Ndërlidhjet

BE-ja planifikon të ndihmojë ushtrinë e Ukrainës


Një ushtar ukrainas. Foto nga arkivi.
Një ushtar ukrainas. Foto nga arkivi.

Bashkimi Evropian (BE) po shqyrton mundësinë e një bashkëpunimi ushtarak me Ukrainën përmes një misioni trajnimi për oficerët e këtij vendi.

Sipas një dokumenti të brendshëm të BE-së ky mision do të krijohej për shkak të "aktiviteteve të vazhdueshme ushtarake" të Rusisë.

Gazeta gjermane Welt am Sonntag, duke cituar dokument të BE-së, tha se disa vende anëtare dëshirojnë që Brukseli të krijojë programin e trajnimit të pavarur të quajtur Misioni Këshillimor dhe Trajnues Ushtarak i BE -së në Ukrainë (EUATM).

"Një mision ushtarak do të afirmonte përkushtimin ndaj vendeve të nismës së Partneritetit Lindor", thuhet në dokument.

Sipas Bashkimit Evropian, ky mision do të ishte edhe shprehje e solidaritetit me Ukrainën përballë aktiviteteve të vazhdueshme ushtarake të Rusisë në zonën kufitare si dhe në rajonin e Krimesë, të cilin Moska e aneksoi në mënyrë të paligjshme.

Përveç krijimit të këtij misioni, Shërbimi i Jashtëm i BE-së po shqyrton edhe opsione tjera për të ndihmuar Ukrainën.

Njëri nga ata është të fuqizojë Misionin Këshillues të Bashkimit Evropian Ukrainë, i cili u krijua në 2014 për të ndihmuar në reformën e sektorit civil të sigurisë.

Ukraina, e cila nuk është anëtare e NATO-s, po synon të ketë lidhje më të ngushta me Perëndimin dhe ushtritë e saj për ta ndihmuar atë të luftojë separatistët e mbështetur nga Rusia në një luftë shtatëvjeçare që ka vrarë më shumë se 13,200 njerëz në lindje të vendit.

Në vitin 2014, Rusia aneksoi Gadishullin e Krimesë të Ukrainës, pak para fillimit të luftës.

XS
SM
MD
LG