Ndërlidhjet

Pushteti dhe opozita maqedonase me akuza të ndërsjella për rezervat ushqimore


Një treg në Shkup të Maqedonisë së Veriut.

Kriza në Ukrainë e ka gjetur të papërgatitur Maqedoninë e Veriut, e cila ka mungesë të rezervave ushqimore dhe të karburanteve, ka thënë të shtunën opozita maqedonase, duke komentuar situatën me rritjen e çmimeve për shkak të luftës në Ukrainë.

“Nëse Qeveria e dinte për krizën, pse nuk u përgatit në kohë? Të gjitha vendet e rajonit e deklarojnë qartë dhe me zë të lartë gjendjen e rezervave dhe vetëm në vendin tonë Qeveria ka retorikë boshe. Për këtë arsye qytetarët janë të shqetësuar. Ata nuk i besojnë më qeverisë së LSDM-së dhe BDI-së, të administruar nga [kryeministri maqedonas, Dimitar] Kovaçevski. Pse shteti lejon rritjen e çmimit të bukës dhe varfërimin shtesë të qytetarëve që tashmë paguajnë 30% më shtrenjtë për rrymën dhe 70% karburantet më shtrenjtë në krahasim me periudhën e para krizës në Ukrainë”, thuhet në një reagim të partisë maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE.

Opozita thotë se “nga presidenti serb, Alesksandar Vuçiq ka mësuar se Maqedonia e Veriut ka kërkuar grurë dhe misër dhe sasia e kërkuar do të na dorëzohet. Qeveria arsyetohet në mënyrë të ngathët dhe krijon dyshime edhe më të mëdha te njerëzit”.

Por, nga Qeveria maqedonase kanë hedhur poshtë akuzat e opozitës duke thënë se vendi ka rezerva dhe se nuk duhet të krijohet panik në mesin e popullatës.

“Qytetarët nuk duhet të kenë frikë dhe të jenë të qetë. Grurë ka mjaftueshëm dhe furnizimi është në gjendjen më të mirë, dhe ajo që është më e rëndësishmja është se prodhimi vendas është rritur. Të gjitha lajmet e rreme dhe dezinformatat e VMRO-DPMNE-së, përmes të cilave tentojnë të shqetësojnë opinionin, kanë rënë në ujë. Në kohën e krizës globale, është veçanërisht e rëndësishme të mbështetet bujqësia vendase, e cila është një nga industritë tona kryesore”, ka deklaruar Trajan Dikovski, zyrtar i Lidhjes Social Demokrate në pushtet, njëherësh ish-ministër i Bujqësisë.

Kriza në Ukrainë besohet se ka ndikuar në rritjen e çmimeve të të gjitha prodhimeve ushqimore, ndërsa të premten në mbrëmje pati kolona të gjata para pikave të karburanteve pas përhapjes së disa informacioneve për mungesë të derivateve të naftës.

XS
SM
MD
LG