Ndërlidhjet

Pse po kundërshtohet Shaboviq në përfaqësimin e Kosovës në Olimpiadë?


Notari Adell Shaboviq.
Notari Adell Shaboviq.

Me prejardhje nga qyteti perëndimor i Kosovës, Peja, notari Adell Shaboviq po përballet me kundërshtime në rrugën e tij drejt përfaqësimit të Kosovës në not në Lojërat Olimpike, Parisi 2024.

Shaboviq, që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mori ftesë nga Federata Botërore e Sporteve të Ujit (FINA), që ta përfaqësojë Kosovën në Olimpiadë.

Ai u ftua pasi ishte notuesi kosovar me më së shumti pikë në renditjet e Federatës Botërore të Sporteve të Ujit.

Por, përzgjedhjen e tij po e kundërshton Federata e Notit e Kosovës, e cila synoi dërgimin e një notari tjetër në Paris.

Drejtuesi i Federatës së Notit të Kosovës, Agron Zeqiri, thotë se ky institucion ka të drejtën ekskluzive që të propozojë sportistët që marrin pjesë në gara olimpike.

Ka një kohë që ai, së bashku me kryesinë e Federatës hedhin dyshime për veprime të padrejta nga Komiteti Olimpik i Kosovës, (KOK) në rastin e përzgjedhjes së Adell Shaboviqit.

“Nuk ekziston nominim pa bashkëpunim [në mes të Federatës dhe Komitetit Olimpik]. Nuk ka përfaqësues [sportist] që institucionet botërore ta diktojnë”, thotë Zeqiri.

Por, Komiteti Olimpik i Kosovës, (KOK) tha se Adell Shaboviq dhe notarja tjetër Hana Beiqi, nuk janë përzgjedhur nga ky institucion, por vetëm janë konfirmuar.

“KOK-u nuk ka bërë përzgjedhjen e tyre, dhe roli ynë ka qenë t’i pranojmë ose jo këta emra, pa pasur mundësinë e as arsyen për ndryshime, andaj adresa e vetme për ankesë të Federatës së Notit të Kosovës në lidhje me këta emra ka qenë World Aquatics dhe jo shpifjet ndaj KOK-ut”, theksoi ky institucion.

Pretendimi i Komitetit Olimpik të Kosovës sa i takon përzgjedhjes së Adell Shaboviqit dëshmohet në një letër që ky institucion ka shpërndarë për mediat më 8 korrik.

Letra zyrtare e World Aquatics drejtuar Komitetit Olimpik të Kosovës për Adell Shaboviqin.
Letra zyrtare e World Aquatics drejtuar Komitetit Olimpik të Kosovës për Adell Shaboviqin.

Në këtë letër të datës 4 korrik 2024, Federata Botërore e Sporteve të Ujit e njofton Komitetin Olimpik të Kosovës që sipas databazës së tyre, Adell Shaboviq është notari me më së shumti pikë dhe, rrjedhimisht kualifikohet për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Parisi 2024, me atë që njihet si ‘ftesë e universalitetit’.

Mundësinë e përfaqësimit të Kosovës në gara vendore e ndërkombëtare e kishte legjitimuar rreth 8 muaj më parë vetë kryetari i Federatës së Notit të Kosovës, Agron Zeqiri.

Më 23 dhjetor të vitit 2023, nëpërmjet një letre zyrtare, Zeqiri kishte konfirmuar se Adell Shaboviq ishte bërë pjesë e Federatës së Notit të Kosovës dhe ai do të mund ta përfaqësojë Kosovën në gara që organizon ky institucion, por edhe nga Federata Botërore e Sporteve të Ujit, duke filluar nga 1 janari i vitit 2024.

Letra e Agron Zeqirit.
Letra e Agron Zeqirit.

I pyetur se pse tani e kundërshton pjesëmarrjen e Shaboviqit, kur vetë zyrtarisht kishte konfirmuar përshtatshmërinë që ai të përfaqësonte Kosovën, Zeqiri thotë për Radion Evropa e Lirë se ajo letër ishte lëshuar dhe nënshkruar gabimisht.

“Ajo [letër] është një gabim teknik dhe përgjegjës jam vetëm unë. Jo edhe anëtarët e bordit”, pretendon Zeqiri, i cili thotë se më vonë, Shaboviqit i është bërë e qartë se letra nuk i garanton pjesëmarrje direkte në gara, por vetëm trajtim të barabartë me sportistët e tjerë të Kosovës.

“Problem” edhe përkatësia etnike

Në kundërshtimin që Federata e Notit i bëri përzgjedhjes së Adell Shaboviqit, në disa raste u përmend edhe përkatësia etnike e prindërve të tij.

Udhëheqësi i Klubit të Notit “Ilirida” nga Fushë Kosova, Ardian Hamiti, ngre dyshime se Federata e Notit po bën përpjekje ta pengojë pjesëmarrjen e tij pikërisht për shkak të përkatësisë së tij etnike boshnjake.

“Ne e kemi parë një fushatë të egër ku Adelli quhet serb e në disa raste edhe rus e që ne mendojmë që është një fushatë që nuk do të duhej të ndodhte në Kosovë”, thotë Hamiti.

Ai më tej shton se në rastin e Shaboviqit, janë ndjekur të gjitha procedurat ligjore dhe janë respektuar rregulloret në fuqi në mënyrë që ai ta përfaqësojë Kosovën në Lojërat Olimpike në Paris.

Hamiti kërkon ndaljen e, siç thotë, fushatës raciste dhe fton Komitetin Olimpik të Kosovës t’i adresojë tek institucionet e drejtësisë, kërcënimet dhe presionet që po i bëhen Shaboviqit.

“Adelli është ndier i pasigurt që të vijë në Kosovë si pasojë e kërcënimeve dhe linçimeve. Edhe po të ishte serb, nuk do të duhej të ishte problem ta përfaqësonte Kosovën”, theksoi Hamiti.

Por, presidenti i Federatës së Notit të Kosovës, Agron Zeqiri, i mohon akuzat e përfshirjes së tij në një fushatë linçuese.

“[Kushdo qoftë] që është ndier i linçuar] prej meje duhet të jetë objekt hetimi dhe çdo rast kur dikush ka ndonjë pretendim, forma më e pranueshme do të ishte të ndërmarrë veprime ligjore dhe të presë verdiktin e gjykatave”, shprehet ai.

Agron Zeqiri, kryetar i Federatës së Notit të Kosovës.
Agron Zeqiri, kryetar i Federatës së Notit të Kosovës.

Komiteti Olimpik i Kosovës, po ashtu, kritikoi Federatën e Notit të Kosovës për ‘etiketime dhe ofendime në baza etnike” kundër Adell Shaboviq.

Si rezultat i tyre, sipas Komitetit Olimpik, u nxit gjuhë e urrejtjes ndaj notarit 21 –vjeçar, i cili më 16 tetor 2023 u pajis me pasaportë të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur të kontaktojë notuesin Shaboviq, ndërkohë që udhëheqësi i Klubit të Notit “Ilirida” në Fushë Kosovë, Ardian Hamiti, thotë se ai është i fokusuar në përgatitje për garat olimpike.

Si përzgjidhen atletët për Lojëra Olimpike?

Në Lojërat Olimpike shtetet garojnë me sportistë të kualifikuar dhe me sportistë me ftesë të universalitetit. Sportistët e kualifikuar janë ata të cilët arrijnë pikët e nevojshme, apo normën olimpike.

Ndërsa, përmes ftesave të universalitetit garojnë sportistë, të cilët nuk kanë arritur dot pikët e nevojshme për t’u kualifikuar.

Këta sportistë ftohen me qëllimin që të rritet numri i garuesve nga shtetet që tradicionalisht kanë pasur delegacione më të vogla.

*Video nga arkivi: Pjesëmarrja e Kosovës për herë të parë në Lojërat Olimpike

Kosova në "RIO 2016"
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:56 0:00

Në ekipin olimpik të Kosovës për lojërat Parisi 2024, janë gjashtë sportistë të kualifikuar - në sportet e xhudos dhe boksit - dhe tre sportistë me ftesë të universalitetit - nga sportet e notit dhe atletikës.

Adell Shaboviq është njëri nga dy notarët që është përzgjedhur të garojë me ftesë të universalitetit.

Përderisa Federata e Notit e Kosovës (FNK) ka theksuar që ajo ka rekomanduar që të garojë një tjetër notar, Mal Gashi, në Lojërat Olimpike, Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) pretendon se përzgjedhja e Adell Shaboviqit është bërë sipas propozimit nga Federata Botërore e Sporteve të Ujit (FINA apo World Aquatics).

Më 25 qershor, sipas një dokumenti të shpërndarë nga KOK-u për media, FINA i kishte dërguar email KOK-ut duke i treguar se dy notarët me më së shumti pikë të grumbulluara janë Adell Shaboviq dhe Hana Beiqi.

KOK-u thotë se nuk ka pasur “mundësi ose arsye” t’i ndryshojë propozimet dhe vetëm i ka pranuar ato.

Dhe, pak më shumë se një javë pas këtij emaili, më 3 korrik, Komiteti Olimpik i Kosovës konfirmoi emrin e Shaboviqit në listën e ekipit Olimpik të Kosovës.

Sipas uebfaqes zyrtare të Lojërave Olimpike, është KOK-u ai i cili duhej ta dorëzonte në FINA aplikimin për ftesat e universalitetit deri më 24 qershor, ndërsa më 3 korrik FINA supozohej të konfirmonte ftesat.

Kundërshtimi nga Federata, një histori e përsëritur

Mosmarrëveshjet lidhur me garimin e Shaboviqit kishin nisur kohë më parë, kur notari e kishte paditur Federatën e Notit të Kosovës në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS), se nuk e kishte lejuar të garonte për Kosovën në Kampionatin Botëror të Sporteve të Ujit, të mbajtur në Doha të Katarit nga 2 deri më 18 korrik. Por, CAS ka thënë se nuk ka juridiksion të merret me padinë e Shaboviqit.

FNK-ja e kishte prezantuar këtë si fitore dhe kishte deklaruar se Shaboviqi kishte tentuar “jashtëligjshëm ta përfaqësonte Kosovën”.

Ndërkohë, nga KOK-u thonë se Shaboviq e kishte humbur rastin në CAS për arsye procedurale, pasi që ankesën është dashur ta parashtrojë atë fillimisht në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Kosovë.

Rasti nuk ishte bërë publik deri në daljen e vendimit përfundimtar.

Lojërat Olimpike Parisi 2024, nisin më 26 korrik dhe përfundojnë më 11 gusht. Në këto gara do të marrin pjesë mbi 10 mijë atletë që garojnë në disiplina të ndryshme.

Kosova deri më tash ka tri medalje olimpike të fituara nga xhudistet Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja origjinale e Radios Evropa e Lirë.

XS
SM
MD
LG