Ndërlidhjet

Kritikohet rizgjedhja e Tërnavës për herë të katërt në krye të BIK-ut


Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava. Foto nga arkivi.
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava. Foto nga arkivi.

Rizgjedhja e Naim Tërnavës si myfti i Kosovës për herë të katërt nuk është pritur mirë nga një pjesë e imamëve, të cilët në vazhdimësi kanë kundërshtuar kandidimin e tij për kryetar të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK).

Imami i Drenasit, Osman Musliu, thotë për Radion Evropa e Lirë se rizgjedhja e Tërnavës si myfti i Kosovës, është keqpërdorim i detyrës nga ana e tij. Ai thotë se zgjedhjet e mbajtura në BIK, janë manipulime.

“Këto nuk janë as zgjedhje as zgjidhje, por janë më shumë manipulime. Do Zoti ishalla edhe hoxhallarët edhe besimtarët e kuptojnë këtë pak më herët. Për mua kjo është keqpërdorim i pozitës të kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës”, thotë Musliu.

Edhe më herët, njohës të islamit, por edhe imamë që janë pjesë e sindikatës së BIK-ut, kanë akuzuar Naim Tërnavën se ka shkelur Kushtetutën e BIK-ut, me rastin e rikandidimit të tij.

Mirëpo, bazuar në Kushtetutën e Bashkësisë Islame të Kosovës, atij nuk i ndalohet që të rikandidojë për të parin e këtij institucioni. Kjo mundësi i është dhënë, pas ndryshimeve në nenin i cili e kufizonte që një person mund të shërbente si myfti më së shumti në dy mandate. Këto ndryshime u bën në vitin 2013 para se Tërnava ta merrte mandatin e tretë.

Sekretari i BIK-ut, Resul Rexhepi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka hedhur poshtë zërat kritikë se rizgjedhja e Tërnavës nuk ishte në pajtim me Kushtetutën e BIK-ut.

“Bashkësia Islame, organet e Bashkësisë Islame, kanë qenë jashtëzakonisht transparente. I kemi njoftuar me kohë të gjitha mediat. Në asnjë element, me asnjë nen, me asnjë lëvizje, me asnjë veprim nuk është shkelur Kushtetuta e Bashkësisë Islame të Kosovës”, thotë Rexhepi.

Rexhepi thotë se zgjedhjet janë organizuar në mënyrë demokratike dhe se gjithçka ka qenë transparente.

“I kemi pasur pardje, 60 fletëvotime, nga të cilët 2 fletëvotime kanë qenë të pavlefshme, janë lënë anash. Nga fletëvotimet e ngelura pastaj 52 vota kanë qenë për Naim Tërnavën, ndërkaq 6 vota kanë qenë për kundërkandidatin Reshat Mexhiti”, thotë Rexhepi.

Për pesë vjetët e ardhshme, aq edhe sa është mandati i myftiut, Naim Tërnava, do të udhëheqë me 800 xhami sa janë në Kosovë. Ky është mandati i katërt me radhë i Tërnavës. Për kundërkandidat në këto zgjedhje, ai kishte zëvendësin e tij, Reshat Mexhiti.

XS
SM
MD
LG