Katër persona, përfshirë zyrtarë, janë arrestuar të hënën gjatë një aksioni policor në Prishtinë, nën dyshimin për dallavere në lëshimin e lejeve për armë, njoftuan autoritetet.
Prokuroria Themelorë në Prishtinë tha se në mesin e të arrestuarve janë dy zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, të cilët dyshohen se kishin lëshuar certifikata për armëmbajtje duke i shpërfillur procedurat ligjore.
Dy zyrtarët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Ministria e Punëve të Brendshme tha më vonë në një reagim se e “mirëpret” aksionin ku u kapën dy prej të zyrtarëve të saj.
Ajo u zotua se “nuk do të tolerojë asnjë formë të keqpërdorimit të detyrës zyrtare apo përfshirjes në aktivitete të paligjshme nga cilido zyrtar i saj”.
Ndërsa, dy të arrestuarit e tjerë dyshohen për pranim të ryshfetit në sektorin privat, thuhet në njoftim.
Që të katër të arrestuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, pasi u morën në pyetje në prani të avokatit mbrojtës.
Policia e Kosovës theksoi se ata “kanë marrë ryshfet nga persona të ndryshëm të cilët janë pajisur me certifikatë për leje të armës pa prezencën e tyre, siç e parasheh ligji dhe procedurat tjera vijuese”.
Betimi për Drejtësi, medium i specializuar për raportime në fushën e drejtësisë, ishte i parë që raportoi për këtë rast.
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsioni kreu bastisje në katër lokacione të ndryshme, duke përfshirë dy shtëpi apo banesa private, një lokal afarist dhe një zyrë, tha Policia.
Ajo tha se gjatë bastisjeve janë sekuestruar përkohësisht shtatë telefona celularë, dosje dhe dokumente relevante në lidhje me rastin.
Ministria e Punëve të Brendshme është organ mbikëqyrës për procesin e lëshimit të lejeve për armë në Kosovë.
Ligji për armë në Kosovë parasheh se kush dhe nën çfarë kushtesh mund të pajisjet me armë zjarri. Përveç personave fizikë, leje për armë ka edhe për kompani private.
Ligjet në Kosovë po ashtu parashohin dënim me burgim dhe gjoba për këdo që posedon armë pa leje.