Ndërlidhjet

Rafuna: Do ta avancoj bashkëpunimin e bizneseve brenda dhe jashtë Kosovës


 Kryetari i ri i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.
Kryetari i ri i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.

Oda Ekonomike e Kosovës do të jetë shtëpi e sigurt për të gjitha bizneset e vendit dhe ato jashtë Kosovës, tha në intervistën për Radion Evropa e Lirë, kryetari i ri i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna. Ai u shpreh se Oda do t’u shërbejë interesave, kërkesave dhe ankesave të bizneseve private duke i adresuar ato tek institucionet shtetërore. Rafuna premtoi edhe intensifikim të bashkëpunimit me institucionet e larta shtetërore.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Rafuna, ju sot jeni zgjedhur kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës. Çfarë përmban programi juaj?

Lulzim Rafuna: Programi im është zhvillimi tutje i Odës Ekonomike të Kosovës. Qëllimi është që Odën Ekonomike ta shndërrojmë në një shtëpi të biznesit, ku do të trajtohen ankesat, kërkesat por edhe idetë e biznesit.

E dyta është digjitalizimi i Odës. Jemi në vitin 2022 ku shërbimet e digjitalizimit kanë avancuar, duhet edhe Oda të avancohet në mënyrë që t’iu shërbejë bizneseve.

E treta, është krijimi i një partneriteti të sinqertë dhe transparent me institucionet e Republikës së Kosovës, me Qeverinë, Presidencën dhe Kuvendin e Kosovës. Në mënyrë që të gjithë se bashku të punojmë për zhvillimin ekonomik të vendit, por edhe për avancimin e bizneseve qoftë brenda apo jashtë Kosovës, që automatikisht do të reflektojë në një pasqyrë më të mirë tek investitorët e huaj për të ardhur për të investuar në vendin tonë.

Radio Evropa e Lirë: Cili është imazhi aktual i Odës Ekonomike të Kosovës dhe a ka hapësirë për përmirësim?

Lulzim Rafuna: Imazhi i Odës mund të them se është i mirë, hapësirë ka shumë. Dhe, kjo është ideja që do t’i nënshtrohemi një reforme -- nëse mund ta quaj në kuptimin pozitiv -- brenda Odës, në mënyrë që OEK-ja të jetë një shtëpi e pastër që u shërben interesave dhe kërkesave të biznesit. Por, gjithashtu që u shërben edhe interesave të vendit tonë, për interesat madhore të vendit për t’i çuar përpara.

Radio Evropa e Lirë: A do të mund ta rrisni numrin bizneseve anëtare në OEK?

Lulzim Rafuna: Ky është një objektiv që kam ndër të parët, faktikisht me prioritet shumë të madh. Ne do të fillojmë me shërbime shumë më kualitative për biznesin dhe do të fillojë, qysh në takimet e para me shoqatat, me drejtorët rajonalë në mënyrë që t’i ftojmë bizneset të bëhen anëtare të Odës dhe ato ta vërejnë dorën e shtrirë të Odës Ekonomike.

Lulzim Rafuna.
Lulzim Rafuna.

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë ato shërbime konkrete?

Lulzim Rafuna: Thashë që Oda duhet t’i nënshtrohet një reforme të thellë ndaj asaj që është sot. E, para duhet që zyrat rajonale që i ka të themeluara në bazë të Ligjit për Odën duhet t’u shërbejnë bizneseve nëpër rajone. Shërbimet komplet prej qendrës të decentralizohen nëpër zyre komunale. Oda duhet t’u shërbejë bizneseve, që të jetë partner në hartimin e projekteve që do të konkurrojnë, qoftë brenda apo jashtë Kosovës. Ka shumë projekte ndërkombëtare ku bizneset tona nuk marrin pjesë për shkak se nuk e kanë një ekspertizë të tillë.

Oda Ekonomike e Kosovës, qoftë përmes buxhetit të vet ose përmes projekteve ndërkombëtare që mbështesin Odën, do t’i gjejë ekspertët që do t’i ndihmojnë për hartimin e atyre projekteve në mënyrë që bizneset të konkurrojnë jashtë për punë dhe shërbime të caktuara, varësisht prej fushës.

Një iniciativë tjetër, e bërë publike në programin tim, është që do të shkojmë edhe te Qeveria, Presidenca dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës që të shohim mundësinë, që për prodhuesit nga Kosova dhe Shqipëria të krijojmë një sistem më të avancuar bashkëpunimi. Ideja është që prodhuesi të kalojë me një faturë të vetme nga Korça në Prishtinë ose nga Prishtina të kalojë në Tiranë. Por, më lejoni të theksoj se më e rëndësishmja është partneriteti me institucionet e Republikës së Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Mendoni se ka munguar një partneritet i tillë deri më tash?

Lulzim Rafuna: Nuk them se nuk ka pasur, mirëpo ka nevojë për një intensitet më të shtuar për interesa madhore të vendit, por edhe për interesa të biznesit. Pra, të kemi një dialog publiko- privat shumë më të avancuar se sa që është sot.

Radio Evropa e Lirë: Sa janë adresuar interesat dhe kërkesat e sektorit privat tek institucionet shtetërore? Apo, a ka hapësirë për përmirësime?

Lulzim Rafuna: Nuk është që nuk janë adresuar, mirëpo me takimet që kam pasur me biznese, për arsye se sot (14.07.2022) jam zgjedhur dhe ende në Odë nuk jam familjarizuar, e kam parë që bizneset kanë nevojë shumë më shumë të kenë takime, konsultime por edhe të marrin përgjigje në shkresat e tyre, të cilat i adresojnë, qoftë përmes Odës apo shoqatave të tyre te institucionet e Republikës së Kosovës. Unë kam besim shumë të madh që do ta intensifikojmë bashkëpunimin me të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Përveç bizneseve private vendore, cili është synimi i juaj për të bashkëpunuar me investitorë të jashtëm? Dhe, në çfarë formash do të angazhoheni për promovimin e diplomacisë ekonomike të vendit?

Lulzim Rafuna: Diplomacia ekonomike tani është duke u zhvilluar me një model të ri, jo vetëm në Kosovë, por edhe në të gjitha vendet e rajonit. Kemi rastin e fundit ku Qeveria e Kroacisë ia ka bartur Odës Ekonomike të Kroacisë që të udhëheqë diplomacinë ekonomike. Unë e kisha një ndër pikat kyçe në programin tim dhe ideja është që së bashku, prapë e theksoj, se diplomacia ekonomike udhëhiqet edhe me Presidencën dhe me Qeverinë për shkak të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Dhe, në këtë trekëndësh të vendosim një bashkëpunim të ngushtë, në mënyrë që të kemi një program.


Do të ulemi me (përfaqësues në) Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Presidencën, për shkak të politikës së jashtme, të hartojmë një projekt apo një program se si do t’i qasemi diplomacisë ekonomike. Është shumë e nevojshme për bizneset tona diplomacia ekonomike ose për të gjetur investitorë që do të jenë së bashku me bizneset tona në projekte të caktuara jashtë Kosovës, ose të promovojmë të mirat që ka vendi ynë për të tërhequr investime të huaja.

Radio Evropa e Lirë: Të kthehemi te situata e aktuale ekonomike në Kosovë. Zoti Rafuna, situata është përkeqësuar për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë, duke shkaktuar çrregullime në tregun e çmimeve dhe rritje të inflacionit. Sipas jush, ka ndonjë mekanizëm që institucionet mund ta përdorin për ta zbutur situatën?

Lulzim Rafuna: Unë besoj se institucionet kanë shumë hapësirë dhe jam i bindur se Qeveria e Republikës së Kosovës do të ndërmarrë masa për t’i ndihmuar bizneset, për arsye se biznesi është promotor i zhvillimit të vendit tonë. Unë qysh nesër do të takoj biznese (përfaqësues të bizneseve) të fushave të caktuara, ku do të diskutojmë dhe të shohim se bashku, se cilat do të jenë propozimet nga ana jonë për të mirën e ekonomisë së vendit tonë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG