Ndërlidhjet

Shasha: Programi i Qeverisë Kurti, vështirë i zbatueshëm


Kabineti qeverisës i Kosovës. Fotografi nga arkivi.

Instituti i Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK), i ka bërë një analizë programit qeverisës katërvjeçar të prezantuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Drejtori ekzekutiv i këtij Instituti, Demush Shasha, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se plani është mjaft strategjik, i gjithëmbarshëm, por vështirë i realizueshëm brenda katër vjetëve.

Ky program synon të fokusohet në dy prioritete më urgjente: menaxhimin e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, duke synuar që të minimizohen pasojat në shëndetin publik, dhe lehtësimin e pasojave ekonomike dhe sociale të shkaktuara nga pandemia, të cilat kërkojnë mobilizimin e potencialit shtetëror.

Sipas kryeministrit Albin Kurti, prioritet i qeverisë është sigurimi i vaksinave.

Sipas tij, qeveria është e interesuar për debat me opozitën për shkëmbim të mendimeve dhe ideve rreth fakteve të përbashkëta që përmirësojnë jetën e qytetarëve dhe zhvillojnë demokracinë. Ai tha se për shumë çështje, pushteti dhe opozita mund të mos pajtohen, por të provojnë të pajtohen karshi politikës ndaj Serbisë.

Të mërkurën, Kuvendi i Kosovës ka vazhduar seancën plenare për planprogramin qeverisës. Kjo seancë nisi të hënën, më 17 maj.

Demush Shasha thotë se sfidat për ekzekutivin e Kosovës janë të mëdha.

Arritja e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, njohja e Kosovës nga pesë vendet e Bashkimit Evropian dhe hapja e shtegut për anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, vështirë se do të realizohen, thotë Shasha.

Po ashtu, vetting-u për gjykatës e prokurorë dhe nivele të larta të sigurisë, i paraparë në planin e Qeverisë Kurti, nga Shasha konsiderohet i paarritshëm, nëse ky proces nuk do ta ketë përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Shasha, Qeveria e Kosovës ka prezantuar në Kuvendin e Kosovës planprogramin qeverisës katërvjeçar. Ju i keni bërë një analizë këtij programi. Cili është vlerësimi juaj për këtë program?

Demush Shasha: Në përgjithësi, programi parasheh linjat kryesore strategjike të zhvillimit të gjithëmbarshëm të vendit, për katër vjetët e ardhshme. Në përgjithësi programi është mjaft strategjik, për të treguar drejtimin e vendit. Por, njëkohësisht është edhe mjaft konkret, për të kuptuar se çfarë saktësisht do të ndodhë brenda secilës fushë të qeverisjes, në katër vjetët e ardhshme.

Në këtë kuptim, nëse themi se këto janë anët e mira, pozitive, atëherë mund të themi se në anën tjetër, apo në anën e dobët të programit, është fakti se ka tepër shumë zotime, ka tepër shumë masa, ka tepër shumë veprime, të cilat nëse analizohen të gjitha, ngrihen dyshime sesa realisht mund të zbatohen të gjitha këto 165 masa konkrete për katër vjet, në veçanti, nëse kemi parasysh se çdo qeveri për këto dhjetë vjet, asnjëherë nuk ka arritur të përmbushë as për së afërmi programet e tyre qeverisëse. Kjo ndoshta është pika e dobët e programit, që thjesht synon jashtëzakonisht shumë gjëra brenda katër vjetëve.

Radio Evropa e Lirë: Ku i shihni sfidat kryesore?

Demush Shasha: Janë një numër i fushave. Le ta marrim marrëveshjen përfundimtare me Serbinë. Tani bëhen dhjetë vjet të dialogut me Serbinë dhe ende nuk kemi arritur të kemi një marrëveshje përfundimtare. Jo vetëm që nuk kemi arritur marrëveshje përfundimtare, por nuk kemi arritur as të bëjmë një progres të ndjeshëm në normalizimin e marrëdhënieve.

Le ta marrim këtë si sfidë të parë që synon programi ta arrijë, dhe si rezultat, programi thotë se Kosova do të përfitojë njohje nga Serbia, do të fitojë njohje nga pesë vendet mosnjohëse të Bashkimit Evropian dhe do të hapet shtegu për anëtarësim në OKB. Pra, kjo është një sfidë e jashtëzakonshme që e shoh që shumë vështirë mund të bëhet.

Sfida e dytë është sundimi i ligjit. Në kuadër të programit përmendet synimi që të bëhet vetting-u në sistemin e drejtësisë. Këtu shoh sfidë të madhe për zbatimin e vetting-ut, kryesisht për shkak të mungesës, së paku momentale, të interesimit të faktorit ndërkombëtar, për të shtyrë përpara vetting-un. Ne e kemi parë në Shqipëri, faktori ndërkombëtar, respektivisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë qenë në pozitën udhëheqëse të vetting-ut. Pa përkrahjen e SHBA-së dhe BE-së, vetting-u nuk do të bëhej në Shqipëri.

Sfidat tjera janë në rimëkëmbjen ekonomike. Është vështirë të mendosh se ku do të gjinden të gjitha burimet e financimit, për aq shumë reforma që i ka paraparë programi. Një shteg është ngritja e borxhit publik, përmes hyrjes në marrëveshje të reja kreditore, por edhe ajo ka një limit. Në përgjithësi është vështirë për të parë se si do të sigurohet një rimëkëmbje më e shpejtë ekonomike.

Radio Evropa e Lirë: Cila është çështja më e rëndësishme nga programi e cila duhet të zbatohet?

Demush Shasha: E para është të sigurohet, siç thotë edhe programi, vaksinimi i 60 për qind t qytetarëve, deri në fund të këtij viti. Në periudhën afatshkurtër, ky është prioriteti që duhet të sigurohet.

Pastaj, nëse kalojmë në nj periudhë afatmesme apo afatgjatë, patjetër duhet të bëhet progres në sundimin e ligjit. Kosova është vendi i fundit në Ballkan sa i përket kualitetit të sistemit të drejtësisë. Është një faktor që vazhdon të pengojë liberalizimin e vizave, qoftë afirmimin e Kosovës në skenën ndërkombëtare. Patjetër në të njëjtin drejtim, prioritet duhet t’i jepet edhe asaj që gjithë komuniteti ndërkombëtar kërkon nga Kosova dhe Serbia, dhe ajo është avancimi i dialogut me Serbinë, respektivisht arritja e marrëveshjeje përfundimtare.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG