Ndërlidhjet

Policia nis hetimet për posterët me Radoiçiqin në veri të Kosovës


Pjesëtarë të Policisë së Kosovës në Zubin Potok. Fotografi nga arkivi.
Pjesëtarë të Policisë së Kosovës në Zubin Potok. Fotografi nga arkivi.

Policia e Kosovës ka nisur hetimet për posterët që janë vendosur në veri të Kosovës - në komunën e Leposaviqit dhe të Zubin Potokut - natën mes së shtunës dhe së dielës, në të cilat shihet fotografia e Milan Radoiçiqit me mesazhin “ Kthehu në Kosovë, vëlla - serbët nuk mund të vuajnë më”.

Fillimin e hetimeve e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Megjithëkëtë, të hënën, nuk është parë asnjë poster i tillë në Zubin Potok ose Leposaviq.

Milan Radoiçiqi ishte nënkryetar i partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, Lista Serbe, por dha dorëheqje pasi mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj policisë në fshatin Banjskë, në veri të Kosovës më 24 shtator të vitit të kaluar, ku u vra një polic.

Policia ka bërë të ditur se “persona të panjohur kanë vendosur posterë në muret dhe dritaret e objekteve, si dhe shtyllat elektrike”, dhe se rasti është duke u hetuar.

Kësaj i ka paraprirë ngjitja e afisheve në Leposaviq, me foton e Radoiçiqit me gjak në fytyrë dhe mesazhin “Kush është Radoiçiq? Një patriot i rremë. I dyshuar për vrasje të shumta të serbëve në Kosovë. Pronari i një laboratori droge. Një kriminel që abuzoi me rininë tonë për pasurimin e tij. Terrorist". Në fund të afisheve shkruhej "Thuaj JO organizatës terroriste (Lista Serbe)".

Në lidhje me këtë rast, Policia e Kosovës ka deklaruar se prokurori ka vendosur se nuk ka bazë për hapjen e rastit.

Radoiçiqi është në listën e zezë të SHBA-së për përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar dhe Kosova po e kërkon për frikësim në procedurat gjyqësore, ndërsa Prokuroria e Kosovës e lidh atë me vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq.

Në Kosovë sërish janë ngritur tensionet pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës që nga 1 shkurti valutë e vetme për transaksionet e pagesave do të jetë euro, që nënkupton heqjen e dinarit serb.

Deri më tani, dinarët kanë ardhur në Kosovë nga Serbia përmes Bankës Kombëtare të Serbisë, e cila ka një kasafortë në Leposaviq, një komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës. Dinarët janë përdorur nga Banka Postanske stedionice, NLB Komercijalna banka dhe Kompania Publike Posta e Serbisë.

Ky vendim i Kosovës u kundërshtua nga Serbia, ndërsa bashkësia ndërkombëtare kërkoi shtyrjen e zbatimit të tij me arsyetimin se ekziston shqetësimi se mund të ketë ndikim negativ te serbët e Kosovës.

Po ashtu, më 2 shkurt, në një aksion policor, autoritetet kosovare mbyllën tri komuna në Pejë, Istog dhe Klinë, të cilat funksiononin paralelisht në sistemin serb.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka konfirmuar se më 2 shkurt në një operacion policor janë mbyllur tri komuna në Pejë, Istog dhe Klinë, të cilat kanë funksionuar paralelisht në sistemin serb dhe ka thënë se i vetmi institucion i Serbisë në Kosovë do të jetë ambasada e saj në Prishtinë.

Para kësaj, autoritetet kosovare mbyllën edhe katër komuna paralele serbe që vepronin ilegalisht në rrethin e Dragashit, në jug të Kosovës.

XS
SM
MD
LG