Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Dhuna ndaj fëmijëve dhe keqtrajtimi psikik i tyre paraqet problem global, si rrjedhojë e jetës dinamike të prindërve, ka thënë Benxhamin Perks, përfaqësuesi i UNICEF-it në Maqedoni. Mirëpo, sipas tij, shteti është i obliguar të ndërtojë mekanizma që të ulë shkallën e dhunës ndaj fëmijëve, duke kujtuar rastin e Suedisë. Këto komente ai i bëri në kuadër të prezantimit të studimit për mekanizma institucionalë për mbrojtje të fëmijëve nga dhuna, ku të pranishëm ishin drejtues dikasteresh si ai i Punës dhe Politikës Sociale, Arsimit, Shëndetësisë dhe Punëve të Brendshme.

Në bazë të një hulumtimi të realizuar nga Fondacioni për Fëmijë i Kombeve të Bashkuara, UNICEF, në Shkup, ka dalë në pah se më shumë se 79 për qind e prindërve, si masë për t’i disiplinuar fëmijët e tyre, kanë përdorur së paku një herë në jetë dhunë fizike apo metoda të ndryshme të trysnisë psikike ndaj fëmijëve të tyre.

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Caroska, gjatë prezantimit të studimit tha se dhuna që ushtrojnë prindërit ndaj fëmijëve jo rrallë ndodh dhe në vende publike dhe kjo, u shpreh ajo, lë pasoja të rënda në zhvillimin psikofizik të gjeneratave më të reja.

“Kjo nuk është dhunë ekstreme, por kjo është dhunë që lë pasoja mbi çdo fëmijë dhe në këtë [drejtim] duhet të punojmë. Të gjithë ne së bashku ta ngremë ndërgjegjen publike, se me dhunë i bëjmë dëm fëmijës, por i bëjmë dëm edhe gjithë shoqërisë, për shkak se me këtë krijojmë kulturë të dhunshme të sjelljes”, tha Carovska.

Pamje në Shkup
Pamje në Shkup

Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë, Oliver Spasovski, bëri të ditur se gjatë vitit të kaluar janë denoncuar 903 vepra penale që kanë të bëjnë me dhunën në familje, me ç`rast janë evidentuar 976 viktima të dhunës në familje, prej të cilave 2 të tretat janë gra.

Spasoski tha se vitin e kaluar janë regjistruar 90 raste përkatësisht 90 fëmijë që kanë qenë viktima të dhunës në familje.

Këto statistika, ministrja e Arsimit e Maqedonisë, Renata Deskoska, i quajti si shumë alarmante. Sipas saj, përmes një programi kombëtar do të synohet edukimi i prindërve po edhe vetë fëmijëve që të denoncojnë dhunë dhe jo atë ta marrin si fakt të mirëqenë, sepse rrahjet e fëmijëve nga ana e prindërve, por edhe mësimdhënësve, ende shihen si mjet pedagogjik.

“Në propozim-ligjin për arsim fillor, i cili tanimë është në fazën e shqyrtimit publik si Ministri e Arsimit kemi paraparë më shumë programe për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna. Programe për parandalimin nga diskriminimi si dhe programe për eliminimin e sjelljeve devijonte përmes procesit edukativo-arsimor”, theksoi Deskoska.

Nga ana tjetër, Elena Dimushoska nga Rrjeti kombëtarë kundër dhunës ndaj femrave dhe dhunës në familje, tha se në Maqedoni, edhe pse ka shumë adresa ku mund të raportohet përkatësisht të denoncohet dhuna, ajo mbetet mes katër mureve.

Dimushoska si shumë shqetësuese e cilëson faktin se organet e shëndetësisë nuk kanë komunikim me organet e sigurisë edhe në raste ku ata mjekojnë plagë nga dhuna fizike e shkaktuar te fëmijët.

“Nga anketat që kemi realizuar me 90 pediatër apo mjekë familjarë si shumë shqetësuese ishte fakti se ata kanë deklaruar se edhe në ato raste kur kanë konstatuar se fëmija përkatësisht pacienti i tyre në moshë minore ka marrë plagë si rrjedhojë e dhunës në familje, ata asnjëherë këto raste nuk i kanë denoncuar në organet e sigurisë, përpos që kanë sugjeruar në rastin konkret që këtë ta bëj nëna, që realisht prindërit nuk shkojnë në polici, por në të shumtën e rasteve ata synojnë ta sanojnë problemin po jo ta zgjidhin në esencë”, tha Dimushovska.

Organizatat joqeveritare thanë se lufta kundër dhunës në familje i ngjason siç u shprehën “luftës me erën”, përderisa në nivel kombëtar, ende nuk ka qendra të specializuara të instaluara në shumë qytete të Maqedonisë për ofrimin e ndihmës afatgjate dhe mbështetjes së viktimave të dhunës familjare. Ata thonë se ky problem duhet trajtuar me shumë seriozitet sepse sic theksojnë fëmijët që mësohen të rriten me dhunë të nesërmen praktika ka tregua se ata në pjesën më të madhe të rasteve shndërrohen në dhunues.

Facebook Forum

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG