Ndërlidhjet

Blinken në Samitin e Azisë Lindore: Stërvitjet ushtarake të Kinës “përshkallëzojnë" situatën


Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, duke folur gjatë Samitit i Azisë Lindore. Kamboxhia, 4 gusht 2022.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, duke folur gjatë Samitit i Azisë Lindore. Kamboxhia, 4 gusht 2022.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, iu bashkua ministrave të Jashtëm të Rusisë dhe Kinës në një takim të premten me diplomatë të lartë nga Azia Juglindore, në një kohë kur fuqitë globale janë të përçara nga tensionet.

Samiti i Azisë Lindore i takimeve të vazhdueshme të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore në kryeqytetin e Kamboxhias, është forumi ku për herë të parë marrin pjesë tre liderët.

Blinkeni tha në këtë samit se stërvitjet ushtarake të Kinës që synojnë Tajvanin, duke përfshirë raketat e lëshuara në zonën ekskluzive ekonomike të Japonisë, janë "përshkallëzim i dukshëm" i situatës.

Stërvitjet ushtarake të Kinës filluan pas vizitës në fillim të kësaj jave të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi në Tajvan, e cila zemëroi Pekinin.

“Kina ka zgjedhur të reagojë dhe të përdorë vizitën e Pelosit si një pretekst për të rritur aktivitetin provokues ushtarak në dhe rreth ngushticës së Tajvanit”, deklaroi Blinken në një konferencë për media në kryeqytetin kamboxhian.

Blinken tha gjithashtu se SHBA-ja qëndron në "solidaritet të fortë" me Japoninë pas "veprimeve të rrezikshme që ka ndërmarrë Kina".

Shoqatën e Kombeve të Azisë Lindore e përbëjnë: Indonezia, Malajzia, Filipinet, Singapori, Tajlanda, Brunei, Birmania, Kamboxhia, Laosi dhe Vietnami.

Samiti i Azisë Lindore përfshin liderët e këtyre dhjetë vendeve, si dhe të Australisë, Indisë, Kinës, Zelandës së Re, Koresë së Jugut, Rusisë, Japonisë dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ky takim po zhvillohet vetëm një ditë pasi një gjykatë ruse dënoi me nëntë vjet burgim basketbollisten amerikane, Brittney Griner, nën akuzat për kontrabandë droge, në një çështje të ngarkuar politikisht mes antagonizmave mbi pushtimin rus të Ukrainës.

Kina, ndërkohë, ka shfaqur zemërim për vizitën e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, këtë javë në Tajvan – një ishull vetëqeverisës që Pekini e pretendon si të tijin – dhe si kundërpërgjigje nisi stërvitjet ushtarake për demonstrimin e forcës.

Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, përshëndeti ministrin e Jashtëm rus, Sergey Lavrov në sallën e takimit.

Blinken, i cili hyri i fundit në takim, nuk u përshëndet me Lavrovin, teksa zuri vend disa karrige më larg tij. Blinken nuk u përshëndet as me Wangun, i cili ishte ulur edhe më larg, në të njëjtën tavolinë me Lavrovin.

Departamenti i Shtetit i SHBA-së tha se Blinken nuk kishte në plan të takohej kokë më kokë me asnjërin prej tyre gjatë rrjedhës së takimeve.

Të enjten, Kina anuloi një takim të ministrave të Jashtëm me Japoninë për të protestuar ndaj një deklarate të Grupit të shtatë vendeve që thoshte se nuk kishte asnjë justifikim për stërvitjet ushtarake të Pekinit, të cilat praktikisht rrethojnë Tajvanin

"Japonia, së bashku me anëtarët e tjerë të G7 dhe BE-së, bënë një deklaratë të papërgjegjshme duke akuzuar Kinën dhe duke ngatërruar të drejtën me të gabuarën", tha në Pekin zëdhënësja e ministrisë së Jashtme kineze, Hua Chunying.

Kur ministri i Jashtëm i Japonisë, Hayashi Yoshimasa filloi të fliste të premten në Samitin e Azisë Lindore, Lavrov dhe Wang u larguan nga dhoma, sipas një diplomati në dhomë, i cili foli në kushte anonimiteti.

Kryesuesi i Samitit të Azisë Lindore, ministri i Jashtëm kamboxhian, Prak Sokhonn, hapi bisedimet duke thënë se shpresonte që të gjithë delegatët ta përdornin forumin si një "mjet angazhimi dhe komunikimi" me njëri-tjetrin.

"Çdo vit ne kemi grupin tonë të sfidave për të adresuar, por më duhet të them se kurrë më parë, jo si këtë vit, nuk jemi përballur me kaq shumë rreziqe në të njëjtën kohë", tha ai para mediave, para se të niste takimi me dyer të mbyllura.

XS
SM
MD
LG