Ndërlidhjet

Autoritetet anulojnë diplomën e drejtoreshës së Qendrës Klinike të Sarajevës


Sabija Izetbegoviq, drejtoreshë e Qendrës Klinike Universitare të Sarajevës. Fotografi nga arkivi.
Sabija Izetbegoviq, drejtoreshë e Qendrës Klinike Universitare të Sarajevës. Fotografi nga arkivi.

Më 6 mars, Senati i Universitetit të Sarajevës anuloi diplomën e magjistraturës së shkencave mjekësore të Sebija Izetbegoviq, drejtoreshë e Qendrës Klinike Universitare të Sarajevës.

Izetbegoviq është anëtare e Partisë udhëheqëse Boshnjake për Veprim Demokratik (SDA) dhe është gruaja e Bakir Izetbegoviq, president i këtij subjekti politik.

Senati pranoi analizën e komisionit, i cili u emërua më 1 shkurt me detyrë që të analizojë dokumentacionin e mbledhur dhe të verifikojë besueshmërinë e dokumenteve për studimet pasuniversitare të Sebija Izetbegoviqit.

Komisioni, i udhëhequr nga Muhamed Ajanoviq, dekan i Fakultetit të Stomatologjisë, ka identifikuar një sërë mangësish dhe i ka dërguar Senatit propozim zyrtar për anulimin e diplomës në nivel master të drejtoreshës së Qendrës Klinike Universitare.

Vendimi u mor me 30 vota për, pesë ishin kundër dhe gjashtë abstenuan. Kundër vendimit të Senatit nuk mund të bëhet ankesë, por procedura mund të inicohet në gjykatën kompetente në Sarajevë brenda 30 ditëve.

Rektori i Universitetit të Sarajevës, Rifet Shkriel, tha se Izetbegoviq "nuk i ka përmbushur të gjitha obligimet e provimeve në Fakultetin e Mjekësisë në Sarajevë".

Pasi që me këtë vendim anulohet titulli i magjistraturës, Shkriel tha se ky vendim mund të nënkuptojë që Izetbegoviq do të humbasë edhe titullin e doktoraturës dhe rrjedhimisht edhe postin e profesoreshës në Fakultetin e Mjekësisë në Sarajevë.

“Kontestohet që diploma e magjistraturës nuk është dorëzuar në Universitet dhe nuk ekziston. Sot një nga prodekanët e Fakultetit të Mjekësisë dhe një përfaqësuese në Senat deklaroi se Izetbegoviq nuk e ka pasur kurrë atë diplomë në dorë. Nuk ka vërtetim të provimeve nga Zagrebi”, tha Shkriel.

Gjatë seancës së Senatit, Sebija Izetbegoviq, njoftoi se do të ngre kallëzim penal për keqpërdorim të pozitës dhe shpërdorim të autoritetit, për diskriminim dhe për të deklarata të pavërteta në përpjekje për ta diskredituar atë si profesoreshë e rregullt në Universitetin e Sarajevës.

Në vitin 2021, Prokuroria e Kantonit të Sarajevës nisi një hetim lidhur me diplomën e Izetbegoviqit. Nga autoritetet kroate është kërkuar dokumentacion, sepse Izetbegoviq ka deklaruar se një pjesë të specializimit e ka kryer në Zagreb.

Ministria e Shkencës dhe Arsimit e Republikës së Kroacisë ka njoftuar se Sebija Izetbegoviq është regjistruar në studimet pasuniversitare në Zagreb, por ministria nuk ka informacione për provimet që i ka dhënë.

Më 2 korrik 2021, Administrata për Çështjet e Inspektimit të Kantonit të Sarajevës përcaktoi se titulli i magjistraturës së Izetbegoviq kërkon kontrolle shtesë.

Sipas ligjit, Universiteti gëzon autonomi dhe vetëqeverisje, duke përfshirë organizimin e brendshëm, miratimin e statusit dhe të tjera. Ai financohet nga buxheti shtetëror dhe të hyrat vetanake. Senati vendos për të gjitha çështjet akademike dhe profesionale, përfshirë zgjedhjen e rektorit, me votim të fshehtë, ndërmjet profesorëve të rregullt, për një mandat katërvjeçar.

Sebija Izetbegoviq është drejtoreshë e Qendrës Klinike Universitare të Sarajevës. Ajo u emërua nga Bordi i Drejtorëve. Për emërimin në këtë post, miratimin e jep ministri Federal i Shëndetësisë.

XS
SM
MD
LG