Studentët mbajnë 15 minuta heshtje
Studentët kanë mbajtur 15 minuta heshtje në disa pjesë të Beogradit, si shenjë përkujtimi për 15 viktimat e Novi Sadit.
Ky akt përsëritet çdo ditë nëpër Serbi në orën 11:52 - kohën e saktë kur është rrëzuar streha prej betoni në stacionin hekurudhor në Novi Sad.
Daçiq: 13 persona janë ndaluar gjatë natës
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë për Radiotelevizionin e Serbisë (RTS) se janë regjistruar disa incidente në Beograd përgjatë natës, dhe që 13 persona janë ndaluar.
“Disa janë ndaluar për prishje të rendit publik. Të gjitha këto incidente janë drejtuar kah Parku i Pionierit. Shumica e traktorëve janë dëmtuar. Ka pasur tentime për t’ua vënë zjarrin traktorëve”, ka thënë Daçiq.
Rreth 10 ditë para protestës, një grup i quajtur “Studentët 2.0” është mbledhur në Parkun e Pionierit në Beograd, duke kërkuar që t’iu jepet fund bllokadave në fakultete.
Ata e quajnë veten “studentët që duan të mësojnë”.
Disa e fajësojnë partinë në pushtet të presidentit serb, Aleksndar Vuçiq, Partinë Përparimtare Serbe se qëndron mbrapa protestave të studentëve që janë mbledhur në park.
Pezullohet transporti publik në Beograd
Të gjitha mjetet transportuese të kompanisë së transportit të qytetit të Beogradit janë tërhequr nëpër garazhet e tyre prej mëngjesit të së shtunës, dhe nuk do të operojnë gjatë ditës.
Përveç tyre edhe linjat private të transportit nuk janë duke operuar prej pasdites të së premtes.
Numër i madh i forcave policore në qendër të Beogradit
Një gazetar i Radios Evropa e Lirë raporton se një numër i madh i forcave policore dhe xhandarmërisë janë angazhuar në qendër të Beogradit, para nisjes së protestës së thirrur nga studentët.