Ndërlidhjet

Qindra pacientë presin korridoreve të ftohta për vizita mjekësore


QKUK, foto nga arkivi

Me qindra pacientë gjatë ditës presin për vizita ambulantore specialistike, të cilat kryhen brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Por, hapësirat ku qindra pacientë në ditë marrin këto shërbime, janë të improvizuara në bodrumin e njërës prej klinikave të Qendrës. Në këto hapësira, sipas mjekëve, bën ftohtë, e madje ato shpeshherë kaplohen nga ujërat e zeza.

Blerim Morina, 34 vjeç, thotë se tash e dy orë është duke pritur në radhë për të kryer një kontroll mjekësore për neurologji. Ai thotë se pritjet janë mjaft të gjata, por nuk ka zgjidhje tjetër.

“Jemi duke pritur qe dy orë për një kontroll specialistike kirurgjike. Nuk kemi zgjidhje tjetër, po që se duhet të pres edhe pesë ore”, thotë ai.

Pacientët duke pritur për vizita mjekësore
Pacientët duke pritur për vizita mjekësore

Ndërkaq, Kaltrina Gashi, ka ardhur nga qyteti i Podujevës për të zënë radhët për vizitë mjekësore.

“Unë jam duke pritur qe gjysmë ore. Nuk e di kur më vjen radha. Kam ardhur vonë, jo shumë herët në mëngjes, pasi që vi nga një qytet tjetër dhe tashmë shumica e njerëzve i paskan kryer vizitat”, thotë ajo.

Shqiptar Demaçi, kirurg torakal, tha për Radion Evropa e Lirë se kushtet në këto hapësira janë shumë të vështira. Ai ka potencuar faktin se çdo ditë, mbi 40 pacientë vijnë aty për vizita nga fusha e tij mjekësore, kurse janë me qindra, sipas tij, që presin për kontrolle nga fushat tjera të mjekësisë.

“Ato janë hapësira të improvizuara dhe kushtet janë të mjerueshme. Shpesh përmbytet edhe nga kanalizimi (ujërat e zeza) ajo pjesë dhe është ftohtë për pacientët”.

“Është mirë që sa më shpejtë të iket nga aty, pasi që nuk janë kushte normale për pacientët. Ka disa vjet që këto shërbime pacientët i marrin në atë pjesë”, tha Demaçi.

Në anën tjetër, zyrtari për informim në Qendrën Klinike Universitare, Shpend Fazliu thotë se këto hapësira të improvizuara, mund të zëvendësohen me ambiente tjera, ku kushtet pritet të jenë diç më të mira për pacientët.

“Këtë vit pritet të lëshohet në punë objekti për shërbimet e ambulancave specialistike. Do të pajiset me inventar të nevojshëm dhe besoj se shumë shpejtë do të rregullohet kjo çështje. Besoj se hapësirat e reja do të jenë më të përshtatshme edhe për mjekët e që kryejnë një punë të madhe”, tha Fazliu.

Ndryshe, këto hapësira shfrytëzohen për shërbime ambulantore nga fusha e kirurgjisë plastike, kirurgjisë torakale, urologjisë, neurokirurgjisë, kirurgjisë vaskulare, ortopedisë si dhe disa shërbime tjera.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG