Ndërlidhjet

Sarajevë, Grozni dhe Kabul – tri luftëra, tri fëmijëri të ndryshme


Mësuesja me disa fëmijë të vegjël në rrugët e Sarajevës më 1995.
Mësuesja me disa fëmijë të vegjël në rrugët e Sarajevës më 1995.

E kaluan fëmijërinë duke numëruar viktima, duke dëgjuar të shtëna dhe helikopterë ushtarakë, duke dëgjuar histori të tmerrshme dhe duke i folur fjalët e para si refugjatë.

Këtë vit u shënua 30-vjetori i përfundimit të luftës në Bosnje-Hercegovinë. Në periudhën e njëjtë, Çeçenia u përball me dy luftëra shkatërruese, derisa talibanët u larguan nga pushteti në Afganistan, për t’u rikthyer dy dekada më vonë.

Teksa bota këndellej nga pasojat e Luftës së Dytë Botërore, brezat e lindur në shtetet jostabile kanë përjetuar gjëra që do të mbesin të pashlyeshme në kujtesë.

Nga Bonje-Hercegovina e deri në Çeçeni e Afganistan, Radio Evropa e Lirë bisedoi me tre persona, jetët e të cilëve janë formësuar nga konfliktet e përjetuara në fëmijëri.

Gjenerata e Dejtonit në Bosnje

Nermin Mamelexhija ka lindur vetëm disa muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes së Dejtonit, e cila u dha fund luftimeve në Bosnje-Hercegovinë – konflikt që la mbi 100.000 njerëz të vrarë.

Prindërit e tij ikën në Gjermani nga vendlindja në Turbe, dhe Nermini i kaloi atje vitet e para të jetës, para se familja të rikthehej në Bosnje.

“Ne e kemi pasur një fëmijëri sikur në përralla”, thotë Nermimi, 30-vjeçar për Radion Evropa e Lirë nga Braunshfajgu i Gjermanisë.

“Mëhallët na rritën neve, na jepnin vetëm nga një copë bukë dhe ishim gjithë ditën rrugëve”.

Nermin Mamelexhia, dikur dhe sot.
Nermin Mamelexhia, dikur dhe sot.

Pavarësisht se ai u rrit në Turbe – një qytet i vogël në qendër të Bosnjës – në kohë të paqes, shteti mbeti i dëmtuar dhe i ndarë.

Ndasitë që i la mbrapa Dejtoni, u qartësuan edhe më shumë në shkollën fillore. Ai mësoi në shkolla me sistemin “dy shkolla nën një kulm”, që do të thotë se fëmijët ishin të ndarë varësisht nga etnia, pavarësisht se mësonin bazuar në kurrikula pothuajse identike.

Pas universitetit, Nermini është kthyer në Gjermani. Ai nuk ka punuar kurrë në Bosnje.

“Çfarë më ka shtyrë të largohem nga Bosnja ka qenë padrejtësia. Të duhet lidhje për gjithçka, duhet të gjesh një mënyrë për t’i kryer gjërat”, ka thënë ai.

Sipas të dhënave të organizatës ndërkombëtare, Transparency International, Bosnje-Hercegovina renditet si shteti i dytë më i korruptuar në Evropë.

Një studim i Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsi tregon se çdo i dyti i ri i moshave 18-29 vjeç po e konsideron ikjen nga Bosnja.

Kur Radio Evropa e Lirë bisedoi me Nerminin pesë vjet më parë, në përvjetorin e 25-të të marrëveshjes së Dejtonit, ai shpresonte të mos ishte në mesin e tyre që e mendonin largimin.

Ai ishte në vitin e fundit të studimeve për stomatologji dhe dëshironte të gjente punë në Bosnje që “Austria apo Gjermania të mos e merrnin një punëtor plotësisht të kualifikuar”.

“Nuk do të hiqja dorë kurrë nga pasaporta, është e vetmja gjë që më lidh me Bosnjën”, thotë ai tani.

“Bosnja më ka dhënë gjithçka… mirëpo të gjithë kanë të drejtë të vendosin çfarë duan dhe ku duan të jenë”.

Sot, kur ai flet me familjen e tij përmes platformave të ndryshme online, asnjëra prej motrave të tij nuk jeton në Bonje.

“Ende ndihem e brishtë” – nga plagët e Çeçenisë

Teksa Bosnja po dilte nga lufta, 3.000 kilometra larg, banorët e Groznit po strehoheshin nëpër bodrume.

Me përfundimin e Luftës së Parë Çeçene në gusht të vitit 1996, Hava, 8-vjeçare ishte kthyer në familjen e prindërve për ta gjetur atë shkrumb e hi. Ajo i ka kaluar disa javë duke jetuar në podrum, meqë bombat nuk ndaleshin në kryeqytetin çeçen.

Tre vjet më vonë ka nisur Lufta e Dytë Çeçene. Familja e Havës ka ikur dhe është strehuar në fshatin e gjyshes së saj. Në Grozni janë kthyer katër vjet më vonë, në një qytet të shkatërruar dhe ende në gjendje të jashtëzakonshme.

“Kur je fëmijë, je i izoluar nga gjithçka”, ka thënë ajo për Radion Evropa e Lirë.

“E kupton se çfarë po ndodh dhe luan lojëra të çmendura duke numëruar aeroplanët luftarakë apo helikopterët që sheh dhe garon me shokët se kush ka parë më shumë”.

Jasminko Haliloviq nga Muzeu i Luftës sugjeron se këto sjellje janë përpjekje e fëmijëve për të vendosur rregull në mesin e kaosit.

“Numërimi i shpërthimeve, mbledhja e predhave, ndërtimi i strehëve me jastëkë – të gjitha këto janë tentime për të fituar kontrollin e një botë të paparashikueshme”, vlerëson ai.

Hava, e cila ka kërkuar të mos i publikohet mbiemri, i kujton ditët pa ujë dhe rrymë, netët me orë policore dhe bërjen e detyrave me llambë gazi. Më shumë se 25 mijë njerëz janë vrarë në Luftën e Dytë Çeçene dhe mijëra të tjerë janë ende të zhdukur.

Prej vitit 2007, ky rajon rus është udhëhequr nga Ramzan Kadyrov, i akuzuar gjerësisht për abuzim me të drejta të njeriut. Shtetet e Bashkuara e kanë sanksionuar më 2020.

Hava tani punon si hulumtuese në Serbi dhe nuk ka jetuar në Çeçeni që dy vjet, mirëpo do të kthehej nëse do të zhdukej korrupsioni dhe do të kishte reforma.

“Rusia duhet të ndryshojë që unë të kthehem në Çeçeni”, thotë ajo. “Duhet të ndryshojë ashtu që të reflektojë pozitivisht në Çeçeni”.

Ndonëse lufta ka përfunduar vite më parë, ajo beson se gjenerata e saj nuk e ka përjetuar asnjëherë stabilitetin e plotë.

“Ende ndihem e brishtë sepse nuk mund të kthehem, dhe jam në një shtet tjetër duke tentuar të kuptojë se si funksionojnë gjërat”, ka thënë ajo.

“Shkolla ishte ëndërr” në Afganistan

Kur talibanët e pushtuan Kabulin për herë të parë më 1996, Nilofar Ebrahemi ishte trevjeçare dhe vishte rroba të djemve.

“Prindërit më vishnin si djalë, ndoshta sepse dëshironin djem, ndoshta për shkaqe sigurie”, ka thënë ajo.

Nilofar e ka kuptuar se është vajzë vetëm nga një mësues feje që i ka thënë të vendoste shami kur i kishte mbushur tetë vjet.

“Unë nuk isha ajo. Unë kurrë nuk luaja me kukulla, me vajza. Nuk qaja kurrë, sepse babai më kishte thënë se duhet të isha e guximshme si djemtë”, tregon ajo.

Nën regjimin e talibanëve, askush nga familja e saj nuk mund të punonte. Ndonjëherë ata as nuk mund ta përballonin blerjen e çajit dhe pinim ujë të vluar. Nëna e saj, e cila ishte me burka është rrahur një herë me kamxhik dhe Nilofari është përjashtuar nga shkolla.

“Shkolla më ishte bërë ëndërr. Më kujtohet që e mendoja se a kishte vende tjera në botë ku vajzat shkonin në shkollë apo nëse të gjithë fëmijët ishin në gjendjen time”.

Ajo ka mësuar shkrim-lexim nga babai, i cili besonte se fëmijët duhej të ishin gati për kohëra më të mira.

Nilofar ka hyrë më në fund në shkollë pas vitit 2001, kur forcat amerikane kanë nisur luftën kundër talibanëve.

Hamid Karzai është shpall lider i përkohshëm i Afganistanit dhe më pas është bërë president. Por, prapëseprapë, situata ishte e rrezikshme.

“Kishte shpërthime në rrugë, në mëngjes gjaku përhapej rrugëve dhe njerëzit vazhdonin e kalonin. Ishte bërë diçka normale”, tregon ajo.

Nilofar ka diplomuar, ka fituar bursë për studime të nivelit master në Indi dhe është kthyer në fund të viteve 2020 për të ligjëruar në një universitet privat. Ajo ka shkruar edhe për disa media dhe ka punuar në projekte për klimën.

Krejt kjo ka zgjatur gjashtë muaj. Gjithçka ka ndryshuar në gusht të vitit 2021, kur Shtetet e Bashkuara dhe forcat aleate janë tërhequr pas gati 20 vjetëve prej Afganistanit dhe talibanët janë ngjitur në pushtet.

Kufizimet ndaj grave ua kanë zhdukur të gjitha të drejtat. Ajo as nuk ka mundur të punojë, as të studiojë apo të lëvizë lirshëm.

“Unë jam grua që ka studiuar, që ka planifikuar studimet e doktoratës, që e donte punën dhe të gjitha këto u shkatërruan”, ka thënë ajo.

Pasaportën e kishte me afat të skaduar dhe kur arriti ta merrte të renë, ishte vonë për të ikur. Në Kabul ajo e ka nisur një projekt rrobaqepësie për gratë derisa një burrë “që dukej si taliban” i ka shkuar me armë në kokë dhe i ka thënë “A po e sheh këtë?”.

Nilofar është tani në Teheran dhe kërkon një vizë për Evropë. Ambasadat i kërkojnë dëshmi që situata është e keqe për gratë ndonëse, sipas saj, “e gjithë bota e di se çfarë po ndodh në Afganistan”.

Nëse aplikimi i refuzohet, ajo duhet të kthehet në Afganistan. “Nuk e di se çfarë do të ndodhë me mua”, thotë ajo.

Ndonjëherë u merr lakmi grave të paedukuara. “Ato ishin në shtëpi vazhdimisht. Unë luftova që të studioja, punoja dhe e kalova gjithë kohën time për asgjë në fund”.

Ëndrra për t’u kthyer në shtëpi

Tashmë 30 vjet pas Dejtonit, Bosnja, që e ka formësuar fëmijërinë e Nerminit, me vështirësi ndryshon, mirëpo ai thotë se dikur do të dëshironte të kthehej, pavarësisht se ka grua në Gjermani dhe mundësi më të mira për specializim në profesion.

Edhe Hava ëndërron të kthehet në Çeçeni një ditë.

“Ëndërroj të kem një shtëpi të vogël në male dhe një shtëpi mysafirësh për turistë… pak pula, mace dhe ndoshta një dhi”, tregon ajo.

Ëndrra e Nilofarit për të studiuar në Afganistan është realizuar pjesërisht, derisa talibanët janë kthyer në pushtet. Tani ajo shpreson që të largohet nga shteti “ku gratë jetojnë sikurse në kafaz”.

Gati 30 vjet më parë, një raport i Kombeve të Bashkuara për fëmijët dhe konfliktin paralajmëronte se shumë prej tyre mund të rriten me “mungesa materiale dhe emocionale” dhe shoqëri të bëra copë – copë.

Këto fjalë janë ende të vlefshme sot në jetët e Nerminit, Havës dhe Nilofarit.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG