Ndërlidhjet

Rasti “Pronto” sfidon drejtësinë


Ilustrim

Shtyrja e seancës gjyqësore për të akuzuarit e rastit të njohur si“ Pronto” është tallje me sistemin e drejtësisë, konsiderojnë përfaqësues të shoqërisë civile të cilët monitorojnë këtë sistem.

Seanca gjyqësore e thirrur për të hënën, është shtyrë për 15 nëntor, pasi aty kanë munguar disa nga të pandehurit.

Në muajin prill të këtij viti, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, kishte ngritur aktakuzë për rastin e njohur “Pronto”, ku protagonist kryesor është ish-shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci si dhe 11 persona të tjerë, të cilët bartnin apo bartin ende funksione të larta publike.

Kjo aktakuzë e ngritur, vlerësohet të jetë ndër lëndët më me ndikim në luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik në Kosovë dhe si e tillë, është dashur të trajtohet më prioritet absolut, thotë Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

“Deri më tani kemi parë që kjo lëndë është zvarritur dhe sot shtyrja e seancës dëshmon se ky profil i lartë thjesht tallet me sistemin e drejtësisë dhe nuk e trajton seriozisht. Po të ishte si duhet, sistemi i drejtësisë do të ndërmerrte të gjitha veprimet e nevojshme që këtë lëndë ta procedonte brenda afateve ligjore që i bie që më shumë se tre katër muaj nuk mund të zgjaste ky proces në procedurë normale”, tha Musliu për Radion Evropa e Lirë.

Edhe Përparim Kryeziu, hulumtues në Grupin për Studime Juridike dhe Politike, thotë se shtyrja e seancës për rastin e njohur si “Pronto”, shpërfaq edhe njëherë ndikimin e politikës në sistemin e drejtësisë.

“Vazhdimisht është theksuar se sistemi i drejtësisë me të vërtetë është edhe i kapur, por rrjedhimisht edhe i ndikuar drejtpërdrejtë nga politika. Ky është vetëm një nga rastet që e shpërfaqin këtë gjendje dhe nuk përbën diçka të re, mirëpo kjo nuk do të thotë se nuk e ka rëndësinë e vet, fakti se është shtyrë séanca gjyqësore për shkak të pikërisht të këtyre ndikimeve”, thekson Kryeziu.

Duke marrë parasysh profilin e të akuzuarave, Betim Musliu thekson se kjo çështje mund të neglizhohet nga sistemi i drejtësisë. Sipas tij, karakteristikat që përmban kjo aktakuzë tregojnë se ajo më shumë është përpjekje për t’u “hedhur hi syve” qytetarëve kinse është duke u luftuar korrupsioni i profilit të lartë.

“Por, praktikisht mënyra se si janë ndërtuar aktakuzat dhe si janë gjykuar kanë dëshmuar se ndikimi politik në këto raste është i pashmangshëm dhe thjesht këto veprime bëhen vetëm sa për të dështuar rastet”, thotë Musliu për Radion Evropa e Lirë.

Në aktakuzë, përveç Adem Grabovcit, janë përfshirë edhe ministri aktual, Besim Beqaj, dhe deputeti Zenun Pajaziti. Gjithashtu, si të akuzuar përmenden edhe ish-sekretarë të përgjithshëm, një ish-zëvendësministër, këshilltarë politikë, si dhe drejtorë të ndërmarrjeve publike dhe zyrtarë nga pushteti lokal.

Video nga arkivi: Kërkohet përgjegjësi penale për "Pronto II"

Kërkohet përgjegjësi penale për "Pronto II"
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:10 0:00

Sipas Prokurorisë Speciale, të pandehurit akuzohen për kryerjen e veprës penale, shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje.

Të pandehurit, sipas aktakuzës, kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete, për dhënie të privilegjeve dhe përparësive të kundërligjshme për personat të cilët kanë konkuruar në funksione të rëndësishme.

Ngritja e aktakuzës, pason publikimin në mediat lokale në vitin 2011, të bisedave të përgjuara telefonike të ish-shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, në të cilat qenë përfshirë veç tjerash edhe presidentin aktual, Hashim Thaçi dhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG