Ndërlidhjet

SHBA-ja dhe Britania kërcënojnë me sanksione Putinin


Presidenti rus, Vladimir Putin. Fotografi nga arkivi.
Presidenti rus, Vladimir Putin. Fotografi nga arkivi.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë paralajmëruar se nuk e përjashtojnë mundësinë e vendosjes së sanksioneve të drejtpërdrejta ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, nëse Rusia e pushton Ukrainën.

“Ne do të sjellim legjislacion të ri, që regjimi ynë i sanksioneve të bëhet më i ashpër, në mënyrë që të jemi në gjendje të shënjestrojmë më shumë kompani dhe individë në Rusi. Ne do ta prezantojmë këtë legjislacion në ditët e ardhshme”, tha më 26 janar sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss.

E pyetur për mundësinë e sanksionimit të Putinit, Truss i tha Sky News se “ne nuk e përjashtojmë asnjë mundësi”.

Komentet e sekretares Truss janë të ngjashme me ato që presidenti amerikan, Joe Biden bëri më 25 janar. Biden tha se ai do ta shqyrtonte mundësinë e sanksioneve ndaj Putinit në rast të pushtimit të Ukrainës. Ky ishte një kërcënim i rrallë që erdhi në kohën kur SHBA-ja po dërgon pajisje ushtarake në Kiev dhe liderët perëndimorë po ndërmarrin hapa që synojnë të pengojnë një pushtim të mundshëm rus.

Truss po ashtu tha se Britania po furnizonte Ukrainën me armë mbrojtëse.

Presidenti Biden u tha gazetarëve më 25 janar se nëse Rusia lëvizë në Ukrainë, ku besohet se në kufi me këtë shtet ka vendosur mbi 100,000 trupa, do të ishte “pushtimi më i madh që prej Luftës së Dytë Botërore” dhe se një gjë e tillë “do ta ndryshonte botën”.

I pyetur nëse ai mund të sanksionojë drejtpërdrejtë Putinin, në përgjigje të një pushtimi të mundshëm, Biden tha “po, e shoh si mundësi”.

Presidenti Biden më 24 janar është konsultuar me liderët evropianë lidhur me tensionet e shkaktuara pas grumbullimit të ushtrisë ruse, dhe Pentagoni ka njoftuar se do të vendosë në “gatishmëri të lartë” 8,500 trupa amerikane, me mundësi të dislokimit për të forcuar prezencën e NATO-s në rajon.

Biden tha se nuk ka “asnjë qëllim” që të dërgojë trupa amerikane në Ukrainë, por ai paralajmëroi Rusinë për sanksione të ashpra, nëse Moska urdhëron ndonjë sulm.

Aleanca ushtarake e NATO-s ka rreth 4,000 trupa në batalionet shumëkombëshe në Estoni, Lituani, Letoni dhe Poloni. Këto trupa mbështeten me tanke, mbrojtje ajrore dhe njësitë e inteligjencës dhe vëzhgimit.

Pajisje shtesë, përfshirë edhe raketa anti-tank Javelin, raketahedhës dhe pajisje të tjera ushtarake, arritën në Kiev më 25 janar. Kjo ishte dërgesa e tretë e pakos prej 200 milionë dollarësh ndihmë, që Uashingtoni ka ndarë për të mbështetur mbrojtjen e Ukrainës.

“Javelinët në Kiev. Një dërgesë e re e ndihmës së sigurisë – raketahedhës dhe raketa, me një sasi totale prej rreth 80 tonësh. Ne presim që të arrijë edhe dërgesa e katërt”, tha ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksiy Reznikov, që shtoi se e falënderon për këtë ndihmë “partnerin tonë strategjik”.

Rusia tha se kriza është shkaktuar nga SHBA-ja dhe NATO-ja, duke i akuzuar ata për “përshkallëzim të tensioneve”. Edhe pse Rusia mohon se po planifikon të sulmojë, ajo më 25 janar nisi stërvitjet ushtarake pranë Ukrainës, stërvitje në të cilat janë përfshirë mijëra trupa dhe dhjetëra avionë luftarakë.

Kremlini ka përdorur grumbullimin ushtarak për të shtyrë përpara një listë të kërkesave, që do të ndryshonin arkitekturën e sigurisë në Evropë. Në mesin e kërkesave është zotimi që NATO-ja kurrë nuk do ta pranojë Ukrainën dhe të tërhiqet në mënyrë të konsiderueshme nga Evropa Lindore.

Gjatë një adresimi në Dumën Shtetërore më 26 janar, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, përsëriti kërcënimin e Moskës se nëse Perëndimi nuk i përgjigjet kërkesave të saj, Rusia do të ndërmarrë “masat e duhura”, duke mos specifikuar se cilat do të ishin ato.

“Nëse nuk marrim një përgjigje konstruktive dhe Perëndimi vazhdon kursin e tij agresiv, atëherë Moska, siç ka thënë disa herë në të kaluarën presidenti ynë, do të ndërmarrë masat e duhura reaguese”, u tha Lavrov ligjvënësve rusë.

Ndërkaq, NATO-ja dhe SHBA-ja janë duke përgatitur një dokument për të adresuar shqetësimet ruse lidhur me sigurinë në Evropë dhe sekretari i Përgjithshëm i aleancës ushtarake, Jens Stoltenberg tha se ky dokument do të dërgohet më vonë gjatë kësaj jave.

Në këtë dokument pritet t’i bëhet e qartë palës ruse se NATO dhe qeveritë perëndimore janë të gatshme “të ulen dhe të bisedojnë për çarmatimin e kontrollit të armëve, transparencën në aktivitetet ushtarake, mekanizmat e uljes së rrezikut dhe operacionet që janë të rëndësishme për sigurinë evropiane”, tha Stoltenberg për CNN.

Lavrov tha se Moska nuk dëshiron të bisedojë për Ukrainën dhe se do të komplikoheshin kërkesat e saj të sigurisë nëse në to përfshihen Bashkimi Evropian dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, gjatë një konference për media më 26 janar tha se Ukraina nuk ka asnjë kundërshtim ndaj përgjigjeve që SHBA-ja do t’i dërgojë Rusisë, që janë pjesë e negociatave për të shmangur një përshkallëzim ushtarak.

“E dimë shumë mirë se çfarë partnerët tanë do t’i tregojnë Rusisë, jemi të vetëdijshëm për të gjitha dhe gjithçka është koordinuar me ne”, tha Kuleba.

Si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme diplomatike, këshilltarët nga Rusia, Ukraina, Gjermania dhe Franca pritet të takohen në Paris më 26 janar dhe po ashtu presidenti francez, Emmanuel Macron do të bisedojë në telefon me Putinin më 28 janar, bisedë në të cilën Macron pret që të qartësohen qëllimet e Rusisë.

Por, një zyrtar i lartë ukrainas e përjashtoi mundësinë që Kievi të mbajë bisedime të drejtpërdrejta me separatistët e mbështetur nga Rusia, dhe tha se në konfliktin në lindje të Ukrainës ka shkelje të rënda të marrëveshjes së armëpushimit.

“Nuk ka pasur dhe nuk do të ketë asnjë bisedim të drejtpërdrejtë me separatistët”, tha Andriy Yermak, shef i stafit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskiy.

Ndërkaq, Kuleba e akuzoi Rusinë se po përpiqej që të mbillte panik në Ukrainë.

Ai po ashtu tha se Moska nuk ka grumbulluar trupa të mjaftueshme për një ofensivë të shkallës së gjerë kundër Ukrainës, por shtoi se kjo nuk nënkupton se nuk mund ta bëjë më vonë një gjë të tillë.

XS
SM
MD
LG