Ndërlidhjet

Protestë e dhimbje për nënën dhe vajzën e vrarë


Ilustrim
Ilustrim

Familjarët kanë akuzuar organet e rendit se kanë dështuar t’i mbrojnë të afërmit e tyre kur një burrë 43 vjeç me armë automatike vrau të martën në fshatin Brekoc të komunës së Gjakovës, ish-gruan e tij 40- vjeçare dhe vajzën e tij 9 vjeçe.

Sipas familjarëve, gruaja e kishte paralajmëruar policinë se ajo ishte kërcënuar nga ish-bashkëshorti.

Në një marsh protestues në Gjakovë, të organizuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës, është kërkuar përgjegjësi nga institucionet përgjegjëse për këtë dhe rastet tjera të dhunës në familje.

Pjesëmarrës në këtë marsh kanë qenë familjarë si dhe fëmijët e viktimës.

Shkelzen Marku, vëllai i viktimës Valbona Marku-Nrecaj, ka fajësuar shtetin për mosmbrojtjen e motrës së tij nga i dyshuari Pjetër Nrecaj.

“Pikërisht atë ditë, personalisht kam kërkuar mbrojtje për motrën, kam qenë në Polici katër orë. Reagimi i tyre ka qenë zero. Kanë thënë se nuk kemi prova të mjaftueshme. Kam paralajmëruar se personi i dyshuar për vrasje ka armë në makinë dhe se asnjëherë nuk ka udhëtuar pa kallashnikov. Ky është shteti që kemi”, ka thënë Marku.

Ndërkohë, në një konferencë për media, zyrtarë të Policisë së Kosovës, kanë thënë se “në ditën kritike, viktima nuk ka kërkuar urdhër mbrojtje”

Megjithatë, drejtori i Drejtorisë së Policisë Rajonale të Gjakovës, Ahmet Hasi, tregoi se po në ditën kritike viktima vetëm ka njoftuar se është kërcënuar me anë të një mesazhi në telefon nga ish-bashkëshorti.

“Bazuar në deklaratën e viktimës, në koordinim dhe bashkëpunim më Prokurorinë e Shtetit, është hapur rasti kanosje. Policia menjëherë ka filluar masat për kërkimin, respektivisht arrestimin e të dyshuarit,duke kërkuar fillimisht në shtëpinë e tij dhe lokacione tjera ku zyrtarë policorë kanë pasur informacione që mund të gjendet i dyshuari në fjalë. Në pamundësi të gjetjes dhe arrestimit të tij, është provuar disa herë të kontaktohet edhe në telefonin e tij, por pa sukses”, ka deklaruar Hasi.

Të premten Gjykata Themelore në Gjakovë i ka caktuar masën e paraburgimitprej 30 ditësh të pandehurit Pjetër Nrecaj, i dyshuar për vrasjen e dyfishtë në Gjakovë.

Ndryshe, me kërkesë të kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, Inspektorati Policor i Kosovës ka filluar hetimet ndaj policëve për të parë nëse ka pasur lëshime në rastin e vrasjes që ka ndodhur ditën e martë kur një burrë vrau gruan dhe vajzën e tij.

Ndaj vrasjes së nënës dhe bijës, gjatë marshit protestues në Gjakovë ka reaguar edhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Ajo ka thënë se gratë në Kosovë, përveç që nuk janë të sigurta në punë dhe shkollë, tash s’kanë siguri as në familjet e tyre.

“Kriminaliteti i Pjetër Ndrecaj dhe burrave tjerë që mbysin gratë mundësohet nga një sistem i tërë që ka rrënjët në pabarazi dhe diskriminim. Një sistemi që është i paaftë dhe i papërkushtuar për të adresuar seriozisht shqetësimet, kërcënimet, paralajmërimet e shumta të grave për dhunën, që ato i nënshtrohen në mënyrë të vazhdueshme”, është shprehur Jahjaga

Ndaj vrasjes së dyfishtë në Gjakovë kanë reaguar edhe organizata për të drejtat e njeriut, dhe institucionet vendore dhe ndërkombëtare.

Ndryshe, sipas të dhënave zyrtare, vetëm vitin e kaluar janë shënuar 962 raste të dhunës në familje, ku viktima kanë qenë kryesisht gratë.

XS
SM
MD
LG