Ndërlidhjet

Përplasjet në Kuvend për politikën e jashtme


Kuvendi i Kosovës - Foto nga arkivi.
Kuvendi i Kosovës - Foto nga arkivi.

Deputetët e partive opozitare kanë drejtuar një varg kritikash në adresë të Qeverisë së Kosovës, për, siç kanë thënë, politikë të jashtme të degraduar, ndërkaq që vetë kryeministri Albin Kurti është përgjigjur ndaj këtyre kritikave dhe ka dhënë sqarime në disa nga pyetjet, por edhe kritikat e deputetëve.

Kuvendi i Kosovës, të martën, ka mbajtur një seancë për politikën e jashtme të vendit. Debati parlamentar mbi këtë temë ishte propozuar nga deputeti i subjektit më të madh opozitar, Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Hoxhaj: S’keni aplikuar për NATO

Enver Hoxhaj, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës tha se debati është thirrur “për shkak të ndryshimit të rrethanave ndërkombëtare në raport me Kosovën”. Ai ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për qasjen e saj ndaj politikës së jashtme.

Ai theksoi se e miraton qëndrimin e Qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit Albin Kurti lidhur me Ukrainën, por, sipas tij, ai nuk ka vepruar fare në raport me qasjen e Kosovës për anëtarësim në NATO.

“ E di që nuk bëhet kjo punë sivjet, por nuk e keni dorëzuar aplikimin për Partneritet për Paqe, që do të kryhej sivjet. Zoti Kurti po merret me luftën hibride të Rusisë, por nuk po thotë asgjë tash e dy ditë për luftën e spiunazhit të Serbisë ndaj Kosovës. Këtu e mendoj atë që po ndodh me Dick Martyn. Ai ka qenë kundërshtar i Kosovës. Por, ai do të duhet të tregojë se pse është në konflikt me Serbinë dhe këtë ne mund ta kuptojmë vetëm nëse Qeveria [e Kosovës[ kërkon sqarim zyrtar prej ambasadorit [zviceran në Kosovës] si dhe në Bern, prej Qeverisë së saj, se çfarë po ndodh në raport me zotin Dicka Marty. Është temë kyçe, shpjegon shumë gjëra”, theksoi Hoxhaj.

Ai shtoi se aktualisht kërkohen politika të reja dhe ndër to duhet të jetë edhe qasja ndaj pesë vendeve të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën. Sipas tij, Rusia po përjashtohet nga organizatat e ndryshme ndërkombëtare dhe kjo është mundësi për Kosovën për anëtarësim në ato organizata, sikurse në Këshillin e Evropës.

Ndryshe, për shkak se katër shtete anëtare të NATO-s – Greqia, Rumania, Spanja dhe Sllovakia – ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, Prishtina nuk ka mundur që të nisë formalisht rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit.

Por, Kosova vazhdimisht shpreh vullnetin dhe gatishmërinë që të bëhet anëtare e NATO-s, duke ndjekur rrugëtimin sikurse vendet tjera, pra duke nisur prej Partneritetit për Paqe deri tek anëtarësimi i plotë.

Kurti: I dolëm në ndihmë partnerit tonë kryesor, SHBA-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar në Kuvendin e Kosovës se kur ka marrë mandatin qeverisës, Qeveria e tij e ka gjetur politikën e jashtme në gjendje të vështirë, pa qasje të barabartë të vendit në bashkëpunimet rajonale dhe në marrëdhëniet bilaterale, pa përgatitje për aplikim për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe pa analizë e strategji për vendosjen e marrëdhënieve me shtetet që nuk e kanë njohur ende Kosovën. Por, sipas tij, gjatë një viti të qeverisjes së tij, situata ka ndryshuar rrënjësisht.

“Kemi intensifikuar dhe thelluar raportet me partnerët tanë. Kosova ishte pjesëmarrëse dhe nikoqire e ushtrimeve ushtarake të NATO-s ‘Defender Europe ‘21’. I dolëm në ndihmë partnerit tonë kryesor SHBA-së, duke strehuar 1.449 refugjatë afganë. I kemi hapur dyert për 5,000 refugjatë dhe 20 gazetarë ukrainas, duke u rreshtuar njëkohësisht me të gjitha masat e ndërmarra nga vendet demokratike në raport me Federatën Ruse dhe me Bjellorusinë”, tha Kurti.

Ai u shpreh se, gjatë qeverisjes së tij, për herë të parë Kosova është ulur si palë e barabartë në tavolinën e dialogut me Beogradin në Bruksel. Sipas tij, qëndrimi parimor i Kosovës në këtë proces, “ka bërë që edhe zyrtarët e BE-së ta thonë për herë të parë se dialogu nuk ka të bëjë me statusin e Kosovës, por me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Siç tha ai, Kosova ka thelluar marrëdhëniet diplomatike me një numër të madh të vendeve dhe tashmë ka nënshkruar 85 marrëveshje ndërkombëtare dhe teknike të karaktereve të ndryshme.

Kurti shtoi se Kosova sivjet do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si dhe në Këshillin e Evropës.

“Për këtë proces, Ministra e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës është në fazën e përparuar të përgatitjes dhe do të bashkërendohet ngushtë me Kuvendin dhe me shoqërinë civile”, tha Kurti.

Ai në seancën e Kuvendit nuk ka folur për pretendimet e ngritura ish-raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, se strukturat serbe të sigurisë kanë planifikuar vrasjen e tij dhe për këtë t’i fajësojnë shqiptarët e Kosovës. Por, në një konferencë për media, më herët të martën, ai ka theksuar se autoritetet e Kosovës do të bashkëpunojnë me shtetin e Zvicrës për të kuptuar më shumë për pretendimet e ish-raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty.

Hoti: Propagandë linçuese ndaj Marrëveshjes së Uashingtonit

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Abduallah Hoti, tha që Kosova gjatë një viti të qeverisjes së Kurtit nuk ka pasur politikë të jashtme efektive. Gjatë këtij viti, sipas tij, nuk ka pasur asnjë njohje, asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe as ndonjë zhvillim të rëndësishëm në konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Ai theksoi se gjatë një viti nuk është parë ndonjë reformë për strategjinë në diplomaci edhe pse është pjesë e programit qeverisës, por vetëm shkarkime të zyrtarëve diplomatikë, të cilat kanë krijuar vakum në diplomacinë e vendit.

Hoti theksoi se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë lënduar dhe nuk janë në nivelin që kanë qenë dhe që duhet të jenë.

“Mendoj se është absurde që është cilësuar këtu në Kuvend, në vazhdimësi, si e dëmshme një marrëveshje që është nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë (Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike Kosovë-Serbi, e 4 shtatorit 2020), e cila është respektuar edhe nga presidenti aktual amerikan”, theksoi Hoti.

Ai tha se është bërë propagandë linçuese ndaj kësaj marrëveshjeje, ashtu sikurse edhe ndaj pikës për moratoriumin njëvjeçar për aplikim në organizata ndërkombëtare. Por, sipas tij, tash e tetë muaj pas skadimit të këtij moratoriumi, nuk është shënuar asnjë aplikim në organizata ndërkombëtare nga ana e Kosovës.

Ai ka propozuar rekomandimet për një rezolutë të përbashkët, e cila nënkupton që Kosova duhet ta ruajë orientimin gjeopolitik perëndimor, duke punuar ngushtë me partnerët strategjikë, ruajtja e partneritetit me SHBA-në, që Kosova të jetë faktor i patejkalueshëm i zhvillimeve politike, ekonomike dhe infrastrukturore në rajon dhe që marrëdhëniet me Shqipërinë të jenë pjesë e përbërëse e politikës shtetërore të Kosovës.

Haradinaj: Po abuzohet me durimin e aleatëve të sigurisë

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe njëkohësisht edhe lideri i këtij subjekti opozitar, Ramush Haradinaj, akuzoi Qeverinë aktuale se po vazhdon të jetë kundër SHBA-së në mënyrë konsistente.

“Është duke abuzuar me durimin, me pasionin e aleatëve kryesorë të sigurisë. Nuk ka politikë të jashtme pa vendime të brendshme. Ne ende sot s’e kemi të votuar strategjinë e sigurisë. Sa herë që i pyet për strategjinë e sigurisë, thonë ‘është në diskutim, jemi në proces e sipër’. Refuzimi i gazsjellësit amerikan, rezulton sot me dobësimin e mundësisë së Amerikës që ta përjashtojë gazin rus prej Serbisë. Një kontratë e Kosovës për këtë gazjellës do t’ia jepte edhe një mundësi shtesë Amerikës për të gjetur zgjidhje alternative për të hequr Gaspromin rus në Serbijagas, këtë dikush e ka bërë dhe fatura na vjen të gjithë neve”, theksoi Haradinaj.

Rreth orës 16, kryeministri Kurti është larguar nga seanca e Kuvendit. Vetëm pak minuta më pas, nga seanca është larguar edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Kjo ka nxitur reagimin e deputetëve opozitarë. Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka theksuar se largimi nga seanca i ministres Gërvallla, e bën të pakuptimtë vetë debatin dhe arsyen pse është thirrur debati. Ai ka thënë se deputetët e PDK-së nuk do të vazhdojnë të qëndrojnë më në seancë. Ngjashëm kanë vepruar edhe deputetët e partive tjera opozitare, LDK-së dhe AAK-së, të cilët kanë braktisur seancën.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka konstatuar se pas largimit nga seanca të propozuesve të debatit por edhe të deputetëve tjerë të partive opozitare, debati nuk mund të vazhdojë. Ai ka theksuar se seanca për këtë temë “do të vazhdojë në një tjetër moment”.

XS
SM
MD
LG