Ndërlidhjet

Dhunë mes policisë dhe protestuesve në Tiranë


Protesta në Tiranë, foto nga arkivi.
Protesta në Tiranë, foto nga arkivi.

Dhjetëra policë dhe qytetarë kanë mbetur të lënduar, kur protestuesit janë përplasur me Policinë e Shtetit në Tiranë gjatë protestës të organizuar nga opozita e Shqipërisë, e cila mblodhi mijëra qytetarë nga gjithë Shqipëria me qëllim rrëzimin e Qeverisë aktuale. Rreth 100 persona janë shoqëruar në polici përgjatë më shumë se 6 orëve protestim në pika të ndryshme të kryeqytetit.

Turma e protestuesve ka hedhur shishe molotovi në drejtim të Kryeministrisë dhe ndërtesës së Kryesisë së Kuvendit. Ata, në drejtim të këtyre ndërtesave hodhën edhe mjete të forta dhe ngjyrë të zezë.

Policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën dhe vazhdimisht u ka bërë thirrje që të largohen dhe mos të dëmtojnë pronën publike.

Më pas, protesta u zhvendos te ndërtesa e Kuvendit të Shqipërisë, ku përsëri hodhën shishe të shumta molotovi dhe fishekzjarrë në drejtim të ndërtesës dhe kordonit të policisë.

Forcat e ndërhyrjes së shpejtë kanë përdorur gazin lotsjellës dhe autobote uji për të larguar protestuesit e dhunshëm. Ata kanë bllokuar rrugët kryesore të kryeqytetit për të përmbajtur protestuesit të cilët vazhduar të hedhin gurë e mjete tjera të forta në drejtim të policisë.

Në orët e vona të mbrëmjes përplasjet vazhduan edhe para Drejtorisë së Policisë, pas arrestimit të sekretarit organizativ të Partisë Demokratike, Sahit Dollapi. Dhjetëra protestues të maskuar hodhën pllaka dhe gurë ndaj policisë, duke kërkuar lirimin e zotit Dollapi. Policia u kundërpërgjigj me ujë dhe gaz lotsjellës.

Për përshkallëzimin e situatës gjatë protestës ka reaguar presidenti Ilir Meta, i cili iu ka bërë thirrje palëve të ruajnë qetësinë.

“Presidenti i Republikës Ilir Meta është duke ndjekur me shumë shqetësim protestën e opozitës dhe u kërkon të gjithëve të ruajnë qetësinë, të evitojnë aktet e dhunës dhe konfrontimet, që mund të shkaktojnë lëndime në njerëz dhe dëme ndaj institucioneve”, thuhet në një deklaratë të shkurtër për media nga Presidenca e Shqipërisë.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pas mesnatës iu drejtua protestuesve dhe u bëri thirrje mbështetësve të tij që të vazhdojnë protestën deri në dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

“Beteja do të vazhdojë deri sa t’i japim fund politikës së lidhur me krimin, deri sa ta çlirojmë Tiranën dhe Shqipërinë nga Qeveria e lidhur me krimin”, tha Basha.

Monika Kryemadhi, kryetare e Lidhjes Socialiste për Integrim, tha se “as dhuna fizike, as gazi helmues, as deklaratat e sponsorizuara në mbrojtje të saj nuk mund të mposhtë qëndresën e qytetarëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Për një Shqipëri demokratike dhe evropiane”.

Kryeministri Edi Rama reagoi për protestën e opozitës, duke thënë se zjarri ndaj Kryeministrisë nuk i bën dëm aspak Qeverisë, por i bën shumë dëm Shqipërisë.

Edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka dënuar dhunën e pranishme gjatë protestës.

“Objektivi i deklaruar i opozitës për ta bërë demokracinë e Shqipërisë më të fortë shkon kundër dhunës që është duke u ushtruar nga protestuesit. Dhuna është thelbësisht jodemokratike dhe duhet të ndalojë. Drejtuesit e protestës kanë përgjegjësinë të nxisin qetësi. Iu bëjmë thirrje të gjitha palëve që të tregojnë vetëpërmbajtje”, thuhet në deklaratën e Ambasadës.

Prezenca e organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europe (OSBE) në Shqipëri po ashtu ka reaguar duke dënuar dhunën dhe duke kërkuar mbajtje të përgjegjësisë nga organizatorët e protestës.

“Organizatorët e protestës së mbrëmjes të sotme duhet të mbajnë përgjegjësinë politike për dhunën kriminale të ushtruar nga disa prej ndjekësit e tyre. Mendimet tona shkojnë me familjet e të plagosurve. OSBE-ja do të vijojë të nxisë opozitarizmin efikas dhe dialogun në Shqipëri. Por ne i dënojmë plotësisht ata që përpiqen të përdorin dhunën si një rrugë të shkurtër politike; ata do të dështojnë”, thuhet në njoftimin e OSBE-së.

Kjo është protesta e katërt kombëtare që nga 16 shkurti kur partitë opozitare Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim u larguan nga Parlamenti duke hequr dorë nga mandatet e tyre si deputetë në Kuvend. Protesta të tjera më të vogla organizohen nga opozita pothuajse çdo javë nëpër gjithë vendin.

Opozita kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore që garanton organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ajo ka vendosur të bojkotojë dhe zgjedhjet lokale të 30 qershorit, duke kërcënuar se nuk do të lejojë mbajtjen e tyre.

Në anën tjetër, Qeveria në krye me Edi Ramën ka thënë se zgjedhjet vendore do të zhvillohen në datën e caktuar dhe më 30 qershor qytetarët do të zgjedhin kryebashkiakët e tyre.

Qeveria e Shqipërisë po ashtu ka thënë se këto protesta do të dëmtojnë çeljen e bisedimeve të vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Këto bisedime pritet të fillojnë në muajin qershor të këtij viti.

XS
SM
MD
LG