Ndërlidhjet

Haradinaj i ofron mbështetje qeverisë për situatën në veri


Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kreu i partisë opozitare, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i ka ofruar mbështetje Qeverisë dhe Policisë së Kosovës për situatën në veri, duke thënë se ajo që po ndodh në këtë pjesë të vendit është “e papranueshme”.

“Provokimet e serbëve në veri janë të projektuara në Beograd dhe në Moskë, e Prishtina, duke mos rënë pre e këtyre provokimeve, duhet të jetë e vendosur në mbrojtje të qenësisë së saj”, tha Haradinaj.

Ai shtoi se Brukseli duhet të ndërhyjë dhe të kërkojë nga Serbia që të mos e provokojë edhe më tej situatën në veri të Kosovës.

Të shtunën, më 25 shtator, Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok është djegur, ndërsa është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan. Sipas hetimeve preliminare, autoritetet kanë thënë aty janë hedhur dy bomba dore, por të cilat “nuk kanë eksploduar”.

Për shkak të situatës në veri, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ftuar mbledhjen e Këshillit të Sigurisë.

Që prej 20 shtatorit, ku u vendos masa e reciprocitetit, banorët serbë në veri të Kosovës po protestojnë. Ata kanë bllokuar dy rrugë që lidhin Kosovën dhe Serbinë në afërsi të pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

XS
SM
MD
LG