Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Në rigjykimin e rastit “Monstra” kërkohet përfshirja e Speciales


Pamje nga gjykimi i rastit "Monstra". Foto nga arkivi

Seanca gjyqësore për rigjykimin e rastit “Monstra” kundër të akuzuarve për vrasjen e pesëfishtë në liqenin Smillkovës, pas vërejtjeve të avokatit mbrojtës është shtyrë për datën 14 mars.

Ndryshe, rigjykimi për rastin “Monstra”,vjen me kërkesë të Prokurorisë Publike, pas anulimit të akt-gjykimit të shkallës së parë dhe asaj të dytë, pas çka, të dyshuarit në dhjetor të vitit të kaluar u lanë të mbrohen në liri.

Prokurori Publik, Naum Panovski tha se Prokuroria vazhdon t’i akuzoj të pandehurit për veprën terrorizëm, për vrasjen e katër të rinjve maqedonas dhe një peshkatari në afërsi të liqenit të Smillovës.Në baë të kësaj akuze, gjashtë të dyshuarit : Alil Demiri, Haki Aizir, Fejzi Aziri, Sami Luta, Afrim Ismajloviq dhe Agim Ismajloviq, u dënuan me burgim të përjetshëm.

Ndërkaq, avokati mbrojtës Naser Raufi është shprehur optimist se deri në seancën e radhës, Prokuroria Publike do ta tërheq akuzën. Ai njëherësh ka kërkuar që ky rast të kalojë nga Prokuroria Publike në duart e Prokurorisë Speciale Publike (PSP).

“Rasti në fjalë tashmë një vit është duke u shqyrtuar nga PSP-ja dhe vlerësojmë se është e nevojshme”, ka theksuar avokati Naser Raufi.

Në anën tjetër, familjarët e të akuzuarve në rastin “Monstra” vlerësojnë se një gjykim i dejtë dhe transparent mund të realizohet vetëm nëse ky rast kalon në duart e Prokurorisë Speciale Publike.

Fezi Ajdari nga Këshilli i familjeve të të akuzuarve për rastin “Monstra” thotë se në bazë të provave me të cilat disponon Specialja, do të dëshmohet pafajësia e të gjithë të akuzuarve.

“Kisha dashur që të inkuadrohet dhe Prokuroria Speciale dhe t’i bashkëdyzojë argumentet me Prokurorinë Publike, dhe përfundimisht të tërhiqet aktakuza. Sepse e pamë se aktakuza nga Prokuroria Publike ishte e njëjtë siç ishte herën e parë, ndërkohë që Gjykata Supreme në fund të vitit të kaluar solli vendim për shfuqizimin e aktgjykimeve të shkallës së parë dhe asaj të dytë”, tha Ajdari.

“Shpresoj se deri në seancën e radhës, organi i akuzës do të tërheqë këtë aktakuzë dhe akuzën e njëjtë do ta përfaqësojë Prokuroria Speciale, e cila tashmë për disa muaj që punon në përgatitjen e saj”, thotë ai.

Njohësit e çështjeve juridike vlerësojnë se besimi i qytetarëve në sistemin gjyqësor mund të kthehet vetëm nëse rastet e ndjeshme, siç është “Monstra”, e cila u përcoll me reagime dhe protesta të shumta dhe nga opinioni, do të zhvillohet përmes një procedure transparente me përfshirjen e Speciales.

XS
SM
MD
LG