Ndërlidhjet

Rezoluta për gjenocidin ndaj armenëve rrit tensionet SHBA-Turqi


Përkujtimi i viktimave të gjenocidit ndaj armenëve. Jerevan, Armeni, 2018.
Përkujtimi i viktimave të gjenocidit ndaj armenëve. Jerevan, Armeni, 2018.

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara ka miratuar me shumicë votash një rezolutë, që e njeh si gjenocid masakrën ndaj armenëve në Perandorinë Osmane në fillim të shekullit të 20-të.

Kjo masë provokoi zemërim në Turqi.

Dhoma e miratoi rezolutën jodetyruese, më 29 tetor, me një votim prej 405 votash pro dhe 11 kundër.

Votimi vjen në kohën kur marrëdhëniet ndërmjet SHBA-së dhe Turqisë janë të tensionuara, për shkak të Sirisë.

Kryesuesja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, tha se ajo ishte e nderuar të bashkohej me kolegët e saj "në përkujtimin solemn të një prej mizorive të mëdha të shekullit të 20-të, vrasjen sistematike të më shumë se 1.5 milion burrave, grave dhe fëmijëve armenë nga Perandoria Osmane".

Në vitin 2017, presidenti i amerikan Donald Trump kritikoi vrasjet e armenëve në shekullin e 20-të dhe tha se kjo ngjarje ishte "një nga mizoritë më të këqija të atij shekulli", por ai nuk e përdori fjalën gjenocid.

Para se të zgjidhej në vitin 2008, ish-presidenti amerikan, Barack Obama ishte zotuar të njohë gjenocidin ndaj armenëve, por përfundimisht nuk e bëri këtë gjatë dy mandateve të tij në detyrë.

Por, përfaqësuesja demokrate Nancy Pelosi, në fjalimin e saj, tha se e vërteta e "krimit tronditës" është mohuar shumë shpesh.

"Sot, le të themi qartë faktet për t'u përfshirë përgjithmonë në procesverbalin e Kongresit: barbaria e kryer kundër popullit armen ishte një gjenocid", tha Pelosi.

Aram S. Hamparian, drejtori ekzekutiv i Komitetit Kombëtar armen të Amerikës me qendër në Uashington, e quajti miratimin një "kundërshtim absolut" të pretendimeve të Stambollit.

"Turqia e di se nëse SHBA-ja nuk është bashkëpunëtore në mohimin e tyre, atëherë ai mohim nuk është i qëndrueshme", i tha Radios Evropa e Lirë, Aram Hamparian.

Rezoluta u prezantua nga Adam Schiff, një demokrat nga Kalifornia, vend ky në të cilin ka një popullsi të madhe armene. Rezoluta duhet të kalojë edhe në Senat.

Reagimet nga Armenia dhe Turqia

Kryeministri armen, Nikol Pashinian përshëndeti rezolutën, duke e cilësuar atë "një hap të guximshëm drejt shërbimit të së vërtetës dhe drejtësisë historike".

“1915 kurrë më” është një nga pankartat që kishin mbajtur protestuesit armenë gjatë një proteste në Strasburg.
“1915 kurrë më” është një nga pankartat që kishin mbajtur protestuesit armenë gjatë një proteste në Strasburg.

Pashinian tha se masa "ofron rehati për miliona pasardhës të të mbijetuarve nga gjenocidi armen" dhe vlerësoi përpjekjet e armeno-amerikanëve, duke thënë se "aktivizmi dhe këmbëngulja vetëmohuese e të cilëve ishin forca lëvizëse dhe frymëzimi pas votimit historik të rezolutës".

Turqia paralajmëroi se rezoluta amerikane rrezikon të dëmtojë lidhjet "në një kohë jashtëzakonisht të brishtë" për sigurinë ndërkombëtare dhe rajonale.

Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu.
Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu.


"Si një hap i pakuptimtë politik, adresuesit e kësaj rezolute janë lobi armen dhe grupet anti-Turqi", tha Ministria e Jashtme përmes një deklarate.

Përmes një reagimi tjetër, ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu kritikoi rezolutën, duke e quajtur atë "hakmarrje" për operacionin e Turqisë në veri të Sirisë në fillim të këtij muaji.

Forcat turke më 9 shtator sulmuan luftëtarët kurdë në veri të Sirisë, pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, urdhëroi tërheqjen e trupave amerikane nga rajoni.

Uashingtoni dënoi menjëherë operacionin ushtarak të Ankarasë.

Ligjvënësit amerikanë nuk u ndalen vetëm me rezolutën që njeh gjenocidin ndaj armenëve.

Dhoma e Përfaqësuesve miratoi sanksione kundër Turqisë për veprimet e saj në Siri.

Mbështetur nga demokratët dhe republikanët, legjislacioni i bën thirrje presidentin amerikan Donald Trump të vendosë sanksione ndaj Turqisë.

Të dyja masat - fati i të cilave në Senat është i paqartë - erdhën në ditën kur Turqia shënoi festën e saj kombëtare.

Çështja armene dhe Turqia

Turqit osmanë vranë dhe dëbuan rreth 1.5 milion armenë, një pakicë e krishterë në Perandorinë kryesisht myslimane, gjatë dhe menjëherë pas Luftës së Parë Botërore.

Shumë historianë dhe disa vende të tjerë e konsiderojnë masakrën si gjenocid.

Disa aktivistë për të drejtat e njeriut në Turqi mbajnë në duar portretet e intelektualëve armenë që ishin deportuar më 1915.
Disa aktivistë për të drejtat e njeriut në Turqi mbajnë në duar portretet e intelektualëve armenë që ishin deportuar më 1915.

Turqia, një anëtare e NATO-s, ka kundërshtuar një përcaktim të tillë, duke pretenduar se vdekjet ishin më shumë rezultat i grindjeve civile sesa një përpjekje e planifikuar e Qeverisë osmane për të asgjësuar armenët.

Turqia gjithashtu pretendon se më pak armenë vdiqën sesa ishte raportuar.

Armenia thotë se vrasja masive është një nga shembujt e parë të gjenocidit në historinë moderne, përpara Holokaustit të kryer nga Gjermania naziste kundër më shumë se 6 milionë hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Përgatiti: Kestrin Kumnova
XS
SM
MD
LG