Ndërlidhjet

Policia thotë se në Rudarë u ndalua një makinë me ilaçe të kontrabanduara


Autoambulanca e ndaluar në Rudarë që sipas Policisë së Kosovës po bartte ilaçe të kontrabanduara.
Autoambulanca e ndaluar në Rudarë që sipas Policisë së Kosovës po bartte ilaçe të kontrabanduara.

Policia e Kosovës tha se më 2 gusht ka ndaluar një shofer të një autoambulance në Rudarë të Zveçanit, i cili dyshohet se po kontrabandonte ilaçe. Por, nga Beogradi kanë pretenduar se autoritetet në Kosovë e “kanë rrëmbyer shoferin”.

Sipas Policisë së Kosovës, të dyshuarit me iniciale D.S, gjatë kontrollit të autoambulancës që po drejtonte i kanë gjetur “pako me produkte medicionale me banderola të Serbisë”.

“Drejtuesi i automjetit, nuk posedonte dokumente për prejardhjen e produkteve medicinale, andaj ekziston dyshim i bazuar se ato kanë hyrë në territorin e Republikës së Kosovës në mënyrë ilegale, pra janë kontrabanduar duke i ikur obligimeve doganore”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Ndërkaq, Ministria e Brendshme më pas tha se të gjitha barnat ilegale të sekuestruara janë dorëzuar te Dogana e Kosovës.

Petkoviq pretendon se shoferi “u rrëmbye” nga Policia e Kosovës

Por, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha më herët gjatë ditës se shoferi i autoambulancës, që e identifikoi si Dejan Spahiq, i cili po transportonte infuzione dhe ilaçe nga Leposaviqi në Mitrovicë të Veriut, “u rrëmbye nga njësitë speciale” të Policisë së Kosovës.

Gjatë një konference për media, Petkoviq tha se “rreth orës 14:00, një makinë e njësive speciale ia ka bllokuar rrugën një autoambulance. Katër policë të armatosur e kanë rrëmbyer shoferin Dejan Spahiq, dhe një pjesëtar i njësive speciale ka hipur në autoambulancë dhe ka udhëtuar me të drejt jugut, në një vend të panjohur”.

Petkoviq tha se ky veprim u bë “me urdhër personal” të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe paralajmëroi se do të ngrihet një kallëzim penal kundër Kurtit, i cili, sipas tij, “ka vazhduar të terrorizojë popullatën serbe në veri të Kosovës”.

Ai po ashtu tha se Kurti “po sulmon të sëmurët dhe pacientët” sepse, sipas tij, pacientët në Mitrovicën e Veriut po presin për infuzione dhe ilaçe. Pektoviq theksoi se “populli serb në Kosovë është i zemëruar dhe i mërzitur”.

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe tha se për këtë ngjarje e ka njoftuar përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, duke shtuar se Kurti “po shkel marrëveshje dhe paqen” dhe “ai i premtoi misionit të KFOR-it se nuk do të ndërmarrë ndonjë veprim”.


Petkoviq tha se Kurtit “nuk mund t’i besohet” dhe se ai “nuk dëshiron paqe” dhe se ngjarja e sotme është “tregues se ai do të vazhdojë me provokime dhe përshkallëzim” të situatës. Zyrtari serb tha se ngjarja e sotme është po ashtu “turp për bashkësinë ndërkombëtare” dhe theksoi se “është dikush që do të mbrojë njerëzit dhe pacientët tanë” dhe e cilësoi sjelljen e Kurtit si “absolutisht të papranueshme”.

Siç tha Petkoviq, autoritetet e Kosovës “për më tepër se një vit e gjysmë na kanë ndaluar që të dërgojmë ilaçe në spitalet tona”, dhe ai si drejtor i Zyrës për Kosovën dhe shef i ekipit negociator të Serbisë, ka kërkuar nga Brukseli më shumë se “pesë herë” që të zgjidhë çështjen e dërgimit të medikamenteve në spitalet në Kosovë që punojnë sipas sistemit serb.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha për Radio Televizionin e Serbisë se shoferi i autoambulancës nuk është marrë nga njësitet e njësisë speciale, por një task-forcë speciale e inteligjencës, e cila sipas tij drejtohet nga Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin.

“Kanë kapur një serb që nuk ishte as fajtor dhe as përgjegjës. Ai po transportonte ilaçe, do të thotë është fajtor sepse ka qenë në protestë afër barrikadave. Epo, të gjithë serbët janë në barrikada sepse nuk mendojnë se Kosova është shte ti pavarur, e pastaj Kurti para QUINT-it thotë se po do të luftojë krimin dhe mafian, dhe ata thonë ‘sigurisht’. Të gjithë serbët janë mafiozë, përveç atyre që thonë se Kosova është e pavarur”, tha Vuçiq.

Vuçiq shtoi se edhe NATO nuk ka reaguar për këtë rast, edhe pse sipas tij është dashur që të reagojë.

XS
SM
MD
LG