Ndërlidhjet

Pas fitores së betejës gjyqësore, Telekomi përgatitet për privatizim


Posta dhe Telekomi i Kosovës

Qeveria e Kosovës ka fituar betejën ligjore në Gjykatën e Arbitrazhit kundër kompanisë ‘Axos-Capital’, e cila kërkonte dëmshpërblim qindra miliona euro për anulimin e privatizimit të 75 për qind të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, duke shtuar se edhe shpenzimet e procesit do të paguhen nga kompania ‘Axos’.

“Tribunali i Arbitrazhit ka vendosur në favor të Kosovës për rastin e privatizimit të Telekomit të Kosovës duke obliguar ‘Axos’-in, t'i paguajë të gjitha shpenzimet e gjithë këtij procesi me një vlerë prej rreth 2 milionë dollarësh".

"Më në fund, Kosova në këtë rast triumfoi pasi që me të vërtetë ka qenë një ngarkesë e tepërt, duke mos lejuar zhvillimin e Telekomit, mirëpo as tërheqjen e investitorëve të huaj, në rast të privatizimit të Telekomit”, ka thënë Lluka për Radion Evropa e Lirë.

Edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka uruar, siç ka thënë ai, fitoren e shtetit të Kosovës në Gjykatën e Arbitrazhit kundër kompanisë ‘Axos’.

Në një postim në rrjetin facebook, presidenti Thaçi ka shkruar se “Kosova gjithmonë do t’i mirëpresë investimet e huaja, por asnjëherë nuk lejojmë të keqpërdoret si shtet. E drejta dhe të gjitha argumentet në rastin e padisë së ‘Axos-it’ ishin në favorin tonë”, ka shkruar ai.

Kompania ‘Axos – Capital’ kishte bërë padi në adresë të Qeverisë së Kosovës, për arsye, siç thuhej, të moszbatimit të kontratës së privatizimit të Postë-Telekomit të Kosovës.

Në vitin 2013, Qeveria e Kosovës kishte shpallur fituese në blerjen e 75 për qind të aksioneve të PTK-së kompaninë ‘Axos – Capital’ me një vlerë prej 277 milionë eurosh.

Por, ky proces kishte mbetur i papërfunduar për shkak të mospajtimeve në Kuvendin e Kosovës, çka ishte pasuar me padinë e ‘Axos’-it ndaj Qeverisë së Kosovës.

Aktualisht, Telekomi i Kosovës gjendet në krizë të thellë financiare dhe rrezikon të falimentojë, pasi borxhi i akumuluar ka arritur shifrën e 60 milionë eurove.

Por, vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit, sipas ministrit Lluka, do të lehtësojë të ardhmen e Telekomit, në mënyrë që të fillohet procesi i përgatitjes për privatizim.

Ndërtesa e PTK-së
Ndërtesa e PTK-së

Ai tha se një nga pengesat e deritashme për përgatitjen e procesit të privatizimit të Telekomit, ka qenë kontesti në mes kompanisë ‘Axos’ dhe Qeverisë së Kosovës dhe nevoja për një ristrukturim në zvogëlimin e shpenzimeve në këtë kompani.

“Tashmë pengesa e parë përfundoi, kurse e dyta është në proces e sipër. Me bordin kemi qenë në bisedime. Anëtarët e Bordit kanë ardhur me disa propozime për ristrukturim të Telekomit, të cilat jemi duke i shikuar dhe besoj se shumë shpejt do të marrim vendime si Qeveri në zvogëlimin e shpenzimeve në këtë kompani, për të plotësuar edhe kushtin e dytë”, ka theksuar Lluka.

Ndryshe, ekspertë për çështje ekonomike e kanë quajtur proces të vështirë rimëkëmbjen e Telekomit të Kosovës. Eksperti i ekonomisë, Ismail Kastrati, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se menaxhimi jo i mirë, e ka sjellë këtë kompani para falimentimit.

“Vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit e shpëton PTK-në nga një ngarkesë shtesë financiare. Por, Telekomi është para falimentimit me numër të madh të punëtorëve, me nepotizëm dhe klientelizëm. Fitimet e kësaj kompanie nuk janë investuar në teknologji bashkëkohore. Kështu që, aktualisht është vështirë për të ringjallur dhe rifreskuar Telekomin”, ka thënë Kastrati.

Sidoqoftë, synimi i Qeverisë së Kosovës është që procesi i privatizimit të Telekomin të fillojë pas dy vjetëve.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG