaj kohe si një ndër më të guximshmit në histori.

“Ky ishte akti më i rëndësishëm e më i guximshëm i përfaqësuesve të popullit qysh pas Konferencës së Bujanit. Pikërisht para dyerve të Kuvendit të sotëm, delegatët e atëhershëm e votuan Deklarataën e 2 korrikut, të cilën e lexoi Muharrem Shabani”, tha Konjufca.

Sipas Konjufcës, delegatët e 2 korrikut ishin “mishëruesit e vërtetë të vullnetit kolektiv të popullit tonë për liri dhe të drejtën e vetëvendosjes”.

Presidentja Vjosa Osmani kujtoi po ashtu guximin dhe vullnetin e 114 delegatëve për ta bërë shpalljen e pavarësisë në atë kohë, kur Kosova gjendej nën okupimin serb.

“Ne kujtojmë jo vetëm një veprim të përgjegjshëm, por edhe një përcaktim të vendosur për një të drejtë historike, të mohuar për dekada të tëra”, tha Osmani.

Ajo përmendi edhe faktin se Kosova sot është e pavarur dhe tha se vullneti i atëhershëm u realizua.

“Sot, Kosova është vend i lirë dhe sovran në kufijtë e 17 shkurtit dhe i tillë do të qëndrojë përgjithmonë, i orientuar qartë drejt integrimit euroatlanik dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Osmani.

Unifikimi i shqiptarëve të Kosovës u pa nga ish-kryetari i Kuvendit, Iljaz Ramajli, si një ndër faktorët kyçë që mundësuan veprimin e delegatëve të atëhershëm.

“Shpalljes së deklaratës i kishte paraparirë unifikimi i plotë i faktorit shqiptar në Kosovë... Shfrytëzoj rastin t’i përkujtoj edhe 39 delegatë që tashmë nuk janë gjallë”, tha ai.

Pas fjalimeve, në Kuvend u transmetua një dokumentar për autorin e Deklaratës Kushtetuese, Gazmend Zajmi.

Delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, më 2 korrik të vitit 1990, miratuan publikisht (para Kuvendit të Kosovës) Deklaratën Kushtetuese, me të cilën Kosova u shpall njësi e veçantë në kuadër të Federatës së atëhershme jugosllave.

Dy muaj pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese, më 7 shtator të vitit 1990, në Kaçanik u miratua Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e njohur si Kushtetuta e Kaçanikut.

XS
SM
MD
LG