Ndërlidhjet

Erdogan kërkon që Shqipëria të ndërmarrë veprime kundër gylenistëve


Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan duke e përshëndetur kryeministrin shqiptar, Edi Rama. Tiranë, 17 janar 2022.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan duke e përshëndetur kryeministrin shqiptar, Edi Rama. Tiranë, 17 janar 2022.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan tha se popullin turk “e lëndon thellë” fakti që në Shqipëri Lëvizja Hizmet e klerikut, Fetullah Gulen gjen fushëveprim.

Turqia i referohet kësaj lëvizjeje me akronimin FETO dhe të njëjtën e ka shpallur organizatë terroriste.

Për këtë çështje, Erdogan tha se ka diskutuar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama gjatë vizitës së tij në këtë shtet më 17 janar.

“Pritshmëria jonë më e sinqertë është që në periudhën që kemi përpara të merren hapa më konkrete, hapa vendimtare dhe të shpejta kundër strukturimit të FETO-s në Shqipëri”, tha Erdogan gjatë një konference të përbashkët me Ramën.

Më pas, të njëjtën kërkesë ai e bëri gjatë një fjalimi në Kuvendin e Shqipërisë.

“Ashtu si në Turqi, edhe këtu institucionet e lidhura me FETO kanë agjenda të fshehura, prandaj nuk duhet të keni dyshim se ata me të ardhur koha do të zbulojnë fytyrën e vërtetë. Sa më shpejt të shpëtoni nga kjo strukturë helmuese që përbën kërcënim për sigurinë kombëtare. Nëse nuk reagoni në kohë është e pashmangshme që tentativat që kjo strukturë realizoi në Turqi të përsëriten në Shqipëri. Ne e kemi parë dhe kemi paguar një kosto të rëndë. Ne e shohim si detyrë që të paralajmërojmë miqtë tanë. Presim që Shqipëria të marrë masa ndaj FETO dhe të mos lejojë që marrëdhëniet tona të errësohen”, tha Erdogan para Kuvendit të Shqipërisë.

Kërkesë të ngjashme për Kosovën kundër lëvizjes së Gulenit, kishte bërë edhe ministri i Mbrojtjes së Turqisë, Hulusi Akar gjatë një vizite në Kosovë në dhjetorin e vitit 2021.

Ai kishte thënë se kjo lëvizje paraqet rrezik edhe për Kosovën.

Në mars të vitit 2018, Kosova arrestoi dhe dëboi gjashtë shtetas turq, që kishin punuar në shkollën private “Mehmet Akif” në Prishtinë. Dëbimi i tyre është thënë se është bërë përmes një aksioni të koordinuar ndërmjet shërbimeve të inteligjencës nga Turqia dhe Kosova.

Të gjithë të arrestuarit, ndërkohë, janë përballur me procese gjyqësore në Turqi dhe në fund janë dënuar gjithsej me 56 vjet dhe 7 muaj e gjysmë burgim.

Arrestimi dhe dëbimi i tyre janë lëndë e hetimeve edhe në Prokurorinë Speciale të Kosovës, pasi dyshohet se procesi është përcjellë me dhjetëra shkelje.

Shqipëria dhe Turqia thellojnë bashkëpunimin

Ndërkaq, gjatë vizitës së Erdoganit, Shqipëria dhe Turqia nënshkruan shtatë marrëveshje dhe memorandume bashkëpunimi.

Ato përfshijnë pajtueshmërinë mes dy vendeve për thellim bashkëpunimi në fushën e mediave, rinisë e sportit dhe menaxhim të fatkeqësive natyrore.

Në një konferencë të përbashkët, presidenti turk, Erdogan dhe kryeministri shqiptar, Edi Rama thanë se të dy vendet do të thellojnë edhe më shumë bashkëpunimin, veçanërisht në aspektin ekonomik.

Presidenti i Turqisë tha se si një vend anëtar i NATO-s, Turqia “e ka të rëndësishme qetësinë e Ballkanit”.

“Ne jemi anëtar të NATO-s dhe do vazhdojmë të bëjmë detyrat tona siç kemi bërë deri më sot. Në lidhje me Ballkanin, jemi të mendimit se është e rëndësishme qetësia dhe qëndrueshmëria e Ballkanit, ndaj ne do të bëjmë çfarë është e nevojshme për qetësinë e Ballkanit, duke siguruar një të ardhme paqësore, do jemi një nga vendet që e garanton këtë”, tha Erdogan.

Kryeministri Rama tha se është mirënjohës për rolin që Turqia ka pasur për Shqipërinë, por theksoi se “kushdo qoftë në Shqipëri apo BE nuk duhet të shqetësohet për këtë marrëdhënie mes dy vendeve sepse kjo është një marrëdhënie tradicionale”.

Këto komente Rama i bëri në një kohë kur shtetet perëndimore vazhdimisht ngrenë shqetësim për ndikimin turk në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Po e mbyll me një fjali: Në fund të ditës çdo vendimmarrje është për Shqipërinë e shqiptarët, e nuk është as për Turqinë e aspak për të tjerët”, tha Rama.

Më herët gjatë ditës, Erdogan mori pjesë në ceremoninë e dorëzimit të banesave të ndërtuara nga Qeveria turke për personat që mbetën pa strehë, pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019, në qytetin e Laçit.

Presidenti turk përuroi 522 banesat që Turqia ndërtoi në Laç, të cilat u tha se kushtuan afër 42 milionë euro.

Gjatë ceremonisë së dorëzimit të këtyre banesave, Erdogan foli për afërsinë mes dy vendeve dhe “ndjenjën e vëllazërisë” që ato kanë mes vete.

“Duke qenë se edhe populli turk ka përjetuar dhimbje të ngjashme, tërmetet e shtatorit dhe nëntorit lënduan zemrat tona njëlloj si popullit shqiptar. Fakti që Turqia është nga vendet e para që i erdhi në ndihmë Shqipërisë, është dëshmi e qartë e solidaritetit të fortë mes nesh”, tha Erdogan.

Nga Laçi, Erdogan adresoi edhe situatën me pandeminë e koronavirusit, ku tha se shtetet e fuqishme të botës nuk kanë pasur qasje të drejtë ndaj vendeve më të varfra.

“Gjatë pandemisë të gjithë shtetet e mëdha u kyçën dhe mbyllën edhe sytë e tyre, por ne bëmë të kundërtën, dolëm edhe jashtë kufijve për të parë dramat e vëllezërve tanë për t’u qëndruar pranë me çdo mundësi”, tha Erdogan.

Presidenti turk Erdogan vizitën e tij zyrtare njëditore në Shqipëri e mbylli me përurimin e xhamisë së restauruar “Et’hem Beu” në qendër të Tiranës – restaurim që u mundësua nga Qeveria e tij.

XS
SM
MD
LG