Ndërlidhjet

Të mërkurën, vendimi për riformatimin e Qeverisë


Kryeministri Zoran Zaev gjatë një mbledhjeje me kabinetin e tij qeveritar. Foto nga arkivi.

Kalimi i Ministrisë së Financave në duart e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev është ndryshimi i vetëm më thelbësor, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike teksa komentojnë propozimet për riformatimin e Qeverisë.

Për ditën e mërkurë është caktuar seanca parlamentare, në të cilën pritet të votohet propozimi i pesë ministrave të rinj, emrat e të cilëve i bëri të ditur të dielën kryeministri Zaev.

Ndryshime do të ketë në Ministrinë e Ambientit Jetësor, ku pritet të zgjidhet ministër Naser Nuredini. Në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale është propozuar Goran Milevski, ndërkaq për ta udhëhequr Ministrinë e Sistemit Politik është propozuar Sadulla Duraku.

Pas dorëheqjeve të dy ministrave, ndryshime do të ketë edhe në Ministrinë e Bujqësisë, ku është propozuar Trajan Dimovski, ndërkaq Ministrinë e Kulturës, Hisni Ismaili është propozuar që ta drejtojë atë.

Kryeministri Zaev ka theksuar se ai ka vendosur që ta udhëheqë Ministrinë e Financave, pasi siç është shprehur, ky vit do të jetë i rëndësishëm për ekonominë e vendit.

Por, për ekspertët ky veprim nuk shihet dhe aq me optimizëm sepse bëhet fjalë për një dikaster që kërkohet shumë punë dhe përkushtim, ndërkohë që posti i kryeministrit nuk e lë këtë hapësirë për t’u shpërndarë në dy pozita drejtuese.

Ekspertët thonë se Zaev me këtë veprim i siguron vetes një pozitë në Qeveri edhe në kuadër të Qeverisë teknike, e cila është paraparë me Marrëveshjen Përzhinës, e cila duhet të funksionojë 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, që duhet të realizohen vitin e ardhshëm.

Arsim Sinani, nga Qendra për Studime Ndërkombëtare dhe Hulumtime Ballkanike, për Radion Evropa e Lirë thotë se lista me propozimet për ministrat e rinj nuk sjell asgjë të re, ndërkohë që në krye të dikastereve, thekson ai, mbeten persona që nuk kanë arritur të procedojnë rezultatet të cilat qartë janë definuar si obligime për Maqedoninë e Veriut nga Brukseli.

“Propozimin me emrat e rinj të ministrave më shumë e shoh si kozmetikë dhe më tepër për t’i thënë opinionit publik se ‘ja ne po bëjmë reforma, ja ne po i ndryshojmë njerëzit që nuk kanë treguar rezultate’, por për fat të keq, kjo nuk po ndodh në realitet. Këtu po ndodh vazhdimi i mentalitetit të (ish-kryeministrit Nikola) Gruevskit, po vazhdon shpirti i tij të endet nëpër zyret e Qeverisë. Kjo Qeveri do të ketë probleme sepse nuk arrin të çlirohet nga ky mentalitet”.

“Ne kemi një gjyqësi të korruptuar, ne kemi një sistem dhe aparat shtetëror që funksionon në mënyrë kaotike, kemi ikje masive të qytetarëve nga vendi dhe kemi premtime se do të futemi në BE dhe NATO, por me një Maqedoni të Veriut të boshatisur”, thotë Sinani.

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike Aleksandar Kërzhallovski, njëherësh bartës i shumë projekteve për hulumtimin e opinionit publik, për Radion Evropa e Lirë thotë se pas ristrukturimit, Qeverinë e Zaevit e pret shumë punë dhe ndryshimet e prezantuara, japin pak shpresë se proceset reformuese do të shtyhen përpara, pasi që periudha deri në përfundimin e mandatit të koalicionit aktual qeverisës, është shumë e shkurtër.

“Ka më shumë fronte ku kjo Qeveri duhet të tregojë rezultate, që realisht të mund të pres caktimin e datës për fillimin e bisedimeve me BE-në. Duhet të dëshmojë se është e vendosur në realizimin e reformave në administratën publike, sferën e mediave dhe veçanërisht në luftën kundër korrupsionit, i cili është në nivel të lartë në shtet".

“Nuk besoj se me këto ndryshime të vogla, sa i përket udhëheqjes se një pjese të ministrive, mund të bëhen ndryshime të mëdha. Të shohim se çfarë ndryshime do të bëjë kryeministri Zaev me drejtoritë dhe institucionet publike që i paralajmëroi dhe atëherë do të kemi një pasqyrë më të qartë rreth asaj se ndryshimet do të paraqesin ose jo një motor për t’i shtyrë proceset para, në interes të qytetarëve”, thotë Kërzhallovski.

Pasriformatimit të Qeverisë, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka paralajmëruar ndryshime më të thella në eshalonin e dytë dhe atë të tretë, me ç’rast pritet të përfshihen krahas drejtuesve të institucioneve dhe drejtues të bordeve udhëheqëse në ndërmarrjet publike.

XS
SM
MD
LG