Ndërlidhjet

Çfarë nënkuptojnë rregullat e reja të BE-së për gjigantët e teknologjisë?


Logot e disa kompanive të mëdha të teknologjisë: Alphabet, Amazon, Apple, Facebook, dhe Microsoft.
Logot e disa kompanive të mëdha të teknologjisë: Alphabet, Amazon, Apple, Facebook, dhe Microsoft.

AP

Gjigantët Google, Facebook, TikTok, dhe kompani të tjera të teknologjisë, që operojnë në Evropë, po përballen me një nga përpjekjet më të gjera për ta pastruar përmbajtjen në të cilën njerëzit hasin në internet.

Faza e parë e rregullave të reja digjitale të Bashkimit Evropian do të hyjë në fuqi këtë javë. Akti i Shërbimeve Digjitale (DSA) është pjesë e një sërë rregulloresh të përqendruara në teknologji, të hartuara nga blloku prej 27 vendeve evropiane, që është bërë prej kohësh lider global në mbikëqyrjen e gjigantëve të teknologjisë.

DSA-ja, të cilës do t’i nënshtrohen platformat më të mëdha duke filluar nga e premtja, është krijuar për t'i mbajtur përdoruesit të sigurt në internet dhe për ta ndalur përhapjen e përmbajtjeve të dëmshme që janë, ose të paligjshme, ose shkelin kushtet e shërbimit të një platforme, si promovimi i gjenocidit ose anoreksisë. DSA-ja, gjithashtu, duhet t’i mbrojë të drejtat themelore të evropianëve si privatësia dhe liria e fjalës.

Disa platforma online, të cilat mund të përballen me gjoba prej miliarda eurosh nëse nuk i respektojnë rregullat e reja, tashmë kanë filluar të bëjnë ndryshime.

Ja se çfarë po ndodh këtë javë:

Cilat platforma preken nga DSA-ja?

Deri më tani, gjithsej 19. Ato përfshijnë tetë platforma të rrjeteve sociale: Facebook, TikTok, X (më herët i njohur si Twitter), YouTube, Instagram, LinkedIn, Pinterest dhe Snapchat.

Në mesin e platformave që preken nga këto rregulla janë edhe disa kompani që ofrojnë shitje online: Amazon, Booking.com, Alibaba AliExpress i Kinës, dhe Zalando i Gjermanisë.

Dyqanet e aplikacioneve celulare Google Play dhe App Store i Apple, gjithashtu, do të duhet t’iu përmbahen këtyre rregullave, njëjtë si makinat e kërkimit të Google dhe Bing-ut të Microsoft.

Google Maps dhe Wikipedia janë dy kompanitë që e kompletojnë këtë listë.

Çfarë ndodh me kompanitë e tjera që funksinojnë online?

Lista e BE-së bazohet në shifrat e dorëzuara nga vetë platformat. Ata me 45 milionë ose më shumë përdorues – apo 10 për qind të popullsisë së BE-së – do të përballen me nivelin më të lartë të rregullimit të DSA-së.

Burimet nga Brukseli, megjithatë, kanë vënë në dukje disa lëshime të dukshme nga lista e BE-së, si eBay, Airbnb, Netflix dhe madje edhe PornHub. Lista nuk është përfundimtare dhe është e mundur që edhe platforma të tjera të shtohen më vonë.

Çdo biznes që ofron shërbime digjitale për evropianët përfundimisht do të duhet të pajtohet me rregullat e DSA-së. Megjithatë, ata do të përballen me më pak detyrime se platformat më të mëdha, dhe do të kenë edhe gjashtë muaj të tjerë para se të duhet t’i respektojnë të gjitha rregullat e reja.

Çfarë po ndryshon?

Platformat kanë filluar të gjejnë mënyra të reja përmes së cilave përdoruesit evropianë mund të njoftojnë për përmbajtjet e paligjshme në internet dhe produktet e dyshimta, të cilat kompanitë do të detyrohen t'i heqin shpejt.

DSA-ja “do të ketë ndikim të rëndësishëm në përvojën e evropianëve kur hapin telefonat e tyre ose ndezin laptopët e tyre”, tha Nick Clegg, presidenti i Meta-s për çështjet globale.

Mjetet ekzistuese të Meta-s, kompanisë pronare të Facebook dhe Instagram, për të raportuar për përmbajtje të paligjshme, ose që shkelin rregullat do të jenë më të lehta për t'u qasur, tha Clegg.

Amazon hapi një kanal të ri për raportimin e produkteve që dyshohet se janë të paligjshme dhe do të ofrojë më shumë informacion rreth tregtarëve të palëve të treta.

TikTok u dha përdoruesve një “opsion shtesë raportimi” për përmbajtjet si reklamat, që ata besojnë se janë të paligjshme. Kategori të tilla për raportimin e përmbajtjes – si gjuha e urrejtjes dhe ngacmimi, vetëvrasja dhe lëndimi i vetvetes, keqinformimi dhe mashtrimet – do t'i ndihmojnë ata ta identifikojnë më lehtë problemin.

Më pas, një “ekip i ri i dedikuar moderatorësh dhe specialistësh ligjorë”, do të përcaktojë nëse përmbajtja e raportuar ose shkel politikat e saj ose është e paligjshme dhe duhet të hiqet, sipas aplikacionit nën pronësi të kompanisë kineze ByteDance.

TikTok thotë se arsyeja e fshirjes së postimit do t'i shpjegohet personit që e ka postuar materialin dhe atij që e ka raportuar dhe vendimet mund të apelohen.

Përdoruesit e TikTok-ut mund t’i çaktivizojnë sistemet që rekomandojnë video dhe postime bazuar në atë që një përdorues ka parë më parë. Përdoruesit e Facebook, Instagram dhe Snapchat do të kenë opsione të ngjashme. Sisteme të tilla janë kritikuar se i drejtojnë përdoruesit e rrjeteve sociale drejt postimeve gjithnjë e më ekstreme.

DSA-ja ndalon shënjestrimin e kategorive të cenueshme të njerëzve, si fëmijët, me reklama.

Snapchat tha se reklamuesit nuk do të jenë në gjendje të përdorin mjetet e personalizimit dhe optimizimit për adoleshentët në BE dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Përdoruesit e Snapchat, të cilët janë të paktën 18 vjeç, gjithashtu, do të kenë më shumë transparencë dhe kontroll mbi reklamat që shohin, përfshirë “detajet” se pse atyre po u shfaqen reklama specifike.

TikTok bëri ndryshime të ngjashme, duke ndaluar reklamat e personalizuara “bazuar në aktivitetet e tyre në ose jashtë TikTok” për përdoruesit nga 13 deri në 17 vjeç.

A ka tentim për t’u rezistuar rregullave të reja?

Zalando, një kompani gjermane e shitjes me pakicë në internet, ka nisur një proces ligjor për përfshirjen e saj në listën e DSA-së të platformave më të mëdha online, duke argumentuar se po trajtohet në mënyrë të padrejtë.

Megjithatë, edhe Zalando ka nisur sisteme të reja të raportimit të përmbajtjes në uebfaqen e saj, edhe pse ka pak rrezik që materiali i paligjshëm të shfaqet në koleksionin e tyre shumë të kuruar të rrobave, çantave dhe këpucëve.

Kompania ka mbështetur DSA-në, tha Aurelie Caulier, kreu i marrëdhënieve publike të Zalando për BE-në.

“Do të sjellë shumë ndryshime pozitive” për konsumatorët, tha ajo. Por “në përgjithësi, Zalando nuk përballet me rrezik sistemik. Kjo është arsyeja pse ne mendojmë se nuk përkasim në atë kategori”.

Amazon ka nisur një padi të ngjashme në një gjykatë të lartë të BE-së.

Çfarë ndodh nëse kompanitë nuk i përfillin rregullat?

Zyrtarët i kanë paralajmëruar kompanitë e teknologjisë se shkeljet mund të sjellin gjoba deri në 6 për qind të të ardhurave të tyre globale – të cilat mund të arrijnë në miliarda – ose edhe një ndalim nga BE-ja. Por, mos prisni që dënimet të vijnë menjëherë për shkelje individuale, si dështimi për ta hequr një video specifike që promovon gjuhën e urrejtjes.

Në vend të kësaj, DSA-ja mbikëqyr më shumë nëse kompanitë e teknologjisë kanë proceset e duhura për ta reduktuar dëmin që sistemet e tyre të rekomandimeve të bazuara në algoritme mund t'u shkaktojnë përdoruesve. Ata do të duhet ta lejojnë Komisionin Evropian, krahun ekzekutiv të BE-së, ta mbikëqyrë funksionimin e algoritmeve të tyre.

Zyrtarët e BE-së “janë të shqetësuar me sjelljen e përdoruesve nga njëra anë, si ngacmimi dhe përhapja e përmbajtjes ilegale, por ata janë gjithashtu të shqetësuar për mënyrën se si funksionojnë platformat dhe se si ato kontribuojnë në efektet negative”, tha Sally Broughton Micova, një profesoreshë në Universitetin e Anglisë Lindore.

Rregullat e reja përfshijnë mbikëqyrjen se si funksionojnë sistemet e reklamave digjitale në këto platforma, të cilat mund të përdoren për të profilizuar përdoruesit për materiale të dëmshme si dezinformimi, ose se si funksionojnë sistemet e tyre të transmetimit të drejtpërdrejtë, të cilat mund të përdoren për të përhapur menjëherë përmbajtje terroriste, tha Broughton Micova.

Platformat e mëdha duhet të identifikojnë dhe vlerësojnë rreziqet e mundshme sistematike dhe nëse po bëhet mjaftueshëm për t'i reduktuar ato. Këto vlerësime të rrezikut duhet të bëhen deri në fund të gushtit dhe më pas do të auditohen në mënyrë të pavarur.

Auditimet pritet të jenë mjeti kryesor për ta verifikuar pajtueshmërinë – megjithëse plani i BE-së është përballur me kritika për paqartësi lidhur me mënyrën se si do të funksionojë procesi.

Por, çfarë do të ndodhë në pjesën tjetër të botës?

Ndryshimet e kërkuara nga BE-ja mund të kenë ndikim global. Wikipedia po ndryshon disa politika dhe po modifikon kushtet e saj të përdorimit për të ofruar më shumë informacion mbi “përdoruesit dhe përmbajtjet problematike”.

Këto ndryshime nuk do të kufizohen në Evropë dhe “do të zbatohen globalisht”, tha Fondacioni jofitimprurës Wikimedia, që ofron një enciklopedi me kontribut nga përdoruesit.

“Rregullat dhe proceset që drejtojnë projektet e Wikimedia në mbarë botën, përfshirë çdo ndryshim në përgjigje të DSA-së, janë sa më universale të jetë e mundur”, thuhet në një deklaratë.

Snapchat tha se procesi i tij i ri i raportimit dhe apelimit për raportimin e përmbajtjeve të paligjshme ose llogarive që shkelin rregullat do të aplikohet fillimisht në BE dhe më pas globalisht në muajt e ardhshëm.

Do të jetë e vështirë për kompanitë e teknologjisë të kufizojnë ndryshimet në lidhje me DSA-në, tha Broughton Micova, duke shtuar se rrjetet e reklamave digjitale nuk janë të izoluara në Evropë dhe se influencerët e rrjeteve sociale mund të kenë shtrirje globale.

Përgatiti: Doruntina Baftiu
XS
SM
MD
LG