Ndërlidhjet

Policia e Kosovës ndalon katër shtetas rusë


Pjesëtarë të Policisë së Kosovës në veri.

Policia e Kosovës ka ndaluar më 15 nëntor katër shtetas rusë për shkak të “kalimit të paautorizuar të kufirit, ose vijës kufitare”.

Në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhet se shtetasit rusë janë ndaluar në afërsi të Leposaviçit derisa përmes një veture të dyshuar të llojit Opel Astra po tentonin të kalonin ilegalisht kufirin.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha i tha Radios Evropa e Lirë se të dyshuarit kishin përdorur rrugë alternative për të hyrë ilegalisht në Kosovë.

Ai nuk dha më shumë detaje për këtë rast, por tha se kjo tani është çështje e Prokurorisë e cila po e trajton rastin dhe ka dhënë urdhër që shtetasit rusë të dërgohen në mbajtje për 48 orë.

Në njoftimin e policisë thuhet se bëhet fjalë për dy burra dhe dy gra.

Më 22 tetor, Kosova kishte urdhëruar dëbimin e dy diplomatëve rusë, duke akuzuar Moskën për aktivitete “destabilizuese”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pati thënë se institucionet e vendit janë të vendosura në luftën kundër ndikimit qëllimkeq të Rusisë dhe “satelitëve të saj në rajon”, të cilët, sipas saj, synojnë rrënimin e arritjeve të Kosovës, Shteteve të Bashkuara, NATO-s, dhe Bashkimit Evropian.

Ambasada e Rusisë në Beograd në reagimin pati thënë se "asnjë vendim i Prishtinës nuk ka fuqi ligjore për Rusinë".

"Ne nuk e njohim pavarësinë e Kosovës, prandaj nuk e njohim Qeverinë e tyre apo strukturat e tjera. Asnjë vendim i Prishtinës nuk ka fuqi ligjore për ne”, pati thënë Ambasada e Rusisë.

Rusia e kundërshton pavarësinë e Kosovës të shpallur më 2008.

XS
SM
MD
LG