Rusia lëshoi një raketë të re balistike me kapacitet bërthamor dhe me disa koka bërthamore drejt Ukrainës perëndimore, si pjesë e një breshërie raketash dhe dronësh që goditën qytete ukrainase, përfshirë Kievin, ku të paktën katër persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha më 9 janar se përdorimi i raketës, të quajtur Oreshnik, ishte si përgjigje ndaj një sulmi të pretenduar me dron nga Ukraina në fund të dhjetorit, që sipas Moskës kishte për cak një rezidencë të përdorur nga presidenti rus, Vladimir Putin. Kievi e ka mohuar këtë pretendim, dhe CIA-ja gjithashtu e ka cilësuar si të rremë.
Forcat ajrore të Ukrainës kishin paralajmëruar për një sulm me raketa nga një poligon testues në Rusi pak para mesnatës. Më vonë, forcat ajrore njoftuan se Rusia kishte lëshuar një raketë balistike me shpejtësi të madhe.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kiev lëshoi një paralajmërim të pazakontë sigurie mbrëmjen e 8 janarit, duke sugjeruar se Moska mund t’i kishte njoftuar zyrtarët amerikanë më parë si mënyrë për të shmangur alarmimin e Uashingtonit. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjithashtu kishte paralajmëruar për një sulm të mundshëm masiv ajror.
Ende nuk është e qartë nëse ka pasur viktima nga sulmi me këtë raketë. Disa video të postuara në Telegram dhe platforma të tjera nga kamera vëzhgimin në rajonin perëndimor të Lvivit dukej se tregonin gjashtë objekte që goditën me shpejtësi. Raportohet se raketa Oreshnik është e aftë që të mbajë gjashtë koka bërthamore.
Kryetari i Lvivit, Andriy Sadoviy, tha se sulmi goditi një objekt të infrastrukturës kritike dhe shërbimet emergjente kishin dalë në vendngjarje.
Kjo është hera e dytë që Moska përdor raketën e re në luftën e saj kundër Ukrainës. Herën e parë, Rusia e kishte përdorur raketën Oreshnik në nëntor të vitit 2024.
Putin është mburrur për aftësitë e kësaj arme dhe vitin e kaluar tha se po e dislokonte në Bjellorusi, aleaten e ngushtë të Moskës.
“Një sulm i tillë pranë kufirit të BE-së dhe NATO-s është një kërcënim i madh për sigurinë në kontinentin evropian dhe një test për komunitetin transatlantik”, tha ministri i Jashtëm Andriy Sybiha në një postim në X. “Ne kërkojmë reagim të fortë ndaj veprimeve të pamatura të Rusisë”.
Sybiha gjithashtu njoftoi se Ukraina do të nisë veprime ndërkombëtare, përfshirë një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe një takim të Këshillit Ukrainë-NATO.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kërkoi “një reagim të qartë nga bota”.
“Mbi të gjitha nga SHBA-ja, sinjalet e të cilës Rusia i kushton vërtet vëmendje”, shkroi ai në një postim në X.
Shefja e diplomacisë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, e cilësoi përdorimin e Oreshnikut si mesazh që presidenti rus, Vladimir Putin, “nuk dëshiron paqe, dhe përgjigja e Rusisë ndaj diplomacisë është më shumë raketa dhe shkatërrim”.
Sulmi me raketën Oreshnik ishte pjesë e një breshërie dronësh dhe raketash që goditën qytete dhe fshatra ukrainas gjatë natës, përfshirë kryeqytetin, Kievin.
Zyrtarët thanë se të paktën katër persona humbën jetën në kryeqytet dhe më shumë se 24 u plagosën.
Sulmet ruse dëmtuan rëndë rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike, duke lënë mbi gjysmë milioni banorë të Kievit dhe rajoneve përreth pa rrymë, thanë autoritetet më 9 janar.
Kryetari i Kievit, Vitaliy Klitschko, paralajmëroi se afër 6 mijë ndërtesa banimi - pothuajse gjysma e Kievit - është pa ngrohje pas dëmeve të shkaktuara në infrastrukturën kritike në sulmet gjatë natës.
Ai u bëri thirrje banorëve që nëse kanë mundësi të largohen përkohësisht nga Kievi, ta bëjnë këtë, dhe të zhvendosen në zona që kanë rrymë dhe ngrohje, pasi temperaturat pritet të arrijnë në -17 gradë Celsius gjatë natës.
Sulmet ruse goditën gjithashtu qytetin Krivi Rih, në Ukrainën qendrore. Ky rajon është përballur ndërprerje të energjisë elektrike dhe ujit për shkak të sulmeve ruse.