Ndërlidhjet

Sassoli: Maqedonia e Veriut nuk mori një ‘Jo’ definitive për hapjen e negociatave 


David Sassoli.
David Sassoli.

Kryetari i Parlamentit Evropian, David Sassoli, para deputetëve Parlamentit të Maqedonisë së Veriut ka theksuar se duhet kuptuar qartë se Bashkimi Evropian, nuk ka thënë 'Jo' për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe se nuk bëhet fjalë as për gabim historik, por siç u shpreh ai,në këtë rast ka të bëjë me një ngecje, një pezullim, por që shteti do ta vazhdojë sërish rrugën në proceset integruese.

Ai njëherësh në fjalën e tij para deputetëve ka porositur autoritetet e vendit që të fokusohen në përshpejtimin e dinamikës së realizmit të reformave që i janë vendosur si detyrim vendit nga Brukseli.

Për kryetarin e Parlamentit Evropian e rëndësishme është që pjesa më e madhe e shteteve të Bashkimit Evropian janë të bindura se procesi i nisjes së negociatave për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut, duhet të fillojë sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Ne kemi pasur, siç e dini, disa vërejtje dhe rezerva të cilat tashmë i kemi deklaruar, nga ana e disa shteteve, por ne jemi të bindur se mendimet e tyre në këtë moment do të shqyrtohen sërish dhe ngaqë zhgënjimi që u pasua në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri nuk duhet të na ndjekë. Kjo duhet të tejkalohet me guxim sepse ne duhet ta përcaktojmë më mirë hapësirën e Bashkimit Evropian”.

“Ju e dini se Ballkani Perëndimor është në atë hapësirë. Kemi histori të përbashkët, traditë të përbashkët dhe ndjeja të përbashkëta. Në aspekt natyror, kjo do të jetë fuqia jonë, do të jetë trashëgimia jonë, e cila do t’u takojë të rinjve të Maqedonisë së Veriut, të cilët procesin e integrimit në BE e shohin si proces natyror”, ka theksuar kryetari i Parlamentit Evropian, David Sassoli.

Ai tha se deputetëve maqedonas nuk duhet të ndjejnë keqardhje që votuan për ndryshimin e emrit të shtetit, pasi siç theksoi Sassoli, ky vendim ishte një hap i rëndësishëm për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut.

Ndërkaq, kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, tha se mbështetja që vjen nga Brukseli paraqet një indikator të qartë se vendi ndodhet në rrugën e duhur dhe kjo gjë inkurajon që institucionet të vazhdojnë realizimin e reformave.

Xhaferi u shpreh se për Maqedoninë e Veriut nuk ka asnjë alternativë tjetër përveç integrimit në familjen evropiane.

“Pritjet nga samiti i BE në muajin maj janë se ky gabim historik do të përmirësohet dhe ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë si gjer[ më tani me Parlamentin Evropian, përmes formë së komitetit të përzier parlamentar dhe nëpërmjet dialogut të njohur si Jean Monnet”.

“Do të jemi konsekuent ndaj procesit të Berlinit si komplementar në procesin e integrues dhe nuk do të pranojmë asnjë alternativë tjetër për anëtarësimin e plotfuqishëm të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian”, tha Xhaferi.

XS
SM
MD
LG