Policia e Kosovës hodhi poshtë pretendimet, siç tha, të pabazuara, të Dioqezës së Rashkës dhe Prizrenit të Kishës Ortodokse Serbe (KOS) për "presion, diskriminim apo frikësim të serbëve dhe Kishës" serbe.
“Pretendime të tilla nuk mbështeten në fakte, nuk pasqyrojnë realitetin e veprimtarisë së Policisë së Kosovës dhe krijojnë një perceptim të rremë mbi mandatin, përbërjen dhe mënyrën e funksionimit të institucionit”, tha Policia e Kosovës.
Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit përmes një reagimi më 17 korrik denoncoi ato që i cilësoi si shkelje të bëra nga Policia e Kosovës ndaj serbëve dhe Kishës serbe, duke thënë se Policia është bërë “instrument i presionit që synon t’ua bëjë më të vështirë jetën njerëzve dhe Kishës sonë”.
“Me keqardhje të madhe, ne duhet të themi që raportet mes komunitetit serb dhe Kishës sonë në njërën anë, dhe institucioneve të Kosovës në anën tjetër, veçmas të Policisë së Kosovës, kurrë nuk kanë qenë në nivel më të ulët gjatë gjithë periudhës së pasluftës. Ky përfundim nuk bazohet në një rast të vetëm të izoluar, por në një varg të gjatë veprimesh që nuk mund të arsyetohen në asnjë mënyrë si dështime individuale dhe që, dita-ditës, po marrin gjithnjë e më shumë karakteristikat e diskriminimit sistematik”, tha Dioqeza, sipas të cilës, gjithnjë e më shumë serbë më nuk e shohin Policinë e Kosovës si një urë të besimit, por si “instrument të presionit, kontrolleve selektive dhe frikësimit sistematik”.
Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit përmendi ndalimin e 37 personave gjatë shënimit të Vidovdanit më 28 qershor. Sipas saj, Policia i keqtrajtoi disa nga të ndaluarit, duke përmendur se për këto pretendime Avokati i Popullit i Kosovës ka nisur hetime.
Policia u kundërpërgjigj se për më shumë se një dekadë ka garantuar zhvillimin e sigurt të qindra ceremonive fetare, pelegrinazheve dhe aktiviteteve të Kishës Ortodokse Serbe në të gjithë territorin e Kosovës.
Duke përmendur rastin e Vidovdanit, që u shënua në Gazimestan afër Prishtinës, Policia tha se ceremonia është zhvilluar pa ndërhyrje e pa pengesa nga ana e saj.
“Veprimet policore të ndërmarra pas përfundimit të ceremonisë nuk kanë qenë të drejtuara ndaj besimtarëve, identitetit serb apo riteve fetare. Masat policore janë ndërmarrë vetëm ndaj personave për të cilët kanë ekzistuar dyshime të arsyeshme për sjellje që përbënin elemente të nxitjes së urrejtjes, provokimit ose cenimit të rendit publik”, u tha në reagimin e Policisë së Kosovës.
Pas ndalimit të 37 personave më 28 qershor, në opinion u shfaqën pretendime se personat e ndaluar janë ekspozuar ndaj keqtrajtimit fizik dhe psikologjik nga disa zyrtarë policorë, të cilët, sipas këtyre pretendimeve, i kanë goditur me shuplaka, i kanë rrahur, fyer dhe poshtëruar, si dhe i kanë detyruar të brohorasin “Kosova Republikë”.
Policia e Kosovës tha se akuzat e ngritura nga Dioqeza për diskriminim dhe frikësim të serbëve nuk qëndrojnë, duke përmendur se në përbërjen e saj ka pjesëtarë të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.
“Vetë përbërja shumetnike e Policisë së Kosovës, mekanizmat e mbikëqyrjes civile dhe institucionale, si dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë të sigurisë, përjashtojnë çdo pretendim se Policia e Kosovës vepron mbi baza etnike, fetare apo politike”, u tha në reagimin e Policisë.
Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit u ankua se vitin e fundit ka pasur rritje të incidenteve dhe shkelje të zonave të mbrojtura përreth objekteve fetare.
Sipas këtij institucioni, ka pasur sulme, hyrje me forcë, grabitje dhe akte të përdhosjes ndaj kishave ortodokse serbe, dhe pothuajse “pa përjashtim ato nuk kanë marrë përgjigje efektive nga organet gjyqësore apo policore”.
“Vëmë në pah praktikën shqetësuese të Policisë së Kosovës, e cila është vërejtur edhe në raporte ndërkombëtare, që sulmet ndaj Kishës t’i trajtojë thjesht si dëmtim prone ose vandalizëm, duke fshehur kështu përmasat e dhunës ndërfetare dhe ndëretnike që vazhdon të jetë e pranishme dhe e toleruar në Kosovë”, tha Dioqeza.
Por, Policia u kundërpërgjigj se mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe fetare përbën një “nga përgjegjësitë më të rëndësishme” të saj.
Sipas saj, pas transferimit të përgjegjësive nga KFOR-it, ajo ka përgjegjësinë për të ofruar siguri për objektet e trashëgimisë kulturore dhe fetare, duke shtuar se janë 24 objekte që ruhen 24/7 nga zyrtarët policorë.
Duke iu përgjigjur akuzave për sulmet dhe aktet e tjera në objektet fetare ortodokse, Policia tha se më 2024, kanë qenë 53 raste dhe vetëm 16 prej tyre apo 30 për qind janë evidentuar në objektet ortodokse. Ndërkaq, më 2025 janë evidentuar 10 raste në objekte ortodokse të trashëgimisë kulturore dhe fetare.
“Gjatë periudhës janar-qershor 2026, janë evidentuar 34 raste në: 27 raste ose 79 për qind kanë ndodhur ne objektet myslimane, 5 rast ose 15 për qind në ato ortodokse dhe 2 rast ose 6 për qind ne ato katolike”, tha Policia, duke shtuar se incidentet ndaj objekteve fetare dhe kulturore në pjesën dërrmuese kanë të bëjnë me vjedhje.
Kisha Ortodokse e Kosovës dhe pronat e saj kanë mbrojtje ligjore bazuar në Kosovë, bazuar në Ligjin për Zonat e Veçanta të Mbrojtura.
Ky ligj siguron mbrojtjen e manastireve, kishave dhe vendeve të tjera fetare ortodokse serbe në Kosovë, si dhe mbron vendet e tjera kulturore dhe historike që janë me rëndësi të veçantë për komunitetin serb.
Në reagimin e saj, Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos zvogëlojë praninë diplomatike dhe të sigurisë në Kosovës, pasi tha se për komunitetin serb kjo prani është kyç.
Dioqeza po ashtu tha se çdo reduktim i trupave ndërkombëtare “do të inkurajonte qarqet ekstremiste që të vazhdojnë presionin ndaj popullit serb dhe Kishës”.
NATO ka paralajmëruar se për shkak të përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë nga viti i ardhshëm do të reduktohet numri i pjesëtarëve të KFOR-it.