Ndërlidhjet

SHBA dhe BE sanksionojnë Rusinë për rastin Navalny


Lideri rus i opozitës, Aleksei Navalny.
Lideri rus i opozitës, Aleksei Navalny.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian shpallën sanksione të koordinuara kundër zyrtarëve rusë, të lidhur me helmimin dhe burgosjen e liderit të opozitës, Aleksei Navalny.

Uashingtoni tha të martën se sanksionon shtatë zyrtarë rusë, pasi inteligjenca ka konstatuar “me besim të lartë” se zyrtarët e Shërbimit Federal të Sigurisë në Rusi qëndrojnë pas helmimit të Navalnyt me agjent nervor.

Njoftimi vjen pasi Bashkimi Evropian shpalli sanksione kundër katër zyrtarëve të lartë rusë. SHBA-ja tha se do t’i publikojë më vonë emrat e shtatë individëve të sanksionuar.

Zyrtarë të administratës së presidentit Joe Biden thanë po ashtu se Uashingtoni do të vendosë kufizime eksporti për 14 subjekte të përfshira në prodhimin biologjik dhe kimik, përfshirë nëntë njësi tregtare në Rusi.

“Jemi duke ushtruar autoritetin tonë për të dërguar një sinjal të qartë, se përdorimi i i armëve kimike nga ana e Rusisë, duke shkelur angazhimet e saj ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, ka pasoja të rënda”, tha një zyrtar i lartë i administratës.

“Ne ndajmë vlerësimin e BE-së se Rusia po shkon drejt autoritarizmit”, shtoi ai.

Sanksionet kundër shtatë individëve rusë bllokojnë çdo pronë të tyre në SHBA dhe gjithashtu i ndalojnë individët amerikanë që të bëjnë biznese me ta.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se Moska me siguri se do t'i përgjigjet çdo sanksioni të ri.

“Sigurisht se do të përgjigjemi. Askush nuk e anuloi një prej rregullave të diplomacisë – reciprocitetin”, tha Lavrov në një konferencë shtypi në Moskë.

Sipas dy burimeve evropiane që kanë folur në kushte anonimiteti për agjencinë franceze të lajmeve AFP, emrat e individëve të shënjestruar nga BE-ja do të botohen në gazetën zyrtare të bllokut gjatë ditës.

Burimet konfirmuan raportet e mëparshme se zyrtarët janë: Aleksandr Kalashnikov, administrator federal i burgjeve; Aleksandr Bastrykin, shef i Komitetit Hetues të Rusisë; Igor Krasnov, prokuror i përgjithshëm; dhe Viktor Zolotov, drejtor i Gardës Kombëtare.

Ata katër janë individët e parë që do të shënjestrohen nën regjimin e ri të sanksioneve të të drejtave të njeriut të BE-së, i cili ka hyrë në fuqi në muajin dhjetor.

Navalny është arrestuar në Moskë në janar, menjëherë pasi është kthyer nga Gjermania, ku është shëruar nga helmimi me agjent nervor.

Navalny është helmuar në muajin gusht, në një fluturim drejt Siberisë, ndërsa laboratorë perëndimorë kanë treguar se agjenti i përdorur në sulm ka qenë Noviçok.

Në fillim të shkurtit, një gjykatë në Moskë ka konstatuar se Navlny, gjatë kohës sa ka qenë në Gjermani, ka shkelur dënimin me kusht, të shqiptuar më herët për një rast të përvetësimit të fondeve. Gjykata ka urdhëruar Navalnyn që të shërbejë dy vjet e gjysmë në burg.

Rusia ka mohuar përfshirjen në helmim, por Navalny pretendon se përpjekja për vrasjen e tij është urdhëruar nga presidenti rus, Vladimir Putin.

Ekspertët e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut kanë bërë thirrje të hënën për një hetim ndërkombëtar të rastit Navalny, duke thënë se provat tregojnë për “përfshirjen shumë të mundshme” të zyrtarëve të Qeverisë ruse.

BE-ja ka ndërmarrë disa sanksione kundër Rusisë, pas helmimit të Nalvanyt, vitin e kaluar. Por, ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka lënë incidentin të rrëshqasë pa veprime ndëshkuese.

Në një fjalim të madh për politikën e jashtme në shkurt, Biden ka thënë se e ka paralajmëruar Putinin se ditët kur Shtetet e Bashkuara i kanë tejkaluar “veprimet agresive” të Rusisë, kanë marrë fund.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG