Ndërlidhjet

Republika Sërpska ofron marrëveshje për "ndarje paqësore" në Bosnje dhe Hercegovinë


Mbledhja e Qeverisë së Republikës Sërpska. 23 maj 2024.
Mbledhja e Qeverisë së Republikës Sërpska. 23 maj 2024.

Në 30 ditët e ardhshme, Qeveria e Republikës Sërpska (RS) do të krijojë një marrëveshje që do t'i dërgohet entitetit tjetër të Bosnjës, Federatës së Bosnjës e Hercegovinës, për "ndarje paqësore", njoftoi kryeministri i RS-së, Radovan Vishkoviq, pas mbledhjes së Qeverisë së Republikës Sërpska në Srebrenicë të enjten, më 23 maj.

Seanca e Qeverisë u mbajt në prag të seancës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), në rendin e ditës të së cilës është edhe rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë.

"Kjo nuk është shkëputje, ndarja paqësore nuk është shkëputje. Ndarja paqësore është e drejtë e garantuar me Kushtetutë. Ne do të ofrojmë atë, nëse na konsideroni komb gjenocidal, që nuk jemi, atëherë nuk kemi pse të jetojmë së bashku", tha Vishkoviq, pa dhënë detaje të tjera për hapat që do të ndërmarrin.

Presidenti i RS-së, Millorad Dodik, po ashtu mori pjesë në mbledhjen e ekzekutivit.

"Asnjë entitet nuk mund të kryejë shpërbërje paqësore"

Asnjë entitet i vetëm, asnjë komb i vetëm nuk mund të kryejë shpërbërjen paqësore në Bosnje dhe Hercegovinë. Kështu i tha Radios Evropa e Lirë, Nedim Ademoviq, ekspert i së drejtës kushtetuese, duke komentuar vendimin e Qeverisë së Republikës Sërpska.

"As entitetet dhe as popujt nuk kanë asnjë të drejtë në atë kuptim, as të drejtën e vetëvendosjes. Ky është një qëndrim i qartë dhe vendimtar. E vetmja që mund ta bëjë këtë është Bosnje dhe Hercegovina, pra Asambleja Parlamentare e BeH-së. Në kuadër të procedurës kushtetuese, organi më i lartë legjislativ dhe ligjor i BeH-së mund të ndryshojë Kushtetutën e BeH-së. Kur të ndryshohet Kushtetuta, mund të ndryshohet struktura e brendshme”, tha Ademoviq.

Ai shtoi se vendimi i Qeverisë së RS-së ishte "absolutisht jokushtetues" dhe se "të gjithë në Bosnje dhe Hercegovinë e dinë këtë, veçanërisht Milorad Dodik".

"Kjo nuk është hera e parë që Federatës së Bosnjë e Hercegovinës i ofrohet një marrëveshje për ndarje paqësore, e cila më pas, ashtu si edhe në të ardhmen, do të dështojë dhe nuk do të ketë asgjë. Prandaj, është thjesht spekulim i pastër spekulime dhe nuk ka asgjë serioze”, theksoi Ademoviq.

Ai theksoi se Aneksi 1 i Kushtetutës së Bosnjë e Hercegovinës përmban, ndër tjerash, Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Politike dhe Civile, dhe se në atë pakt "shkruhet se populli ka të drejtën e vetëvendosjes".

“Megjithatë, për një kohë shumë të gjatë ekziston një praktikë që vetëvendosja e popullit ekziston vetëm kur një komb dëshmon se është i shtypur si pakicë në bashkëjetesë me një shumicë politike dhe se mbijetesa e tij në atë shtet është e kërcënuar”, shpjegoi Ademoviq.

Ai shtoi se në atë rast, është e nevojshme që të ketë “homogjenitet të një bashkësie të caktuar kombëtare, përkatësisht të bashkësisë etnike në një territor të caktuar”.

“Në rastin e Republikës Sërpska, të gjitha rastet që janë vendosur deri më tani - si ato që kanë të bëjnë me luftën në Bosnje dhe Hercegovinë, ashtu edhe ato që kanë të bëjnë me diskriminimin në lidhje me gëzimin e të drejtave të ndryshme në territorin e Republikës Sërpska - flasin shumë më tepër në drejtim të minoriteteve të kërcënuara në RS, boshnjakët, kroatët dhe të tjerët natyrisht dhe se nuk mund të mbijetojnë në atë territor. Kjo, sepse zbatohet një politikë rrënjësisht e ashpër etno-nacionale që nuk lejon asnjë afirmim të një shoqërie pluraliste, apo afirmim të të drejtave kolektive individuale të njerëzve në baza etnike” , përfundoi Ademoviq.

Rezoluta, e cila propozon që 11 korriku të shpallet Ditë Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit të Srebrenicës, si dhe dënon mohimin e gjenocidit dhe madhërimin e kriminelëve të luftës, u sponsorizua nga tridhjetë vende.

Propozueset zyrtare të saj ishin Gjermania dhe Ruanda.

Mbështetje për të, deri më tash, shprehën të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë dhe entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska.

Zyrtarët e tyre, pavarësisht vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, mohojnë se në Srebrenicë është kryer gjenocid kundër boshnjakëve dhe thonë se atje ka ndodhur një “krim i tmerrshëm”.

*Video: "Ma gjeni vrasësin e vëllait"

"Ma gjeni vrasësin e vëllait"
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:18 0:00

Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë.
Për gjenocidin e kryer u dënuan më shumë se 50 persona me rreth 700 vjet burg.

Në mesin e tyre janë edhe presidenti i kohës së luftës i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiq.

Të dy ata u dënuan me burgim të përjetshëm.

Serbia loboi në mënyrë aktive kundër miratimit të rezolutës për Srebrenicën dhe, një ditë para se të dilte në OKB, Asambleja e Republikës Sërpska miratoi një notë proteste drejtuar vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara, duke kërkuar tërheqjen e rezolutës.

Kjo, edhe përkundër faktit se në dokument nuk përmendet as Republika Sërpska, e as Serbia.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e karakterizoi krimin në Srebrenicë si gjenocid në vitin 2007.

Gjykata konstatoi se Serbia nuk ishte përgjegjëse për aktin e as bashkëpunëtore, por deklaroi se ajo nuk bëri asgjë për ta parandaluar atë.

Pjesë nga teksti përfundimtar i rezolutës për Srebrenicën

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së...

(...)

... duke vënë në dukje se viti 2025 do të shënojë 30-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, ku humbën së paku 8.372 jetë, mijëra u zhvendosën dhe familje dhe komunitete u shkatërruan...

1. vendos ta shpallë 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të Vitit 1995 në Srebrenicë, që do të shënohet çdo vit;

2. dënon pa rezerva çdo mohim të gjenocidit të Srebrenicës si një ngjarje historike dhe u bën thirrje shteteve anëtare që t’i ruajnë faktet e vërtetuara, duke përfshirë përmes sistemeve të tyre arsimore [dhe] duke zhvilluar programe të përshtatshme drejt parandalimit të mohimit dhe shtrembërimit të gjenocidit, si dhe përsëritjes së tij në të ardhmen.

3. gjithashtu dënon pa rezerva veprimet që i madhërojnë të dënuarit për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare, përfshirë ata që janë përgjegjës për gjenocidin e Srebrenicës;

4. thekson rëndësinë e përfundimit të procesit të gjetjes dhe identifikimit të viktimave të mbetura të gjenocidit në Srebrenicë dhe varrimin e dinjitetshëm të tyre, si dhe bën thirrje për ndjekjen e vazhdueshme të atyre autorë të gjenocidit në Srebrenicë, që nuk janë përballur ende me drejtësinë;

5. u bën thirrje të gjitha shteteve që t’iu përmbahen plotësisht detyrimeve të tyre sipas Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit, dhe të drejtës ndërkombëtare zakonore për parandalimin dhe ndëshkimin e gjenocidit, duke i pasur parasysh vendimet përkatëse të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë;

6. kërkon nga sekretari i përgjithshëm të krijojë një program informimi të titulluar “Gjenocidi i Srebrenicës dhe Kombet e Bashkuara”, duke i filluar aktivitetet e tij me përgatitjet për përvjetorin e tridhjetë në vitin 2025, dhe gjithashtu i kërkon sekretarit të përgjithshëm që ta sjellë rezolutën aktuale në vëmendjen e të gjitha shteteve anëtare, organizatave të sistemit të Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të shoqërisë civile, që ta respektojnë siç duhet;

7. i fton të gjitha shtetet anëtare, organizatat e sistemit të Kombeve të Bashkuara, organizatat tjera ndërkombëtare e rajonale dhe shoqërinë civile, përfshirë organizatat joqeveritare, institucionet akademike dhe palët e tjera relevante, që ta respektojnë Ditën Ndërkombëtare, duke përfshirë rite dhe aktivitete të veçanta në kujtim dhe nder të viktimave të gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë, si dhe edukim të duhur dhe aktivitete për ndërgjegjësimin e publikut.

Tekstin e plotë të rezolutës në gjuhën angleze mund ta gjeni KËTU

XS
SM
MD
LG