Ndërlidhjet

Të shtëna vdekjeprurëse në një shkollë në Rusi


Nxënësit duke mbajtur flamurin e rusisë gjatë ditës së parë të shkollës. Moskë, 1 shtator 2022.
Nxënësit duke mbajtur flamurin e rusisë gjatë ditës së parë të shkollës. Moskë, 1 shtator 2022.

Të paktën 17 persona janë vrarë pasi një sulmues ka hapur zjarr në një shkollë në Rusi.

Në mesin e viktimave janë 11 fëmijë, thanë autoritetet, teksa dhjetëra të tjerë janë plagosur.

Të shtënat kanë ndodhur në qytetin Izhevsk, në Rusinë qendrore, teksa Ministria e Brendshme ruse tha se edhe 24 persona, përfshirë edhe fëmijë, janë plagosur.

Dy mësues dhe dy roje sigurie janë në mesin e të vrarëve, thanë zyrtarët rusë. Stafi dhe nxënësit janë evakuuar nga ndërtesa e shkollës.

Veturat e ndihmës së shpejtë dhe shërbimet e sigurisë janë parë në vendin e ngjarjes.

Të shtënat raportohet se kanë ndodhur në shkollën me numër 88, ku mësojnë pothuajse 1.000 nxënës dhe punojnë 80 mësimdhënës.

Sulmuesi raportohet se ka vrarë veten dhe motivi i të shtënave është ende i paqartë.

Një ligjvënës lokal tha se sulmuesi ishte i armatosur me dy pistoleta. Agjencia shtetërore e lajmeve, TASS, citoi hetuesit të kenë thënë se sulmuesi kishte veshur një bluzë me simbole naziste.

Ndërkaq, mediat ruse kanë publikuar online disa video ku shfaqen njerëzit duke ikur me panik nga vendi i ngjarjes.

Po ashtu, ka disa pamje ku shfaqet gjak dhe vrima plumbash në objektin e shkollës dhe fëmijët e fshehur poshtë bankave të tyre.

Shkolla ku ndodhën të shtënat gjendet në qytetin Izhevsk, me popullsi prej 650.000 banorësh. Kjo shkollë gjendet shumë pranë ndërtesave qeveritare.

XS
SM
MD
LG