Radulloviq: Bojkoti nuk zgjidh probleme
Pak para shtyrjes së seancës, deputeti Llazar Radulloviq nga koalicioni “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”, i udhëhequr nga Nenad Rashiq, tha se bojkotimi i seancës nuk zgjidh asnjë problem dhe bëri thirrje për pjesëmarrje të opozitës në proces.
“Kosova shkon përpara kur të gjithë marrin pjesë në proces. Karriget e zbrazëta nuk i mbrojnë interesat e qytetarëve”, tha ai, duke ftuar edhe përfaqësuesit e Listës Serbe të kthehen në sallë.
Seanca për presidentin shtyhet sërish
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se seanca për presidentin, që u ndërpre për të dytën herë brenda ditës, do të vazhdojë sërish në orën 19:00.
Ajo i bëri sërish thirrje opozitës që të marrë pjesë në vazhdimin e seancës.
“Në këto rrethana, për shkak të mungesës së opozitës dhe në përpjekje që ajo të jetë e pranishme në seancën për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, si për obligimet kushtetuese ashtu edhe për interesin publik, ju njoftoj se kjo seancë vazhdon sot në orën 19:00”, tha Haxhiu.
Ambasada e Gjermanisë: Presim respektim të Kushtetutës
Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka thënë për Radion Evropa e Lirë se është duke e ndjekur procesin në zhvillim dhe "pret që të gjithë aktorët të veprojnë në përputhje me Kushtetutën".
Përfaqësues të opozitës dhe të shoqërisë civile kanë thënë se votimi i presidentit pa kuorumin e nevojshëm, cenon rendin kushtetues.
Haxhiu thërret emrat e deputetëve të opozitës
Duke vazhduar thirrjen për opozitën që të marrë pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka nisur t’i thërrasë një nga një deputetët e opozitës.
“I bëj thirrje që të vijë në seancë”, përsërit Haxhiu pas secilit emër.