Ndërlidhjet

RT: SHBA-ja ka kërkuar regjistrim si “agjent i jashtëm”


Logoja e RT-së
Logoja e RT-së

Transmetuesi shtetëror rus, RT, dhe mediet e Shteteve të Bashkuara kanë raportuar se Departamenti amerikan i drejtësisë ka kërkuar që RT-ja ta regjistrojë kompaninë që punon për të në Shtetet e Bashkuara, si “agjent i jashtëm”.

RT-ja dhe mediat raportuan të martën se kompanisë që kryen shërbime për kanalin America RT, në një letër nga departamenti, i ishte thënë se duhet të regjistrohet sipas Aktit të Regjistrimit të Agjentëve të Jashtëm, që kërkon zbulimin e lobistëve dhe avokatëve, që përfaqësojnë interesa të jashtme politike.

Departameneti amerikan i drejtësisë nuk i ka konfirmuar e as i ka komentuar raportet.

Në faqen e vet në internet, kryeredaktorja e rrjetit RT, Margarita Simonyan, i ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për udhëheqje të “luftës” kundër mediave ruse.

“Lufta që establishmenti amerikan po e udhëheq me gazetarët tanë, është e dedikuar për të gjithë idealistët entuziastë, të cilët ende besojnë në lirinë e të shprehurit”, tha Simonyan dhe shtoi se “ata që e zbuluan atë, e kanë varrosur atë”.

Në një raport të komunitetit të Inteligjencës së Shteteve të Bashkuara, në muajin janar të këtij viti, ishte konkluduar se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet amerikane të vitit të kaluar, duke e përmendur kompaninë RT, të cilën e quan “kompani kryesore e propagandës ndërkombëtare të Kremlinit”.

Në raport, mëtutje, theksohet se RT America “e ka pozicionuar vetveten si kanal amerikan vendës dhe në mënyrë të qëllimshme ka synuar t’i fsheh lidhjet juridike me qeverinë ruse”.

Në raport theksohej se RT kishte bërë kontratë me themeluesin e faqes në Internet, WikiLeaks, Julian Assange, për t’i publikuar emailat e rrjedhur të brendshëm të Komitetit të Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara gjatë zgjedhjeve.

Disa njerëz të punësuar nga RT, “në mënyrë aktive kanë bashkëpunuar me WikiLeaksin” gjatë fushatës presidenciale, theksohet në raportin e Inteligjencës amerikane.

Prej se raporti ishte publikuar, transmetuesi rus ishte në fokus të hetimeve lidhur me ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhje, në Kongresin e Shteteve të Bashkuara dhe në Departamentin e drejtësisë.

RT-ja është në fokus për shkak të lidhjeve me Michael Flynnin, i cili ishte këshilltari i parë për siguri kombëtare i presidentit amerikan, Donald Trump, dhe i cili ishte paguar nga RT-ja në dhjetor të vitit 2015, për të mbajtur fjalim në një përvjetor, ku ai ishte ulur afër presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

Legjislacioni për agjentët e jashtëm në Shtetet e Bashkuara është miratuar për të hedhur dritë se kush eventualisht mund të punojë në Uashington për qeveritë e jashtme.

Kjo lëvizje e pretenduar kundër RT-së po bëhet në të njëjtën javë kur personi, Andrew Feinberg, i cili kishte punuar për agjencinë e lajmeve ruse, Sputnik, që financohet nga shteti, deri në muajin maj, ishte intervistuar nga zyrtarët e agjencisë FBI në fillim të këtij muaji.

Raporti i Inteligjencës i Shteteve të Bashkuara thotë se Sputnik dhe RT-ja kishin udhëhequr “fushatë të ndikimit” në emër të Kremlinit, gjatë zgjedhjeve presidenciale, duke synuar ta shtonin mbështetjen për kandidatin e atëhershëm republikan, Donald Trump, dhe për të shkaktuar kundërshtim ndaj rivales demokrate, Hillary Clinton.

Feinberg tha se zyrtarët e FBI-së në intervistë ishin fokusuar se si është operimi i brendshëm i Sputnikut, derisa prodhon lajme në disa platforma të ndryshme.

Ai i tha Radios Evropa e Lirë se u kishte dhënë USB me përmbajtje të mijëra emailave të brendshme nga puna e tij pesëmuajshe në Sputnik. Feinberg tha se pyetjet e FBI-së duket se ishin të drejtuara për të zbuluar nëse Sputnik operonte më tepër si agjent i jashtëm ose si lobist, se sa operacionet e tjera të lajmeve.

“Ekziston dallim i qartë në procesin editorial” në Sputnik, tha ai dhe ka shtuar se “ata nuk praktikojnë gazetari në mënyrën siç agjencitë autentike të lajmeve e praktikojnë gazetarinë”.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG