Ndërlidhjet

Dyqanet me rroba të përdorura, alternativë për maqedonasit


Një dyqan me rroba të përdorura në Shkup të Maqedonisë së Veriut.

Dyqanet që shesin rroba të përdorura nga markat e njohura botërore gjithnjë e më shumë po bëhen atraktive për qytetarët në Maqedoninë e Veriut, veçmas për ata që kanë të ardhura më të ulëta, por edhe për të rinjtë që kërkojnë të gjejnë veshje më unike.

Së fundi, në kryeqytetin maqedonas, Shkup, janë hapur dhjetëra dyqane të tilla.

Irena Simonoska, e cila që tre vjet punon si shitëse në një dyqan të rrobave të përdorura, thotë për Radion Evropa e Lirë se dyqani po frekuentohet më shumë nga të rinjtë, por ka edhe klientë të moshuar.

“Me intensitet gjithnjë e më të madh vijnë të blejnë në këtë dyqan. Kriza e bëri të veten, te ne gjen rroba dhjetë herë më lirë se në një dyqanet me rroba të reja. Të rinjtë e dinë se në këto dyqane mund të gjesh rroba që janë të markave të njohura dhe me një cilësi të lartë, pavarësisht se ato janë të përdorura. Andaj me të hyrë në dyqan, pyesin se cilat nga markat e njohura i kemi në dispozicion për momentin”, thotë ajo.

Irena shpjegoi se rrobat që mbajnë në dyqanin e tyre vijnë nga shtetet e Bashkimit Evropian, kryesisht nga Danimarka.

Përfitimet nga blerja e rrobave të përdorura
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:05:43 0:00

Ndërkaq, një qytetare, që u prezantua me emrin Valbona, thotë se shpesh blen rroba në dyqane të tilla. Megjithatë, ajo thotë se kur blen rroba të përdorura, nuk u tregon fëmijëve, sepse thotë se ka frikë “nga paragjykimet”.

“Rrugës për në punë çdo ditë kaloj rreth këtyre dyqaneve. Më ndodh që shpesh të hyjë brenda dhe të gjej gjëra të bukura me çmim të arsyeshëm, por nëse blej s’ua them fëmijëve për shkak të paragjykimeve se nëse vesh një rrobë të përdorur, ne jemi varfëruar tej mase”, thotë ajo.

Tamara Ivcevska, gjimnaziste, thotë se me shumë shoqe të saj frekuenton dyqanet me rroba të përdorura, pasi sipas saj, në to mund të gjenden shumë gjëra unike.

“Nëntëdhjetë për qind e shoqeve blejnë në këto dyqane sepse dëshirojnë të duken sipas stilit ‘old school’, ose me diçka të veçantë që nuk e gjen në qendrat tregtare”, thotë ajo duke thekuar se duke blerë rroba të përdorura mbrohet dhe ambienti nga ndotja.

Por, pensionisti Nikolla, tha se kushtet e rënda ekonomike e kanë detyruar që të blejnë xhup të përdorur, me qëllim që ta kalojë dimrin.

“Marrë parasysh varfërinë që ka kapluar vendin, inflacionin në rritje dhe rrogat e ulëta, është normale që njerëzit të kërkojnë diçka më të lirë”, thotë ai.

Shitësja Irena Simonoska thotë se gjithnjë e më shumë vijnë dhe qytetarët që për të shitur rrobat e tyre të cilat dikur i kanë blerë për një çmim shumë të lartë, siç janë xhaketat nga lëkura, çanta dore të markave të njohura apo gjësende të çmuara.

Në Maqedoninë e Veriut, rroga minimale është 300 euro, ndërkaq ajo mesatare 500. Papunësia llogaritet të jetë nën 20 për qind.

XS
SM
MD
LG