Ndërlidhjet

Kritika Rusisë për shtypjen e protestave


Protesta anti-korrupsion
Protesta anti-korrupsion

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe grupet për të drejtat e njeriut dënuan arrestimin e qindra protestuesve paqësorë në Rusi.

Rreth 1,560 mbështetës të udhëheqësit opozitar, Aleksei Navalny, u arrestuan gjatë protestave anti-korrupsion, që u mbajtën të hënën në gjithë Rusinë - përfshirë 866 të arrestuar në Moskë dhe 548 në Shën Petersburg.

OVD-Info, një organizatë ndërkombëtare joqeveritare që monitoron aksionet policore në protesta, tha se shumica e të arrestuarve janë liruar mëngjesin e së martës.

Vetë Navalny është arrestuar të hënën, përpara se të niste protesta në Moskë, dhe është dënuar me 30 ditë burgim për, siç është thënë, organizimin e tubimeve të paautorizuara.

Shtëpia e Bardhë i bëri thirrje Rusisë të lirojë të gjithë demonstruesit, duke thënë se arrestimi i tyre është “fyerje ndaj vlerave themelore demokratike”.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, tha se arrestimi i protestuesve paqësorë “kërcënon liritë themelore të shprehjes”.

Shtypja e protestave tregon se autoritetet “përbuzin të drejtat themelore të njeriut”, tha organizata Amnesty International.

Navlany ka thirrur protesta mbarëkombëtare më 12 qershor për të kundërshtuar, siç ka thënë ai, sistemin e korrupsionit dhe nepotizmin e kryesuar nga presidenti rus, Vladimir Putin.

“Nuk i kam parë protestat me sytë e mi, por edhe tubimet në Moskë, edhe në Shën Petersburg kanë qenë të mëdha. Dhe, në të dyja vendet, autoritetet kanë bërë gjithçka për të zvogëluar numrin e pjesëmarrësve. Jam shumë i lumtur që njerëzit kanë dalë, jam krenar që jam pjesë e kësaj lëvizjeje dhe që njerëz të guximshëm dhe të mrekullueshëm nuk kanë frikë të dalin në rrugë, madje edhe me kërcënimin e arrestimit”, tha Navalny për gazetarët në dhomën e gjykatës në Moskë.

Navalny ka akuzuar kryeministrin rus, Dmitry Medvedev, për akumulimin e një pasurie të madhe private. Medvedev e ka mohuar.

Në thirrjen për protesta më 12 qershor, Navalny ka thënë: “Dua ndryshime. Dua të jetoj në një shtet modern demokratik. Dua që taksat tona të konvertohen në rrugë, shkolla dhe spitale, e jo në jahte, pallate e vreshta”.

Navalny ka organizuar protesta të ngjashme anti-korrupsion edhe në muajin mars, të cilat po ashtu kanë përfunduar me qindra të arrestuar.

Navalny, 41 vjeç, synon të garojë në zgjedhjet presidenciale, vitin e ardhshëm. Por, Putin, i cili mban pushtetin në Rusi qysh në vitin 1999, herë si president, herë si kryeminsitër, pritet të sigurojë mandatin e katërt presidencial.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG