Ndërlidhjet

"PriFilm Fest" ngjall kryeqytetin


Vjosa Berisha
Vjosa Berisha

Festivali "Pri Film" po mbahet në Prishtinë, dhe po shënon dekadën e parë të funksionimit. Në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë, drejtoresha ekzekutive Vjosa Berisha, bëri të ditur se në këtë festival po marrin pjesë njerëz të kulturës nga e gjithë bota, duke shfaqur filma nga më të ndryshëm.

Radio Evropa e Lirë: Ju sivjet festoni dekadën e parë të “PriFest”-it. Çka ofron ky festival?

Vjosa Berisha: Jemi shumë të lumtur që në vitin 2018 ne kemi arritur ta përmbushim një dekadë të festivalit, apo 10-vjetorin e festivalit. Festivali ka filluar menjëherë pas shpalljes së pavarësisë. Atëherë ka qenë një ëndërr e jona që të realizojmë diçka që do t’i ngjasonte qoftë Festivalit të Sarajevës, edhe ta kryente misionin për Kosovën ashtu siç Festivali i Sarajevës e ka bërë për Bosnjën.

Në atë kohë nuk e kemi ditur se çfarë mund të mbërrijmë dhe nuk ka qenë rrugë e lehtë. Por, tash pas dhjetë vjetësh kur kthehemi prapa dhe e shikojmë, është një festival që me të vërtetë ka ofruar shumë. Është festivali i vetëm ndërkombëtar i filmit të metrazhit të gjatë në Kosovë, i cili përveç filmave që sjell, përveç kinemasë evropiane dhe ballkanike që e promovon në Kosovë, përfshirë këtu edhe kinemanë botërore përmes programeve të ndryshme, gjithashtu është i vetmi i cili ka një platformë për zhvillimin e industrisë në vend. Kjo platformë është regjionale, është Priforumi. Priforumi është zhvilluar paralelisht me festivalin gjatë dhjetë vjetëve dhe aty vijnë shumë ekspertë, shumë distributorë të filmave, kompani shitëse të filmit, producentë, ekspertë të fushave të ndryshme dhe gjatë festivalit mbahen edhe seanca të ndryshme, workshop-e, sjellim shumë mysafirë, të cilët mund t’i përkrahin film-bërësit tanë që të zhvillohen më tutje.

Radio Evropa e Lirë: A mund ta specifikoni se cilat vende kanë marrë pjesë?

Vjosa Berisha: Në kuadër të programeve të filmave që i kemi, do të thotë kemi në konkurrencë zyrtare filmat evropianë, ballkanikë, dokumentarë dhe të metrazhit të mesëm. Te filmat evropianë i promovojmë filmat e Evropës. Këtë vit aty e kemi Palestinën dhe Palestina dhe Izraeli hyjnë në kuadër të Evropës në industrinë e filmit. Pastaj kemi film nga Italia, Spanja, Letonia e kështu me radhë.

Kurse, në programin ballkanik kemi film nga Serbia, Bosnja, Maqedonia, Bullgaria, kemi filma edhe nga Turqia, por dhe kemi edhe një numër shumë të madh të filmave nga Kosova, fakt ky që na gëzon shumë. Kurse, te metrazhi i mesëm dhe dokumentari, ata janë të hapur për filmat nga mbarë bota. Aty kemi filma që marrin pjesë edhe prej Afrikës, prej Arabisë, Amerikës e kështu me radhë. Një program tjetër që është shumë i rëndësishëm për ne, të cilin e zhvillojmë tani e pesë vjet, është programi që i promovon filmat e fokusuar apo me temë nga komuniteti LGBT dhe ky program është i rëndësishëm, sepse ne e konsiderojmë si program që e ngrit vetëdijen e audiencës, lidhur me një çështje, e cila patjetër konsiderohet si tabu në vendin tonë dhe ka mungesë të informacionit.

Radio Evropa e Lirë: Për dhjetë vjetët e funksionimit të këtij festivali a ka ndryshuar agjenda e filmave?

Vjosa Berisha: Po, patjetër, festivali ka shkuar duke u rritur. Fillimisht kemi nisur me tri programe, ka qenë programi evropian ballkanik dhe i metrazhit të mesëm. Më pas e kemi shtuar edhe programin dokumentar, mandej kemi shtuar programet jo konkurruese siç janë ato me filma për LGBT, fokusin në shtete të ndryshme, sivjet e kemi shtuar programin e filmave të studentëve dhe të filmave eksperimental.

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë vështirësitë në realizimin e këtij projekti?

Vjosa Berisha: Vështirësitë, çkado që të bësh në Kosovë nuk është e lehtë. Së pari, mungon infrastruktura e mirëfilltë që të zhvillosh një aktivitet të këtij niveli. Si duket ne kur e kemi nisur atë ëndrrën në fillim, e kemi ngritur nivelin shumë lartë të pritjeve , sepse kemi menduar që të bëjmë një festival, i cili do të kishte së paku pamjen e një festivali dinjitoz. Por, edhe kontekstin të cilin e kemi sjellë, mysafirët të cilët i kemi sjellë, kanë pasur një kualitet të jashtëzakonshëm. Kjo, pastaj, normalisht i rrit pritshmërinë, çdo vit pret që të vijë dikush më i madh e më i madh. Është festivali i vetëm, sigurisht që ka sjellë fitues të çmimeve Oskar çdo vit në festival, apo edhe në Kosovë, sepse nuk është e lehtë të sillen këtu.

Ne jemi shumë krenarë për këtë fakt, mirëpo vështirësitë janë të mëdha, infrastruktura, mungesa e fondeve, në njërin aspekt pastaj është problemi edhe i shumë sponsorëve që nuk e kuptojnë shumë rëndësinë se sa ka rëndësi një organizim i tillë për një vend të vogël si Kosova, ku popullata mund të them që është e izoluar. Për shkak të problemit të liberalizimit të vizave, për shkak të shumë çështjeve, ka papunësi të madhe e kështu me radhë. Kështu që kjo është një lloj dritare, është një dritare që ty të ofron ta shohësh botën dhe ta sjellësh botën këtu brenda.

E, për ne,ky është vizioni i cili kemi dashur ta plotësojmë, edhe në anën tjetër krah për krah me QKK-në sigurisht, Ministrinë e Kulturës, kemi dashur ta ndihmojmë edhe industrinë e filmit dhe mendoj që në atë aspekt kemi bërë mjaft. Kështu që, në vështirësi unë them problematika kryesore është infrastruktura, mungesa e të hollave, e fondeve dhe mungesa e fondeve ndërkombëtare.

Për shembull, ne nuk kemi qasje në fondet e medias, kemi tani sivjet në Evropë kreative (sektor në Ministrinë e Kulturës), por ende nuk kemi qasje te fondet e medias, të cilat janë enkas për industrinë e filmit. Do të thotë, i dedikohen kësaj industrie. Kështu që kemi probleme të shumta, e ato probleme reflektohen edhe në organizime të tilla që kërkojnë një angazhim shumë të madh. Janë të nivelit tjetër.

Radio Evropa e Lirë: Sa ju përkrahin institucionet e vendit?

Vjosa Berisha: Ne kemi përkrahje , dhe kemi pasur përkrahje prej vitit të parë nga Ministria e Kulturës, por fatkeqësisht kjo nuk është përkrahje vjetore,të cilën, e dini, prej fillimit se sa të holla do të ndahen dhe aplikon. Por ne duhet të ballafaqohemi me dëshirën e atij ministri që është në pushtet dhe sa ai dëshiron t’i japë këtij eventi. Ai mund të mos ketë ide se çka është ai event , mund të jetë një ministër i cili është krejtësisht i orientuar në politikë dhe nuk përfill kulturën edhe pse zgjidhet si ministër i kulturës.

Ky rast ka qenë para tre vjetësh kur ish-ministri Kujtim Shala, i cili me të vërtetë i bëri dëm kulturës dhe qytetit të Prishtinës falë atyre vendimeve që i mori Ministria duke shuar shumë festivale , derisa ne arritëm të mbijetojmë edhe pse kishim dëme të mëdha. Pra, ne kemi përkrahje, por që kjo varet prapë se kush është në pushtet dhe s’beson në diçka që mund të zhvillohet dhe mund të jetë stabile.

Kemi përkrahje edhe nga Komuna e Prishtinës, edhe pse nuk është e kënaqshme, mirëpo jemi këtu ku jemi dhe nuk kemi çfarë të bëjmë. Ndërkaq, ato të cilat i kemi si sponsor lojal, janë kompanitë e mëdha që na përkrahin, pastaj ambasadat e ndryshme varësisht sa prezantohen shtetet e tyre. Pra, herë marrin pjesë herë jo, pra mund të them se financimi është shumë i paqëndrueshëm.

Radio Evropa e Lirë: Sa jeni të kënaqur me numrin e publikut, që shprehin interesim për t’i parë filmat?

Vjosa Berisha: Ne kemi publik mjaft, sidomos në shfaqjet e filmave në mbrëmje. Te ne nuk e preferojnë shumë kinemanë e ditës, për dallim nga vendet tjera si p.sh. në Berlin në ‘’Berlinale’’, apo edhe në Sarajevë në festivalin e filmit, mund t’i shohësh sallat e filmit gjatë gjithë ditës që shkojnë njerëzit dhe shohin filma. Por, nëse flasim për Sarajevën ata tashmë e kanë edicionin e 25-të , andaj po mendoj se edhe te ne gradualisht do të zhvillohet dëshira për të parë filma në kinema. Në shfaqjet e filmave në mbrëmje ka interesim të madh ka njerëz, dhe jo vetëm prej publikut të rregullt të industrisë së filmit, por edhe të rinj qoftë nga diaspora apo edhe vendi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG