Ndërlidhjet

Rusia pezullon misionin e saj në NATO


Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov.
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov.

Rusia tha se do të pezullojë operacionet në kuadër të misionit të saj në selinë e NATO-s në Bruksel.

Masa vjen si kundërpërgjigje ndaj lëvizjes së aleancës perëndimore të sigurisë për të dëbuar tetë anëtarë të misionit të Rusisë në fillim të këtij muaji.

Raportet mes Rusisë dhe vendeve perëndimore janë në nivelet më të ulëta pas Luftës së Ftohtë.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha më 18 tetor se operacionet do të pezullohen nga data 1 nëntor dhe se delegacionit ushtarak të NATO-s në Moskë do t'u merren akreditimet në të njëjtën ditë.

Lavrov shtoi se NATO-ja dhe Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg janë njoftuar me vendimin e palës ruse.

Sipas Lavrov, nëse NATO-ja ka ndonjë pyetje për Rusinë, përfaqësuesit e aleancës mund t'i drejtohen ambasadorit të saj në Belgjikë. Ai nuk foli për ndonjë kusht që duhet plotësuar në mënyrë që të rinisë puna në misione.

Lavrov i quajti veprimet një përgjigje ndaj lëvizjes së NATO -s më 6 tetor për të dëbuar tetë punonjës të misionit rus në selinë e NATO -s. Numri i përgjithshëm i diplomatëve rusë në ambasadë u përgjysmua, nga 20 në 10.

NATO-ja pati thënë në atë kohë se diplomatët e dëbuar ishin punonjës të shërbimeve speciale ruse të angazhuar në aktivitete që nuk janë miqësore.

Marrëdhëniet midis NATO -s dhe Rusisë kanë qenë të tensionuara kohët e fundit dhe kontaktet zyrtare janë kufizuar që kur Moska aneksoi Gadishullin e Krimesë të Ukrainës më 2014.

Aleanca perëndimore prej 30 anëtarësh është gjithashtu e shqetësuar për zhvillimin e raketave bërthamore të Rusisë, ndërhyrjet ajrore në hapësirën ajrore të NATO-s dhe një sërë çështjesh tjera.

XS
SM
MD
LG