Ndërlidhjet

Mbi 20 mijë vizitorë gjatë ditës në QKUK


QKUK, foto nga arkivi.
QKUK, foto nga arkivi.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës frekuentohet nga më shumë se 20 mijë vizitorë gjatë ditës, të cilët kryesisht vizitojnë të afërmit e tyre të shtrirë në këtë qendër. Një numër kaq i madh i vizitorëve, pos tjerash, po vlerësohet se ndikon edhe në përkeqësimin e gjendjes higjienike brenda kësaj qendre shëndetësore.

Ibrahim Tërshnjaku, inspektor sanitar, i tha Radios Evropa e Lirë se si Inspektorat disa herë kanë lëshuar urdhër që numri i vizitorëve të menaxhohet, ngase po e pamundëson mbajtjen në nivel të higjienës.

“Kuptohet që një numër kaq i madh i vizitorëve brenda QKUK-së e pamundëson nivelin e higjienës dhe e bën të mundur shpërndarjen e infeksioneve brenda hospitalore, duke pamundësuar çdo kompani pastrimi të menaxhojë një numër kaq të lartë të vizitorëve brenda ditës”.

“Por, arsyetimet janë se duhet blerë barna e material të nevojshëm për pacientët. Ne si Inspektorat kemi urdhëruar disa herë që numri i vizitorëve të menaxhohet ndryshe, pasi pamundëson nivelin e higjienës. Në bazë të kalkulimeve tona, mund të kalojë 20 mijë vizitorë brenda ditës, pra është numër i madh. Niveli i higjienës megjithatë nuk është i degraduar, por duhet nivel më i mirë, derisa për këtë duhet plotësohet parakushti fillimisht i vizitorëve”, tha Tërshnjaku.

Ndërkaq, familjarët e pacientëve thonë se janë të detyruar që çdo ditë të vizitojnë pacientët e shtrirë, për shkak se aty në vazhdimësi u kërkohet nga vetë stafi mjekësorë, që familjarët të blejnë barna e material shpenzues.

Albulena Rexhepi, e cila ka të shtrirë babanë në njërën nga klinikat e Qendrës Klinike Universitare, thotë se jo një herë, por disa herë në ditë i duhet t’i dërgojë babait të saj barna, por edhe ushqim, pasi aty kushtet nuk janë të mira.

“Mund të them se vetëm trajtimin mjekësor babai im e merr nga stafi shëndetësor aty. Gjitha tjerat jemi të obliguar ne familjarët t’i dërgojmë. Besoj se çdo familjar i ka këto telashe me pacientët e shtrirë këtu. Andaj edhe vetë sigurimi nuk mund të na ndalojë hyrjen, për shkak se ne në vazhdimësi blejmë barna, e kjo bën që ne të hyjmë e të dalim disa herë gjatë ditës. Por, është e vërtetë që shpeshherë për një pacient vinë disa familjarë, e që kjo e bën pastaj këtë qendër me shumë vizitorë’’, tha Rexhepi.

Sipas shënimeve zyrtare, në vendet e zhvilluara çdo i katërti pacientë apo 25 për qind e tyre, kanë infeksione në mjekimin intensiv.

Lul Raka, mikrobiolog, thotë se pas hulumtimit të bërë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik për spitalet në Kosovë, ka dalë se shkalla e infeksionit është 7.2 për qind.

Megjithatë ai shton se kjo shifër nuk është reale, pasi do duhej të ishte më e lartë, nëse krahasohet me vendet e zhvilluara evropiane.

“Numri i hemo-kulturave në Evropë është shumë më i lartë se në Kosovë. Kjo është krahasueshmëria në mes Kosovës dhe vendeve të Evropës. Në Kosovë nuk bëhen analiza të bollshme. Pastaj tjetra, në disa spitale të Kosovës nuk bëhet fare mbikëqyrja e infeksioneve dhe nuk regjistrohen, dhe këshillat për infeksione nuk merren fare parasysh. Andaj, edhe përqindja del e ulët, por nuk është reale”, tha Raka.

Ndërkaq zëdhënësi i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Drilon Asllani, duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se nuk kanë shifra të sakta për vizitorët brenda këtij institucioni, por se thekson se është evidente që bëhet fjalë për një numër të madh njerëzish.

“Në Qendrën Klinike ka prezencë të madhe të vizitorëve. Derisa shifër nuk mund të japim, pasi nuk kemi bërë ndonjë analizë, ne apelojmë te të gjithë qytetarët që të shmangin vizitat e panevojshme me qëllim të evitimit të infeksioneve të ndryshme, por edhe pengesave në rrjedhën normale të punës për stafin mjekësor”.

“Sigurimi, por edhe stafi mjekësor në vazhdimësi apelon që të largohen vizitorët pasi po shkaktohen tollovi të panevojshme. Megjithatë prezenca e tyre në hapësirat spitalore është bërë fenomen me idenë për t’i ofruar përkrahje morale për të sëmurin. Por ato nuk e ndihmojnë pacientin, por vetëm e bëjnë më të vështirë punën e stafit mjekësor në ofrimin e shërbimeve shëndetësore”, tha Asllani.

Sidoqoftë, sipas zyrtarëve shëndetësorë, numri i madh i njerëzve që hyjnë e dalin nëpër spitale, ndikon shumë negativisht, sidomos në bartjen e infeksioneve të ndryshme.

XS
SM
MD
LG