Ndërlidhjet

Maqedonisë së Veriut i kërkohet të ketë administratë moderne dhe efikase


Ilustrim.

Reformimi i administratës në Maqedoninë e Veriut, është një nga kriteret kyçe për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian. Por, ekspertët Besa Kadriu dhe Temellko Ristevski, thotë se Shkupi zyrtar do ta ketë të vështirë të reformojë administratën shtetërore, sipas kërkesave të Brukselit, pasi sipas tyre, ky proces kërkon guxim dhe vendosmëri të autoriteteve.

Në Raportin e Progresit, të Komisionit Evropian, që u publikua më herët gjatë këtij muaji, u tha se përzgjedhja e të punësuarve në administratën shtetërore duhet të jetë larg ndikimit të politikës dhe që vendi të ketë një administratë moderne dhe efikase, kërkohet instalimi i mekanizmave të qartë të llogaridhënies.

Por, përderisa kërkohet që të ulet numri i të punësuarve në administratën shtetërore, aty po vazhdojnë punësime të reja. Punësimet kryesisht realizohen gjatë proceseve zgjedhore, si mekanizëm për të rritur trupin elektoral partitë që janë në pushtet.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka paralajmëruar zvogëlimin e të punësuarve në administratë përmes transferimit të punëtorëve në sektorin privat, por sipas ekspertëve ky proces do të jetë i vështirë sepse askush nuk dëshiron që të heqë dorë nga komoditeti që ofrojnë institucionet shtetërore, kundrejt një vendi pune në sektorin privat.

Besa Kadriu, ligjëruese në Fakultetin e Administratës Publike në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se qeveria përfundimisht duhet t’u japë fund, siç i cilëson ajo, punësimeve politike apo të militantëve politkë, në institucionet shtetërore nëse nuk dëshiron të ketë bllokada në proceset integruese.

“Unë mendoj se këto çështje duhet të parandalohen me mekanizma qeveritarë duke i dhënë mundësi që qeveria të krijojë, të themi politika të atilla që të përforcohet sektori privat, veçanërisht do të theksoja sektorin e biznesit, ku kërkohet një investim dhe përkrahje më të madhe, për të krijuar mundësi që fuqia punëtore të jetë e fokusuar në këtë sektor dhe jo vetëm në punësimet që janë pjesë e administratës shtetërore”, thotë Kadriu.

Ndërkohë në Raportin e Komisionit Evropian theksi vendoset në profesionalizimin e administratës.

“Gjatë periudhës në vijim shteti duhet të vendosë një kornizë të qartë legjislative që siguron respektimin e plotë të rekrutimit të punonjësve të administratës, bazuar në merita për shërbimin e lartë civil dhe pozicione të tjera”, theksohet në Raportin e Progresit.

Reformimi i administratës publike është përfshirë në kapitullin e të parë të kornizës negociuese për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Krahas uljes së numrit të të punësuarve në administratë sfidë mbetet modernizimi i administratës në përputhje me kriteret e vendeve evropiane.

Temellko Ristevski ekspert kësaj fushe, thotë për Radion Evropa e Lirë se nepotizmi, revanshizmi politik, mungesa e ngritjes profesionale përmes meritokracisë, janë disa nga gjërat që po frenojnë reformimin e administratës, sipas kritereve që po kërkon Brukseli zyrtar.

“Jam i sigurt se do të se do të bëhet presion ndaj nesh, përderisa dëshirojmë të bëhemi pjesë e Bashkimit Evropian, të shpenzojmë para nga BE-ja, Evropa nuk do të na lejojë që paratë të shpenzohen për një administratë joproduktive”, thekson Ristevski.

Megjithatë interesimi i qytetarëve për një vend pune në administratë mbetet shumë i lartë. Gjatë vitit të kaluar, në 517 shpallje që kanë publikuar institucionet e vendit për 1 mijë e 669 administratorë, në konkurs janë paraqitur 15 mijë e 969 kandidatë.

Ndërkohë, sektori privat po ankohet se për shkak të migrimit të qytetarëve, po ka mungesë të punëtorëve të kualifikuar. Autoritetet qeveritare në dy vjetët e fundit kanë përsëritur idenë e tyre, që një pjesë të punëtorëve të administratës shtetërore do t’u mundësohet që të kalojnë në sektorin privat, ku mund të marrin paga më të larta, megjithatë ky proces ende nuk ka nisur.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG