Ndërlidhjet

Regjistrimi i popullsisë përcillet me probleme teknike


Regjistrimi i popullisisë në fshatin Vizbegovo në afërsi të Shkupit.

Regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut, sipas Entit të Statistikës, po realizohet sipas dinamikës së paraparë edhe pse për disa ditë kishte ndërprerje të këtij procesi, që ka nisur më 5 shtator dhe do të zgjasë deri më 30 shtator.

Drejtuesit e Entit kanë mohuar informacionet mbi një sulm hakerësh në sistemin kompjuterik të regjistrimit, nga grupe apo struktura që janë kundër regjistrimit të popullsisë.

Drejtori i Entit të Statistikës, Apostoll Simovski e pranon se ka pasur probleme teknike, por pa saktësuar se cilat ishin ato.

“Kemi pasur disa probleme teknike, por shpejt i kemi kapërcyer dhe kjo është me rëndësi ta theksojnë. Probleme të tilla janë të mundshme pasi kemi të bëjnë me teknologji dhe është normale të ketë probleme të natyrave të tilla. Por, tani regjistrimi po rrjedh mirë dhe nuk presim që të kemi ndonjë pengesë deri në mbyllje të këtij procesi statistikor”, thotë Simovski.

Deri të hënën, sipas të dhënave zyrtare, janë regjistruar rreth 512 mijë persona, 158 mijë amvisëri dhe 212 mijë banesa.

Kundër regjistrimit janë deklaruar disa parti opozitare maqedonase, të grumbulluar rreth një organizate me emrin “Mos hap derën”. Borsillav Krmov, deputet i partisë “E Majta”, thotë se të dhënat e Entit nuk janë reale.

“Regjistrimi po realizohet me vështirësi të shumta. Të dhënat që janë prezantuar nga Enti, janë qesharake. Nga shtatë ditë që ka nisur regjistrimi, në katër prej tyre nuk ka pasur regjistrim. Të dhënat që kemi flasin se në zonat urbane njerëzit nuk po i hapin derën regjistruesve, ndërsa në zonat rurale ata po përballen edhe me rezistencë fizike”, thotë Krmov duke e vlerësuar regjistrimin si politik, në dëm të, siç thotë, popullatës maqedonase dhe rritjes artificiale të numrit të shqiptarëve.

Nga Enti i Statistikës e thonë të kundërtën, që regjistrimi po realizohet pa pengesa dhe se popullata nuk po i përgjigjet thirrjeve për bojkot.

“Fushatë negative kishim që nga fillimi dhe do të kemi deri në fund dhe këtë e dëshmojnë edhe aktivitetet e disa strukturave politike që bëjnë thirrje për ndërprerjen e regjistrimit, por është mirë që qytetarët nuk po bien pre e provokimeve apo thirrjeve të tilla. Këtë e dëshmojnë të dhënat që po grumbullojmë e që janë në përputhje të plotë me parashikimet tona”, thotë Apostoll Simovski, drejtor i Entit të Statistikës.

Drejtuesit e institucioneve ndërkohë kanë vazhduar me thirrjet drejtuar popullatës që të mos hezitojë, por të marrin pjesë në regjistrim. Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, ka deklaruar se rezultatet e regjistrimit janë pikënisja kyçe nga e cila qeveria fillon me miratimin e politikave ekonomike.

“Regjistrimi do të mundësojë që shteti të miratojë politika të përshtatshme ekonomike, të cilat do të mundësojnë shfrytëzim efektiv dhe efikas të potencialit të përgjithshëm njerëzor sepse ne do të kemi një pamje të qartë se për kë, ku dhe në çfarë mase i planifikojmë dhe i zbatojmë strategjitë e përgjithshme ekonomike”, ka deklaruar zëvendëskryeministri, Fatmir Bytyqi.

Regjistrimi ishte paraparë të mbahej në prill, por u shty për në shtator, me kërkesë të opozitës, me arsyetimin e pandemisë së koronavirusit. Paralelisht me regjistrimin brenda vendit, po zhvillohet edhe regjistrimi elektronik i diasporës, që ka nisur në muajin prill. Deri më tani, janë regjistruar rreth 200 mijë shtetas që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.

Regjistrimi ka rëndësi të madhe sa i përket përqindjes së popullatës, në veçanti asaj shqiptare, e cila të drejtat kombëtare i realizon në bazë të përcaktimit kushtetues, që shqiptarët i përkufizon si popullatë që përbëjnë mbi 20 për qind të popullatës në vend.

Regjistrimi i fundit në Maqedoninë e Veriut është bërë në vitin 2002, sipas të cilit, vendi ka rreth 2 milionë banorë, prej tyre afër gjysmë milioni apo 25.17 për qind janë shqiptarë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG