Ndërlidhjet

Maliqi: Nuk kam informacione për familjarët e arrestuar në Merdare


Pika e kalimit kufitar mes Kosovës dhe Serbisë në Merdare.
Pika e kalimit kufitar mes Kosovës dhe Serbisë në Merdare.

Labinot Maliqi nga komuna e Podujevës thotë se dy familjarë të tij janë arrestuar më 13 qershor nga autoritetet serbe në Merdare - pika kufitare që lidh Kosovën me Serbinë.

Ministria e Jashtme e Kosovës konfirmon, po ashtu, për Radion Evropa e Lirë se është njoftuar në lidhje me “arrestimet e reja” nga Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Beograd.

Sipas Ministrisë, është njoftuar edhe Delegacioni i BE-së në Serbi, ashtu si edhe misionet tjera diplomatike në këtë vend.

“Po ashtu, është dërguar shkresë zyrtare te Zyra Ndërlidhëse e Serbisë në Kosovë”, thonë nga Ministria e Jashtme e Kosovës.

Familjari i të arrestuarve, Labinoti, thotë se nuk ka informacione për ta që nga orët e mbrëmjes së 13 qershorit.

“Më 13 qershor, rreth orës 16:30, së bashku me vëllain dhe dhëndrin kemi qenë duke kaluar nga Serbia për në shtetin e Gjermanisë. Në kufi, ata i ndaluan. I pyeta se cila është arsyeja? Policia serbe më tha: Vetëm se jeni shqiptarë. Ata janë kidnapuar, sepse nuk ka ndonjë arsye apo vepër penale për ndalim apo arrestim”, thotë Labinoti.

Rastin e kam lajmëruar tek institucionet e Kosovës, por deri më tash nuk kam informacione [ku ndodhen].

Ai thotë se e di që, fillimisht, autoritetet serbe i kanë dërguar familjarët e tij në qytetin e Kurshumlisë, ndërsa në orën 22:30 të së martës, i kanë larguar prej atje.

“Më nuk kemi asnjë informacion se ku gjenden. Rastin e kam lajmëruar tek institucionet e Kosovës, por deri më tash nuk kam informacione. Nuk po di ku të drejtohem. Jemi munduar të angazhojmë avokat, por nuk po pranojnë. Kjo, thjesht, është politike - hakmarrje pas arrestimit që ndodhi në veri të Kosovës”, thotë Maliqi, duke iu referuar arrestimit të një qytetari serb nga Policia e Kosovës, po atë ditë, nën dyshimet për nxitje të dhunës në këtë zonë.

Nga Prokuroria Themelore Publike e Kurshumlisë - qytet në pjesën qendrore të Serbisë - konfirmojnë për Radion Evropa e Lirë se më 13 qershor, Drejtoria e Policisë në Prokuple, Stacioni policor në Kurshumli, ka caktuar masën e ndalimit deri në 48 orë ndaj personave: K.M, H.F, M.E, dhe M.D. - të gjithë nga Podujeva.

Ndonëse përmenden inicialet e katër personave, nuk është e qartë se për kë bëhet fjalë saktësisht.

Bilana Millosavleviq, ushtruese e funksionit të prokurores publike në Kurshumli, thotë se ndaj tyre “ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer veprën penale: shkatërrim dhe dëmtim i pasurisë së njerëzve të tjerë, në dëm të Republikës së Serbisë” - pa ofruar më shumë detaje.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, njoftoi të mërkurën, përmes një shkrimi në Facebook, për arrestimin e tre personave nga kjo komunë në shtetin e Serbisë.

“Sipas informatave që kemi pranuar, atyre u është caktuar masa e paraburgimit për 48 orë nga autoritetet serbe, kurse për motivet e arrestimit të tyre nuk dihet, përveçse po dyshojmë se janë hakmarrëse dhe po ndërlidhen me situatën në veri të vendit”, shkroi Bulliqi në Facebook.

Bulliqi tha se ky veprim është “i papranueshëm” dhe kërkoi nga institucionet e Kosovës që të angazhohen për lirimin e tyre.

Pas këtij njoftimi reagoi Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë (KMDLNJ), duke u bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të mos udhëtojnë përmes Serbisë, por të shfrytëzojnë rrugë të tjera alternative deri në, siç tha, qetësim të situatës, që do të garantonte liri të lëvizjes.

“Pas përshkallëzimit të situatës në veri të Kosovës është vështirësuar edhe lëvizja e qytetarëve të Kosovës në dhe nëpër Serbi. Situata do të bëhet edhe më e rëndë për bashkatdhetarët, pasi jemi në prag të fillimit të pushimeve verore dhe shumica e tyre e zgjedhin Serbinë si rrugë më e shkurtër për në Kosovë”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

Aksioni kundër Millenkoviqit trazon Mitrovicën e Veriut
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:54 0:00

Situata në veri të Kosovës - zonë e banuar me shumicë serbe - është tensionuar qysh në fund të majit, kur kryetarët shqiptarë të komunave atje kanë hyrë në objektet komunale, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

Tensionet kanë kulmuar më 29 maj, kur protestuesit serbë janë përleshur me ushtarët e NATO-s në qytetin e Zveçanit, duke shkaktuar plagosjen e dhjetëra personave në të dyja anët.

Për këtë dhunë janë arrestuar më herët pesë persona, por Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar paraburgim prej një muaji vetëm për dy prej tyre. Më 13 qershor, Policia e Kosovës ka arrestuar edhe serbin Millun Millenkoviq në Mitrovicë të Veriut, nën dyshimet se ka organizuar sulme kundër ushtarëve të misionit të NATO-s, KFOR.

XS
SM
MD
LG