Ndërlidhjet

Qeveria i kërkon Kuvendit seancë urgjente për Demarkacionin


Pamje nga një mbledhje e mëparshme e Qeverisë

Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin, siç është thënë, të ndryshuar dhe plotësuar, për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Këtij projektligji i është shtuar edhe deklarata e dy presidentëve, të Kosovës dhe Malit të Zi, Hashim Thaçi dhe Filip Vujanoviq.

Pas miratimit të projektligjit nga ekzekutivi, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka theksuar se në emër të Qeverisë së vendit do të kërkojë seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar dhe për të votuar ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.

“Ekziston një vullnet i madh që kjo të ndodhë sa më shpejt. Ka pasur kërkesa që kjo të ndodhë nesër. Për shkak të konsultimeve, që janë ende në vazhdim, në mes të grupeve parlamentare, të deputetëve, propozoj që kjo të ndodhë pasnesër, në orën 10. Edhe për këtë kemi bërë konsultime ndërinstitucionale që ta shtyjmë mbajtjen e seancës, jo nesër, por pasnesër. Shpresoj që pasnesër do të jemi unik dhe do ta kemi një përkrahje, po e quaj maksimale për këtë vendim kaq të rëndësishëm për qytetarët e Kosovës”, tha Haradinaj.

Ai ka shtuar se kërkesën për seancë do ta bëjë menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së Qeverisë.

Për ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, nevojiten dy të tretat e votave të tërësishme të deputetëve të Kuvendit, pra, 80 nga 120 sosh. Vullnetin për ratifikim të kësaj marrëveshjeje e kanë shprehur partitë shqiptare në pushtet, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën. Lista Serbe, si partner i koalicionit qeverisës, ende nuk e ka bërë zyrtarisht të ditur qëndrimin e saj.

Kryeministri Haradinaj, më herët ka theksuar se në mbledhjen e Qeverisë kanë qenë të pranishëm edhe zyrtarët nga Lista Serbe, por ai nuk ka sqaruar nëse ky partner i koalicionit është pajtuar të votojë pozitivisht për Marrëveshjen për demarkacionin.

“Kjo ishte shumë shenjë e mirë që ishin në takimin e Qeverisë. Zakonisht, për disa tema të ndjeshme, e keni vërejtur se kanë munguar. Ta shohim. Kemi kohë dhe nuk mund ta precizoj”, tha Haradinaj.

Në rast se Marrëveshja për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, ratifikohet brenda kësaj jave, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës kanë theksuar se mund t’i arrijnë afatet kohore, për të hyrë në agjendën e institucioneve të Bashkimit Evropian, në mënyrë që gjatë këtij viti të arrihet një rezultat konkret lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën.

Megjithatë, përveç ratifikimit të Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, Kosova duhet ta përmbushë edhe kushtin për sundimin e ligjit dhe rezultatet konkrete në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ministrja e Integrimeve Evropiane e Qeverisë së Kosovës, Dhurata Hoxha, thotë se që nga viti 2015 kur Kosova ka qenë pozitivisht e vlerësuar lidhur me këtë kusht, trendi i njëjtë i përparimit në këtë fushë, sipas saj ka vazhduar edhe në vitet që pasuan.

“Nëse e shohim raportin në vitin 2016, në vitin 2017 dhe tani në dy muajt e fundit, ka një progres të vazhdueshëm. Kuptohet që ne jemi në vazhdimësi duke raportuar, sepse çdo muaj raportojmë për këtë kusht dhe besoj që sa i përket çështjes për liberalizim të vizave, është bërë një progres shumë i mirë”, ka thënë ministrja Hoxha.

Sidoqoftë, autoritetet e Kosovës po bëjnë përpjekje që ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, të ndodhë brenda kësaj jave, në mënyrë që ta dorëzojnë raportin tek institucionet përkatëse evropiane, për të hyrë në agjendën e mbledhjes së Këshillit Evropian, e cila pritet të mbahet në javën e parë të muajit mars.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG