Ndërlidhjet

Prelec: Ndryshimi i kufijve të Serbisë dhe Kosovës eliminon pikën neuralgjike


Marko Prelec

Intervistoi: Biljana Jovićević

Marko Prelec, profesor në Shkollën e politikës publike në Universitetin e Evropës Qendrore, ish-përfaqësues i Grupit ndërkombëtar të krizës për Ballkan (ICG/GNK) dhe bashkëpunëtor i Prokurorisë së Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë, në një intervistë për Radion Evropa e Lirëka thënë se mbështetja e idesë për ndarjen e Kosovës dhe shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, është qëndrim i tij personal, i shprehur në një shkrim për Politico, pas një përvoje shumëvjeçare në Ballkanin Perëndimor.

Ai është i bindur që Perëndimi dhe bashkësia ndërkombëtare, e cila, siç thotë ai, përditë e më shumë po shpërbëhet, nuk do ta kundërshtonin një ide të tillë në rast se Prishtina dhe Beogradi do të pajtoheshin për këtë dhe në qoftë se Serbia e pranon Kosovën si partnere të barabartë.

Ai konsideron se një zgjidhje e tillë do të do të ishte në dobi të të dyja vendeve, por më tepër për Kosovën, për shkak se gjithkush në Prishtinë po “vlon” për shkak të veriut të Kosovës, me të cilin në fakt nuk qeveris. Rusia, gjithashtu, konsideron Prelec, nuk do ta kundërshtonte asnjë gjë që Serbia e pranon. Ai është i bindur që vizatimi i kufijve të ri në Ballkan, nuk do ta krijonte “Kutinë e Pandorës”, sepse askush, madje as Rusia, nuk do ta njihte pavarësinë e Republikës Serbe.

Radio Evropa e Lirë: Në një tekst tuajin në Politico, keni theksuar se Perëndimi do ta përshëndeste ndryshimin e kufijve në Ballkan. Megjithatë, tash për tash, ata që e përfaqësojnë Perëndimin, publikisht flasin ndryshe. Mbi çka e bazoni qëndrimin tuaj?

Marko Prelec: Ky është qëndrimi dhe vlerësimi im personal në bazë të, mbase 20 vjet të punës në Ballkanin Perëndimor dhe ndoshta dhjetë vjetët e fundit në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mund të precizoj vetëm që kur kam punuar për Grupin Ndërkombëtar të Krizave (ICG/GNK), kemi punuar raportet lidhur me këtë çështje dhe kemi biseduar me Qeverinë në Prishtinë dhe Qeverinë në Beograd, me përfaqësuesit e qeverive të atëhershme perëndimore. Pra, bazat janë goxha të thella.

Radio Evropa e Lirë: Bashkimi Evropian, i personifikuar në pamjen më të eksponuar - të paktën deri tash - të kancelares gjermane, Angela Merkel, siç e keni pranuar edhe ju në atë tekst, është fuqishëm kundër kësaj. Gjithashtu edhe Britania, vendosmërisht kundërshton ndryshimin e kufijve. Si mendoni se mund të merret mbështetja për një zgjidhje të tillë?

Marko Prelec: Vetë Bashkimi Evropian, i tillë çfarë është, pra, Komisioni në Bruksel, do të thosha se ka qëndrim neutral drejt atij pozitiv rreth një zgjidhjeje të këtillë. Por, kur bëhet fjalë për Gjermaninë, fillimisht të them se nuk kam njohuri për mendimin e kancelares Merkel dhe Qeverisë gjermane. Mendoj se bëhet fjalë për rezistencën tradicionale ndaj ndryshimit të kufijve në Evropë, pra, në esencë, një qëndrim konservativ. Por, do të befasohesha shumë në qoftë se Gjermania do ta ndalonte një marrëveshje ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Në qoftë se Aleksandar Vuçiq dhe Hashim Thaçi e paraqesin marrëveshjen e tërësishme, pra, bëhet fjalë për njohjen e ndërsjellë, për shkëmbim territoresh, për një varg çështjesh të tjera, anëtarësimin në Kombet e Bashkuara, atëherë jam gati se i sigurt që Gjermania nuk do ta pengonte.

Radio Evropa e Lirë: A janë Shtetet e Bashkuara më të prira ndaj kësaj ideje se sa më parë? Është interesante që dy ditë më parë, për të njëjtën temë e kemi lutur për një koment zotin James Hooper, ish- diplomatin, tash analist dhe ekspert për Ballkanin. Nga kjo intervistë për Radion Evropa e Lirë mua më ka mbetur në mendje fjalia e tij që “populli i Kosovës duhet ta kuptojë mirë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës sot, nuk janë Shtetet e Bashkuara të viteve 1998, 1999 ose 2000 dhe se situata ka ndryshuar”. Si do ta interpretonit ju këtë?

Marko Prelec: Zoti Hooper ka të drejtë dhe mund të thuhet se nuk janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës as ato që ishin në vitin 2015 ose 2016. Nën (Donald) Trumpin, politika e jashtme e Amerikës është, ta themi, e pa kokë. Pra, nuk e ka atë peshën dhe thellësinë që e ka pasur dikur. Ajo që dëgjoj, në qoftë se fare e kanë vëmendjen për çështjen e Ballkanit perëndimor, Departamenti i Shtetit është ngjashëm, ta them, jo kundër këtyre zgjidhjeve.

Radio Evropa e Lirë: Edhe nëse do të mund të arrihej deri te një marrëveshje e tillë për ndarjen e Kosovës, a mendoni që Beogradi dhe Prishtina do të mund të merreshin vesh? Në përgjigjen e pyetjes së parë ju thatë që në bazë të punës suaj të mëparshme, punës shumëvjeçare në Ballkan dhe disa informatave që keni, mendoni që kjo ide do të mund të kalonte...

Marko Prelec: Mendoj se ka shpresë, por ende është e pamundur të thuhet kjo. Ka mjaft çështje, sikurse: sa mund të bëjë presidenti Vuçiq, sa larg mund të shkojë përballë rreth kësaj çështjeje. Natyrisht, kur bëhet fjalë për çështjet e tilla politike që janë kaq emotive dhe delikate, askush nuk do t’i shpalosë letrat e tij hapur. Pra, e gjithë kjo bëhet skajshmërisht në mënyrë sekrete, në rast bëhet vërtet. Pra, ka shpresë, por askush nuk mund të thotë se kjo është gati e zgjidhur.

Radio Evropa e Lirë: Keni thënë që, me gjithë rrezikun, shkëmbimi i territoreve do të mund të jetë në dobi të dy shteteve. Sqarojeni se për çfarë dobie keni menduar?

Marko Prelec: Së pari, do të ishte mirë për, afërsisht 100 mijë njerëz, të cilët banojnë në ato territore, sepse më nuk do të kishte “nën autoritet” dhe shtet, të cilin e urrejnë dhe që për ta nuk ka raport miqësor. Pra, do të fitonin sundimin e ligjit, do të fitonin policinë, në të cilën do të mund të kenë besim, do të fitonin përfaqësues politikë që kanë njëfarë peshe në kryeqytet dhe nuk do të ishin më të margjinalizuar. Pra, kjo është e mirë.

E mirë është, gjithashtu, që një pikë neuralgjike do të hiqej nga rendi i ditës, sepse kjo është më e rëndësishme për Kosovën. Çështja e veriut të Kosovës është diçka, me të cilën secili mund ta ziejë politikën në Prishtinë, përmes faktit që atje, në të vërtetë Kosova nuk qeveris dhe nuk mund të qeverisë në mënyrë efektive, por atje gjithmonë duhet të mbrohet shteti, në rast se më kuptoni se çfarë dua të them. Kjo është diçka që gjithmonë do të jetë ashtu. Mendoj që ideja është që banorët e atjeshëm me të dy duart do ta pranonin idenë se janë banorë të Kosovës dhe se nuk janë më banorë të Serbisë, është thjesht, ëndërr për fëmijët e vegjël.

Radio Evropa e Lirë: Kushtimisht thënë, nëse të dyja palët do të pranonin këtë -dhe ju po thoni që është rrugë e gjatë deri aty - e gjithashtu edhe bashkësia ndërkombëtare, a do të mundte që ndryshimi i kufijve në Ballkan të hapë një “Kuti të Pandorës” të re dhe t’iu japë ide të tjerëve për ndryshim të kufijve? E kemi Milorad Dodikun, i cili pa e fshehur fare, ëndërron për pavarësinë e Republikës Serbe.

Marko Prelec: Mendoj që jo, për shkak se kjo është situatë unike, në të cilën bëhet fjalë për një marrëveshje të mundshme ndërmjet dy palëve. Pra, nuk po flasim për atë që veriu i Kosovës vetë ta shpallë pavarësinë. Këtë mund ta bëjnë nesër, por askush nuk do ta pranojë. Njëjtë edhe Lugina e Preshevës provoi të ikë nga Serbia dhe dështoi para 16 apo 17 vjetësh.

Askush sot nuk do ta njohë pavarësinë e Republikës Serbe. Me sa di unë, thjesht, Serbia që nga rënia e Milosheviqit e deri më sot, asnjëherë nuk e ka kërkuar në mënyrë aktive një gjë të tillë. Në mënyrë preventive, kjo për shkakun se një gjë e tillë do ta çrregullonte skajshmërisht të gjithë kulturën politike dhe të gjitha raportet ndërmjet partive politike brenda vetë Serbisë, madje edhe pushtetin e cilësdo qeveri që qeveris atje. Të mos flasim për atë që kjo do ta shuante çfarëdo shprese të Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Thjesht, nuk mund të bëhet fjalë për diçka të tillë dhe Dodik e di këtë në mënyrë të përkryer.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni që as Rusia nuk do ta pranonte pavarësinë e Republikës Serbe? Dhe, ju lutem të më përgjigjeni edhe në pyetjen tjetër, çfarë mendoni, si do të reagonte në gjithë këtë Rusia, e cila viteve të fundit është një nga lojtarët kyç në Ballkan? E kam fjalën për shkëmbimin e territoreve dhe ndarjen e Kosovës.

Marko Prelec: Me sa di unë, Rusia kundërshton, zyrtarisht dhe jo zyrtarisht, lëkundjen e Bosnjë e Hercegovinës dhe në disa raste, në disa vitet e fundit, ka intervenuar privatisht që ta ftohë retorikën e Milorad Dodikut. Pra, Rusia ka brenda traditës së saj diplomatike dhe sidomos në Ballkan vë çmim të lartë mbi stabilitetin. Pra, ajo çfarë dëshiron Rusia të bëjë, është që ta frenojë anëtarësimin në NATO, pjesërisht ta frenojë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por nuk dëshiron trazira, nuk dëshiron dhunë, nuk dëshiron asgjë që do ta tërhiqte përsëri në territorin e Ballkanit perëndimor një intervenim ushtarak perëndimor. Me sa di, Rusia do ta pranonte këtë: do ta pranonte një marrëveshje, për të cilën po flasim, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Radio Evropa e Lirë: Edhe një herë do t’i kthehem bashkësisë ndërkombëtare, e cila, siç u pajtuam, tash për tash, zyrtarisht flet se është kundër ndarjes së Kosovës dhe shkëmbimit të territoreve. Në qoftë se e ndryshon qëndrimin, a do ta lëkundte kjo besimin në konsistencën e politikës kur bëhet fjalë për Ballkanin, besim ky, i cili viteve të fundit, edhe ashtu te një pjesë e madhe e popullatës në Ballkan, është luhatur?

Marko Prelec: Mendoj që është qenësore të kuptohet kundërshtimi i bashkësisë ndërkombëtare. Në fakt, po flasim për shtete të caktuara dhe nuk po flasim më për të gjithë bashkësinë ndërkombëtare. Bëhet fjalë, së pari, për Gjermaninë dhe një varg shtetesh dhe institucionesh. Ky nuk është kundërshtim për vetë idenë e shkëmbimit të territoreve, por është kundërshtim ndaj besimit që kjo është diçka që Serbia po e shfrytëzon si mashtrim që ta tërheqë Kosovën, që ta pranojë idenë që nuk është shtet i pavarur dhe se përsëri i duhet të niset për bisedime dhe se ato bisedime më pas do të vazhdonin deri në pafundësi. Në fakt, ky është burimi i kundërshtimit.

Në qoftë se Serbia dëshmon në bisedime të sinqerta dhe të hapura me Kosovën, që e pranon Kosovën si partner të barabartë, që pranon dhe është e gatshme që të vendosin diçka “të bardhë mbi të zezë” në letër dhe ta nënshkruajë atë, 90 për qind e kundërshtimeve do të bien.

Radio Evropa e Lirë: Thatë se më nuk mund të flasim për bashkësinë ndërkombëtare si të tillë, por për shtete të caktuara. Një marrëveshje të tillë, megjithatë, do të duhej ta pranonte e gjithë bashkësia ndërkombëtare?

Marko Prelec: Po pra, do të duhej të ndryshohej Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit. Por, sërish, nëse kemi një marrëveshje ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, për një gjë të tillë mund të arrihet lehtë pajtimi. Shteti i vetëm, i cili është në pozitë të pjesshme që ta frenojë këtë, është Kina, e cila ka një rezervë të veçantë ndaj ndryshimit të kufijve, për shkak të arsyeve të veta. Por, nuk besoj që Kina do të dilte që të ekspozohej për një problem evropian, në rast se e menduat këtë.

Radio Evropa e Lirë: Desha vetëm të them atë që e thatë ju, që bashkësia ndërkombëtare më nuk është, të themi, trup i unifikuar, por është i ndarë në zëra të ndryshëm. Por, që një marrëveshje të Serbisë dhe Kosovës dhe gjithçka që pason nga ajo, do të duhej ta pranonte e gjithë bashkësia ndërkombëtare, sepse do të duhej të verifikohej zyrtarisht. M’u duk se menduat se ka pikëvështrime dhe qëndrime të ndryshme në atë që kushtimisht e quajmë Perëndim.

Marko Prelec: Po, mendoj që është fakt që një numër i madh i shteteve, të cilat dikur i kanë përcjellë zhvillimet në Ballkanin perëndimor, këtë nuk e bëjnë më. Pra, shkalla e vëmendjes ka rënë dhe uniteti i bashkësisë ndërkombëtare, dalëngadalë po shpërbëhet. Kjo shihet në faktin që në Uashington, brenda vetë Qeverisë, pak kush e mban vëmendjen lidhur me këtë çështje.

Për sa i përket Kombeve të Bashkuara, mendoj që nuk do të ishte kurrfarë problemi. Është e mundur që vende të caktuara evropiane do të kishin edhe më tej rezerva rreth Kosovës. Mendoj që në qoftë se Serbia e jep “imprimatur”-in e saj (pajtimin zyrtar) për pranimin e Kosovës si kandidat për anëtarësim, pa “nickname” (pseudonim), por Kosova si e tillë, pesë vendet tjera, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, do ta njihnin këtë shtet relativisht shpejt.

Ndërkaq, sa i përket Rusisë, ajo gjithmonë e ka pasur qëndrimin që “çfarëdo që është e pranueshme për Serbinë, ‘de facto’, është e pranueshme edhe për ne” dhe nuk shoh kurrfarë shenjash që një qëndrim i tillë po ndryshon.

Përgatiti: Bekim Bislimi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG