Ndërlidhjet

Presidentit italian i kërkohet të mbajë edhe një mandat


Presidenti italian, Sergio Mattarella.

Partitë në pushtet në Itali i kanë kërkuar të shtunën presidentit, Sergio Mattarella që të vazhdojë një mandat të dytë, pasi kanë dështuar që të gjejnë kompromis për një kandidat të ri.

Mattarella, 80-vjeçar, i cili ka thënë më parë se nuk dëshiron të vazhdojë një mandat të dytë, ende nuk ka komentuar zhvillimet e fundit.

Kryeministri italian, Mario Draghi ka folur me Mattarellan të shtunën, duke i thënë se ai duhet të mbajë pozitën e presidentit “për të mirën dhe stabilitetin e këtij shteti”, ka thënë një burim qeveritar.

Ky njoftim ka ardhur pas pesë ditëve të bllokadës në parlament, meqë blloqet kryesore politike nuk kanë arritur pajtueshmëri për një kandidat që do të mund të fitonte shumicën e votave të ligjvënësve.

“Italianët nuk meritojnë më shumë ditë me konfuzion”, ka thënë Matteo Salvini, udhëheqës i Partisë së krahut të djathtë, Liga.

“Të rikonfirmojmë presidentin Mattarella dhe Draghin dhe të kthehemi menjëherë në punë. Problemet e italianëve nuk presin”, ka thënë Salvini.

Presidenti ka rol të rëndësishëm në Itali, sidomos në kohë krizash.

Në mesin e gjërave për të cilat ka pushtet është edhe shpërndarja e legjislaturës në parlament dhe emërimi i ministrave.

Mandati shtatëvjeçar i Mattarelles përfundon në muajin shkurt.

XS
SM
MD
LG