Ndërlidhjet

Prishtina prin me rastet e pickimit nga rriqrat


Ilustrim

Për dallim nga vitet e kaluara kur komunat si, Malisheva, Rahoveci, Suhareka dhe Klina njiheshin si zona endemike me rriqra, por edhe me sëmundje të etheve hemorragjike, këtë vit, kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, është ai që po karakterizohet për kah numri i madh i pickimeve të qytetarëve nga rriqrat.

Pickimet nga rriqrat, sipas përvojës nga e kaluara, kanë përfunduar shpesh edhe me komplikime shëndetësore të përcjella me ethe hemorragjike, krime kongo të cilat në disa raste kanë përfunduar edhe me vdekje.

Sivjet, raste të tilla nuk janë shënuar, por janë raportuar 200 raste të pickimeve.

Vetëm gjatë muajit prill, ndihmë mjekësore nga rriqrat kanë kërkuar 93 persona të cilët janë pickuar nga rriqrat në Komunën e Prishtinës.

Infektologu Sali Ahmeti, i tha Radios Evropa e Lirë se sivjet me gjithë rastet e evidentuara si të dyshuara, nuk ka pasur sëmundje të etheve hemorragjike, krime kongo.

“Në Klinikën infektive kanë kërkuar ndihmë mjekësore nga rriqrat 95 raste dhe kryesisht kanë qenë nga Komuna e Prishtinës. Asnjëri nuk ka pasur shenja të sëmundjes, pra të etheve hemorragjike. Kryesisht këto rriqra i kanë marrë në natyrë dhe prej tyre katër njerëz janë hospitalizuar”, tha Ahemti.

Ndryshe në vitin 2013, në Kosovë kanë humbur jetën 11 persona nga ethet hemorragjike, kurse janë pickuar nga rriqrat 5,200 qytetarë. Më pas, janë ndërmarrë masa ku numri i qytetarëve të pickuar nga rriqrat çdo vit ka rënë.

Në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik kanë thënë se do të përcillet çdo pickim i dyshimtë dhe se do të bëhet diagnostikimi i saktë për të gjitha rastet e sëmundjes.

Isme Humolli, epidemiologe, tha se nga 272 raste që janë lajmëruar nga e gjithë Kosova si të pickuar nga rriqrat, asnjë rast nuk ka rezultuar me sëmundje të etheve hemorragjike.

“Ne si institut bëjmë mbikëqyrjen e pickimit me rriqra dhe situatën epidemiologjike potenciale me ethe hemorragjike krime kongo. Ne që nga muaji shkurt si institut kemi filluar sistemin e mbikëqyrjes. Që nga ajo kohë kanë qenë 272 raste të raportuara nga të gjitha Komunat e Kosovës. Po ashtu janë grumbulluar mostrat e gjakut për shtatë pacientë, por që kanë rezultuar negative”, tha Humolli.

Ndërkaq, Sali Ahmeti tha në anën tjetër se koha kur rriqrat fillojnë të dalin në pah, janë kryesisht muajt nga prilli deri në korrik, duke potencuar faktin se këtë vit Komuna e Prishtinës është ajo që po prinë me raste që po pickohen nga rriqrat.

“Nga Malisheva këtë vit kemi pranuar në Klinikën infektive vetëm një rast, nga Drenasi 4 raste, nga Theranda 1 rast ,Rahoveci 1 rast. Pra, nga vatrat e infeksionit nuk ka pasur raste të shtuara për dallim nga vitet e kaluara”, tha Ahmeti.

Sidoqoftë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, nëpërmjet Ministrisë së Shëndetësisë, bashkë me grupin ndërministror, ku futet edhe Ministria e Bujqësisë, Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mjedisit, ka disa vjet që po zbatojnë planin operacional për parandalimin e sëmundjes së etheve hemorragjike.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG