Një pankartë gjigante që kërcënon një flotë detare amerikane, që aktualisht po i afrohet bregut iranian, është mesazhi më i fundit vizual propagandistik që është vendosur në këndin e një rruge në Teheran gjatë muajve të fundit.
Imazhi i një aeroplanmbajtësi të dëmtuar që lëshon gjak mbizotëron mbi sheshin Enqelab (Revolucioni Islamik) në Teheran, që ndodhet në rrugën kryesore nga aeroporti ndërkombëtar i qytetit. Gjatë dy muajve të fundit, të paktën pesë posterë të ndryshëm propagandistikë janë vendosur në këtë rrugë mjaft të frekuentuar.
Murali me përmasa të mëdha i jep Teheranit mundësinë të “hakojë” në mënyrë efektive ekosistemin mediatik perëndimor, sipas Darren Linvill, profesor në Media Forensics Hub në Universitetin Clemson. “Ata krijojnë këto imazhe që të ndahen nga [mediat perëndimore] dhe më pas nga atje të përhapen në rrjetet sociale”. Në këtë kontekst, ai i tha REL-it se pavarësisht shpenzimeve për posterë të ndërruar shpesh, me përmasa të ndërtesave, “në plan të madh, pankartat janë të lira”.
Janatan Sayeh, analist kërkimor pranë Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive në Uashington, i tha REL-it se një tjetër qëllim i muralëve me përmasa të mëdha si ai në sheshin Enqelab është “ekspozimi konstant, duke siguruar që qytetarët të përballen me propagandën kudo, nga metroja deri në parqet publike”. Ai shtoi se kjo “është një taktikë psikologjike që synon t’u kujtojë iranianëve se nuk ka shpëtim nga regjimi”.
Që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979, kanë ekzistuar murale në blloqet e qytetit të Teheranit që kërcënojnë SHBA-në dhe Izraelin. Megjithatë, përdorimi i pankartave gjigante që mund të ndërrohen brenda natës është adoptuar vetëm në vitet e fundit.
Fotografitë e pankartës së Sheshit Enqelab u shfaqën për herë të parë në agjencitë iraniane të lajmeve në fillim të vitit 2023. Një pankartë më e vogël në Sheshin Vali Asr është përdorur që nga viti 2015 për të transmetuar mesazhe të regjimit që shpesh reflektojnë çështjet aktuale ose narrativë islamistë.
Pankartat propagandistike të Qeverisë janë djegur gjatë protestave antiqeveritare në vitet e fundit, por nuk ka dëshmi që pankarta e sheshit Enqelab, e njohur si pikë tubimi për demonstrata proregjimit, të ketë qenë cak i sulmeve. Disa iranianë thuhet se përdorën gjakun e të vrarëve gjatë trazirave më të fundit për të shkruar mesazhe antiqeveritare mbi dyert e dyqaneve.
Disa iranianë kanë shprehur zemërim ndaj tonit kërcënues të disa pankartave. Një grua i tha një gazetari se panot si ajo që kërcënon Izraelin janë “vetëm për të provokuar më shumë tension”.
Me Qeverinë iraniane që së fundmi po kalon nga një krizë në tjetrën, analisti Sayeh tha se propaganda agresive e parë mbi sheshin Enqelab shpesh është në kontrast me atë që ndodh pas dyerve të mbyllura.
“Imazhi është gjithçka për regjimin, dhe ai nuk mund të lejojë të duket i dobët para bazës së tij mbështetëse. Kjo është arsyeja pse ka momente kur ai lëshon kërcënime publike ndërsa përpiqet të ulë tensionin privatisht”, tha ai.